Nga Pjeter Logoreci

Këto ditë po rishikoja me andje një video nga zhvillimi i ceremonisë solemne për riatdhesimin e rivarrimin e eshtrave të ushtarakut student, patriotit Shahin Toçi, sargu i të cilit u prit në aeroportin e Rinasit me 26 mars 2011, me shumë nderime, ashtu siç e meritonte ky djalë trim që i qëndroj besnik deri në flijim flamurit tonë kombëtare.

Pamje emocionuese. Dhjetra qytetarë pjesmarrës valvitnin ndër duar flamurë kombëtarë. Pranë tapetit të kuq, Garda Kombëtare ishte e rreshtuar në qëndrim nderimi, ndërsa ministra e personalitete të shtetit të veshur me uniforma shumëngjyrëshe prisnin që ti bënin homazh këtij trimi liridashës. Një ndjenjë zemërimi e keqardhje më pushtoj ndërsa mendova se, (pothuajse para një muaji) me 9 shkurt 2011, edhe unë po zbrisja po në këtë aereoport, nga avioni i linjës Vjenë – Rinas, po me të njëjtin qëllim: për të riatdhesuar pas 94 vjetësh eshtrat e Imzot NIKOLL KAÇORRIT – ARKITEKTIT TË PAMVARSISË E TË SHTETIT SHQIPTARË, por me një ndryshim të madh, se atë ditë “te zezë për ndjenjën kombëtare”, sargun me eshtrat e titanit nuk e priste asnjë personalitet, ministër, gjeneral, zv/ministër apo drejtor drejtorie. Për habi të gjithëve aty, as edhe një klerik i lartë shqiptar apo i huaj që shërben në vendin tonë. Sytë mu mbushën me lot dhe tërë qenien time ma pushtoj një ndjenjë keqardhje dhe turpi.

Ju pëlqen!

Me ditë të tëra isha përpjekur të lajmëroj, për ardhjen e eshtrave të Imzot Kaçorrit, përsonat përgjegjës të shtetit, që nga instiutcionet më të larta, Kryeministrinë, Ministritë, Kryesinë e Kuvendit, deputetët e Durrësit, hierarkinë e lartë kishtare të dioqezës së Tiranë –Durrësit, si me telefon ashtu me postë elektronike. Asnjë reagim. Kjo keqdashje më bëri të mendoj që veprimi im nuk i sillte politikanëve e shtetarëve ndonjë përfitim ekonomik (për të cilin do të vinte pa mëdyshje e gjithë politika), por ishte vetëm një veprim moral e atdhetar për të cilin, aty ndodheshin vetëm njerëzit e thjeshtë të ardhur në grupe nga Durrësi e Lura.

Çfarë paradoksi. Një burrë i madh, etalon i atdhetarisë e lirisë, një prift katolik i cili kishte deklaruar me gojën e tij…” …për mua së pari atdheu mandej kisha…”, nuk u vlerësua, ose u la në harresë me dashje, ashtu sikurse, ai, u la në harresë për 94 vjet në dhe të huaj. Përse duhej që, atdhetari Nikollë Kaçorri, të shihej në petkun e priftit katolik, që të pasojë një sjellje të tillë? Apo kaq e madhe ishte propaganda aziatokomuniste kundër këtij atdhetari sa që njërzit vazhdonin ta shihnin si “klerik reaksionar”….???

Familjarë të Imzot Kaçorrit dhe qytetarë durrsakë pranë sargut të tij në Rinas

M.q.s me 29 maj është 103 vjetori i vdekjes së tij, në nderim e respekt të aktivitetit të tij në të mirë të Shqipërisë, dëshëroj të sjell me poshtë për lexuesit një dokument origjinal që kam gjetur në Arkivën e Ministrisë së Jashtme të Austrisë në Vjenë, ku çdo njeri (edhe ato më skeptiket), mund të kuptojë e të bindet për punën e madhe që Imzot Nikollë Kaçorri bëri në dobi të atdheut të robëruar nga hordhitë aziatike osmane. Dokumenti mban datën 12 nëntor 1912 dhe është një letër e shkruar dhe formuluar nga Imzot Kaçorri, e cila i drejtohet Perandorit Franz Josef të parë në Vjenë, për ta vënë në dijeni që; shqiptarët nuk e durojnë më robërinë. Ato duan tashmë pamvarsinë, të drejtën e shkollave, kulturës, traditave e gjuhës së tyre. Ato kërkojnë nëpërmes kësaj letre, mbështetjen e perandorisë më të madhe të kohës për të mos lejuar coptëzimin e Shqipërisë nga vendet fqinje në Ballkan.

v

Madhnisë të Tii

Franz Josefit I

Përandorit e Mbretit të Austro – Magjarisë në Vienë

Shum të vështira e të rrezikshëme jan këto dit per ne Shqyptarët e per nanën t´on Shqypninë qi të kater shtetet e Ballkanve po rrâin me e perpië a me e coptue. Na me sâ fuqië kena mundohena edhe Përendisë i lutena qi Mbretnia jon të muisi këta anmiq e të na prui prej sish. Por per fat të keq gjasat nuk po na duken fort të mira, e po shohim se shum vende të kater vilajeteve të Shqypnisë, Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë gjinden nden kambë të hueja.

Per këtë shkak po marrim lejen m´u sjelle kah Madhnia Jote si Përandorit të nji Përandorisë të madhe, qi asht ma e afermia e jon e ka piesë në Ballkan me Bosnie – Herzegovinë, e me Ju lutun qi në çeshtjet të Ballkanve të merret para syshë edhe Shqypnia në mënyrë qi kufit e sajë mos të bërkiten e mos të shtyhen prej kerkui e qi Shqypnia kështu e pâ bërkame e e pâ vogluëme të ketë nji Automië të plotë nden Mbretninë Otomane.

Por në kioftë se per fat të zië qillon, qi kio Mbretnië nuk ka me muit ma mbas luftesë të sotshme me sundue në kurrfar mënyre Shqypninë, na nga thelbi i zembrës i lutena Madhnisë s´ate qi Shqypnia prej kater vilajetesh permendun sipri me tre milion e sâ Shqyptarë të bahet nji Mbretnië në vehte sikurse të tjerat shtete të Ballkanve, në daç perse Shqyptarët jan nji kambë ma i vjetri ner këta, me nji gjuhe e me zakone fare të veçanta, e gjaku i tyne nuk mundet me paitue kurrsesi me çdo gjak të kombëve qi jan rreth e rrotull; në daç perse nuk do t´ishte e drejtë humbja as voglimi i nji kombi Shqyptarë, i cilli nuk âsht aspak ma i poshtem se kombët e tjera të Ballkanve si per numer, ashtu per mendë, si per vjeften morale, me të cillën, sado qi per nji kohe shekuish shum të gjatë kje rrahun në çdo krah e në çdo mënyrë prej shum e shum tallazeshë politike qindroi në kombësië të vet e në zakone të veta, por si nji shkambë i fort në mjedis detit; e kjarishtë e diftoin edhe theroritë e mëdhaja qi Shqyptarëtë hoçën per rain, gjytetërimin, e perparimin e Kombit të vet në këtë kohe të mrame të Tyrqëvet të Rie: në daç edhe perse na duket se nji Mbretnië Shqyptare mban peshën jo vetem të Ballkanve, por edhe të gjith shteteve t´Europës, e

sidomos në muit m´u bâa, mbas dishirit t´on, nji mbretnië e pa anë (neutre), sikurse Belgji e Svizzera.

Prej gjith këtyne shkaqeve e arsynave na e pështesim të tanë shpresën t´one në ma të madhen mirsine e Madhnisë Tande per të cillën na e gjith kombi Shqyptarë ka per të Jau ditun per nderë per gjithmonë.

Me shpresë të madhe qi të lutunat t´ona kam me e bërkâ zembrën e Madhnueshme të Madhnisë Tande kemi nderjen ma të madhen me vuë këtu duërt t´ona e m´u permendun.

Shqypnië, 12 Nanduër 1912

Te Detyrushmit Sherbëtorë te Madhnisë s´ate

Firmat Nikollë Kaçorri Prift

Mustafa Asim Kruja
Reaçep Mitrovica
Fuad Toptani
Abdi Toptani
Murad Toptani
Salih Gjuka Ipek
Bedri Pejani

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!