“Po hë se vetëm me shtëpinë merresh, se mos bën ndonjë punë tjetër”. Ky është refreni i përditshëm në shumë prej familjet shqiptare, ku zakonisht gruaja luan rolin e shtëpiakes.

Të gjithë e kemi provuar se sa e lehtë është t’i thuash fjalët pa e menduar se si do të ndihet personi tjetër dhe me shumë mundësi, shtëpiaket janë mësuar pak a shumë t’i kalojnë disi më lehtë këto fjalë, por edhe ato, si gjithë njerëzit e tjerë, ndihen keq dhe me të drejtë.

Më thoni pak sa e lehtë mund të duket të zgjohesh në orën pesë të mëngjesit, sa e lehtë është të përgatisësh mëngjesin për familjen që të gjithë të dalin të ushqyer për punë apo për shkollë, të pastrosh deri në cepat më të thella shtëpinë, të gatuash sërish drekën, të kontrollosh mobiljet nëse kanë marrë pluhura, të vendosësh rrobat për larje, apo të përgatisësh darkën dhe në fund, kur pret që dikush ta vlerësojë sadopak punën që ke bërë, të dëgjosh fjalinë e zakonshmë “Punët e shtëpisë i bëjmë të tërë, po mos u anko kot”? Ky është realiteti ynë dhe e di shumë mirë se shumë nga ju që po e lexoni këtë material, po kaloni nëpër këto situata.

Mendoj se problemi i vërtetë nuk qëndron tek vështirësia e një pune, sepse edhe shtëpia i ka punët e saj të vështira, por tek koncepti që kemi ne për punën.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Me fjalën “punë” ne kuptojmë një aktivitet që në fund të muajit do të na sjelli të ardhura. Prandaj edhe shtëpiaket nuk vihen re për punët që bëjnë, sepse të lash, të fshish shtëpinë apo të gatuash nuk paguhesh.

Unë mendoj se shtëpiaket janë artiste, sepse në vetvete arti është vënia në punë e imagjinatës. Nuk është më pak artiste një shtëpiake që e mban shtëpinë të pastër ku hyn me qejf për një vizitë, nga një artiste që nxjerr në ekspozitë një pikturë.

Është po njësoj, madje shumë më artiste, sepse arti i të kujdesurit për një shtëpi nuk ka çmim, ndërkohë për të bërë një pikturë qëllimi përfundimtar kuptohet që është fitimi..

Nuk besoj se ka vlerë në lekë që mund të shpërblejë punën e një shtëpiakeje. Ato përveç dedikimit në shtëpi, vetësakrifikohen në maksimum duke harruar veten dhe duke lënë mënjanë ëndrrat e tyre. Pse ato nuk kanë dëshira, apo synime për karrierë?

Nuk ka njerëz që të mos kenë, por kur jeton në një mjedis ku meshkujt i konsiderojnë femërore punët e shtëpisë, apo kur kujdesin për fëmijët ia lënë në dorë vetëm grave, dikush duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij, sepse dikush duhet të vetësakrifikohet në këtë mes.

Është e padrejtë, por si në çdo rast padrejtësie, e pëson ai që ka natyrë më të butë, më të qetë dhe në këtë rast janë femrat. Dua të përmend këtu rastin e një shoqes sime shumë të ngushtë. Fatmirësisht ajo i mbylli studimet për inxhinieri ndërtimi dhe punoi për disa vite në këtë profesion.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Me lindjen e fëmijës së parë dhe më pas të tre fëmijëve të tjerë, ajo hoqi dorë nga profesioni i saj duke ju dedikuar totalisht familjes dhe shtëpise, sepse të gjithë e dimë si janë meshkujt shqiptarë. Mezi skuqin një vezë, jo më të bëjnë tërë punët që ka shtëpia.

Sot fëmijët e saj janë të katërt të rritur e të shkolluar, ndërkohë që ajo ndihet keq, sepse ka qenë si e padukshme tërë këtë kohë në punët që ka bërë në shtëpi. Ndërkohë që ajo sheh shoqet e saj që ecën në karrierë, ndihet keq që askush nuk ia njeh mundin dhe vetësakrifikimin.

Do të duhet kohë, ndoshta tre apo katër dekada që të paktën të ndryshojë mentaliteti i shqiptarëve dhe të mund të shohim një burrë duke larë dhe një grua duke bërë karrierë, por ndërkohë të paktën t’i falenderojmë shtëpiaket për punën e tyre të palodhur.

Dhe puna e tyre duket nëse ke sy të shohësh. Duket që në hapin e parë që hedh në një shtëpi dhe ndjen aromën e detergjentëve dhe zbutësve, saqë nuk të vjen të dalësh më nga ajo shtëpi.

Dhe meshkuj, ndryshojini pak mendimet tuaja. Në krahë të një mashkulli të fortë nuk duhet të jetë një femër vetëm stoike, por duhet që ajo femër të jetë edhe një shtëpiake e suksesshme. Nëse keni një grua të tillë, vlerësojeni, sepse edhe ajo si çdo njeri ka nevojë për vlerësim dhe mirënjohje që të ndihet mirë në punët që bën.  /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress