Skerdilajd Zaimi

Shqipëria ka disa vite që përballet me problemin e ikjes masive të të rinjve. Nuk është ende një krizë demografike, por shenjat nuk janë të mira dhe problemi është serioz. 

Shqipëria përballet po ashtu me mohimin e problemit në fjalë nga qeveria e vet. Kryeministri thotë se ikja është shprehje e lirisë. Më tej akoma, z. Rama sjell shembuj të vendeve të tjerë sesi emigrantët e kthyer kanë ndikuar në rritjen ekonomike me njohuritë e fituara gjetkë. 

Këtij arsyetimi i mungojnë shumë elementë që të jetë i besueshëm. Qoftë sepse tregu shqiptar nuk po evoluon drejt shërbimeve më të sofistikuara, qoftë edhe sepse klima e biznesit është tejet negative për shkak të korrupsionit të administratës. 

Trajtimi i problemit demografik duhet të ishte shumë më serioz sesa kaq përderisa qeveria deklaron se punon për gjeneratën tjetër. Mungojnë në këtë debat edhe zërat e atyre që janë specialistë, statistikat sillen për sensacion më shumë sesa për të kuptuar diçka nga nevoja e politikave të reja mbimkëto realitete etj..Presidenti i vendit nga ana tjetër i fryn ideve të konspiracionit duke thënë se ikja nuk është kaq e rastësishme pa shpjeguar diçka më shumë. 

E thënë shkurt: edhe një debat kaq të rëndësishëm nuk dimë ta bëjmë në funksion të nxjerrjes së mësimeve, por të ndërtimit të akuzave. 

S’do mend se një nga arsyet e ikjes është edhe modeli triumfues në shoqërinë tonë. Krimineli, trafikanti, hajduti, nëpunësi hajdut, ministri dhe politikani i korruptuar dhe aksioner në biznese, biznesmeni i ndërtimit me lidhje okulte, vrasës me makina të bukura, femra që zhvishen, gazetarë që duan t’i ngjajnë Nostradamusit, analistë që zhgërryhen në prehërin e politikës, kryebashkiakë të hurit e litart, aktivistë të kurdisur. E kështu me radhë. 

Sigurisht që nuk është kështu e gjithë Shqipëria, por kjo është struktura e pushtetit në këtë vend. Dhe ca më keq, kjo është ajo strukturë që ka imponuar hierarkinë e vlerave. Me këtë nuk duhet të themi se ata që ikim janë modeli i virtytit dhe suksesit, shembull i të mirës përkundrejt të keqes. Jo. Por ikja është në thelb edhe dëshmi e shpërbërjes së shoqërisë, e largimit nga një trup. Ikja është në fakt edhe një lloj deklarate. 

Dhe deklaratat nuk mungojnë të shfaqen në forma patetike si letra publike “intelektualësh” që shkruajnë elegjijë e fundit, para se të rehatohen në Perëndim.

Ikja e një adoleshenti apo të sapodiplomuari dallon nga ikja e dikujt në moshë të madhe. I pari ëndërron të ndërtojë diçka, i dyti shpreson të stabilizojë diçka, apo të gjejë një jetë të paqtë mbi disa standarde sidomos për fëmijët e vet. Të dyja janë legjitime, por i dyti ikën edhe me një përvojë dështimi në Shqipëri. Personal, financiar, psikologjik apo edhe një proces tëhuajëzimi tërësor nga një shoqëri që i është dorëzuar rregullave të xhunglës. 

Nga kjo pikëpamje, qoftë manifestimet virtuale të lamtumirës, qoftë artikujt bajatë të 1001 arsyeve të Shqipërisë mikpritëse nuk ndihmojnë. Ato janë shprehje e një lufte politike mes mllefit të njërës palë dhe nevojës për “ta mbyllur këtë muhabet” të palës tjetër. Është një dialog që ndërtohet mbi premisa të rreme sepse në të vërtetë asnjë shqiptar nuk po ikën nga Shqipëria si e tillë. Shqiptarët po i ikin njëri -tjetrit, po ndahen ata që kërkojnë normalitetin dhe udhëhiqen nga modele të tjera nga këto që dominojnë këtu, me ata që shohin në këtë vend dhe në këtë koas mundësi. Apo që në një mënyrë apo tjetër, thjesht nuk duan të ikin, sepse pavarësisht të gjithave ndihen mirë këtu. 

Arsyet e ikjes dhe qëndrimit janë komplekse. Ato nuk lidhen vetëm me një qeveri, por me mbarë shoqërinë, e cila pse i rrëfen vetes gënjeshtra të gjithfarëshme, duke nisur që nga mësimet në shkollë e deri ato në familje, përfundon e prangosur nga pamundësia për t’i ikur realitetit që ushqen kjo farë narrative që i themi vetes pa e besuar. 

Përndryshe vendi është shumë i mirë. Por atë e shformon shqiptari që i beson vetëm momentit. Ne ia zhbëjmë Shqipërinë njëri-tjetrit, duke asgjësuar çdo kujtim dhe referencë me invadimin e dhunshëm dhe mënyrën sesi oportunitetin e shndërrojmë në katastrofë. Teksa ia vrasim historinë Tjetrit, shpresojmë se ndërtojmë të ardhmen tonë. Ky është në themel të konfliktit që gjallon poshtë “emëruesit të përbashkët” të duarve shqiponjë. Ky zëvendësim paradigmash vlerore që po trazon një popull të tërë, pasi u edukua ta kuptojë kolektiviteti si refleks të parimeve fisnore dhe ndjenjës së të qenit “të një gjaku”. 

Qeveria e sotme përdor një devizë: Shqipëria që duam. Tingëllon ironike kjo lloj devize pasi për shumëkënd “Shqipëria që duam”, është ajo që ka qenë. Jo si rend shoqëror, por si estetikë, si marrëdhënie njerëzore, si raport edhe me pasurinë, atë pasuri që po shqyen çdo fije njerzillëku që mund të ketë strukur kokën për të mbijetuar në këtë xhungël. 

Sot disa shqiptarë po i grabisin Shqipërinë disa të tjerëve. Por kjo ka ndodhur kudo. Me ndryshimin se humbësit nuk kanë zgjedhur vetëm ikjen, por edhe kundërvënien. Madje me çdo mjet. Dhe ne kemi mësuar aq në libra sa këto kundërvënie irracionale na serviren si ngjarje madhore të historisë. Në fund të fundit, ka edhe një ikje të brendshme nga politika, pushteti dhe mashtrimet banale të tyre. E shohim këtë te refuzimi dhe mosbesimi, ndaj herët apo vonë, kjo enë që po vlon do të derdhet.