Kryeministri, Albin Kurti, ka theksuar se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe gjatë dhe ka deklaruar se për këtë janë në koordinim me KFOR-in, i cili, sipas tij, ka kërkuar kohë.

Kurti pas ceremonisë së fillimit të punimeve të fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë, ka thënë se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është çdo ditë në Mitrovicë dhe në kontakt të vazhdueshëm me komandën e KFOR-it për heqjen e barrikadave.

Ai ka thënë se janë në koordinim me KFOR-in për largimin e barrikadave
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, ka theksuar Kurti.

Kurti: Nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë

Kryeministri ka folur edhe për kërkesën e Serbisë për të kthyer një kontingjent të ushtrisë deri në 1000 trupa, në Kosovë.

“Ata e kanë bërë një kërkesë KFOR-it me sa di, tash natyrisht ajo është një kërkesë jo reale e cila flet më shumë për ata sesa për vendin tonë, kurrë nuk ka pasur nevoje për ushtarë serbë në Republikën e Kosovës, kurrë nuk ka pasur nevojë për ushtarë serbë në shekullin e 20-të e as 19-të, tash kërkesa e tyre më shumë tregon se ata kanë ngelur në shekullin nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Me këto kërkesa ata po na e tregojnë neve që e dimë mirë se kush janë, se kush janë edhe për ata që kanë pas dilema se ata kush janë. Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vijnë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre”, është shprehur Kurti.

Sipas Kurtit, ata që po synojnë të destabilizojnë Kosovën do të dështojnë.

“Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje. Synimi i tyre ishte të hynë në Kosovë, nuk ishin në numër çfarë ata e kishin menduar, ndërkaq organet e sigurisë së Republikës së Kosovës dhe forcat ndërkombëtare natyrisht që janë kujdesur për sigurinë dhe paqen”, ka deklaruar Kurti. /ksp/