Nuk ka ditë që në mediat pranë qeverisë aktuale të Shqipërisë të mos merret në shqyrtim Albin Kurti dhe lëvizjet e tij politike. Shqetësim kryesor përbën përfshirja në fushatë e Vetëvendosjes, për të cilën pushteti i Tiranës nuk ka se çfarë të thotë. E ka dënuar me heshtjen që shurdhon duke lënë ustallarët e cyleve* mediatike që të lëshohen e të qëmtojnë problemin Vetëvendosje në Shqipëri.

Çdo vendim i Kurtit rezulton ose i papjekur, ose keqdashës, ose që buron nga ambiciet e tij të pakufizuara, ose ato dëmtojnë Kosovën. Këshilltarë me kohë të plotë të patriotizmës, cylexhinjtë mediatikë të Tiranës, po bëjnë edhe ata minifushatën e tyre. Me opozitën merret qeveria, me ekstrakomunitarin Kurti janë ata.

Në një palë zgjedhje ku nuk ka më armiq, por vetëm arketipa tranzicionalë si një president në prag çmendurie, një kryeministër në delir dhe një opozitar praktikisht në gjumë siç akuzohet, Kurti prish balancën e një skeme vrastare, cinike në kulm dhe në emër të së cilës dikush madje guxon të thotë se ka bërë realitet ëndrra një shekullore të shqiptarëve. Vetëvendosja mundet të jetë vetëm një incident, episod në këto zgjedhje, ndoshta ajo përfaqëson diçka që nuk e dimë ende mirë se çfarë është, por kontestimi ndaj saj nuk lidhet me elementë programorë, më tepër sesa me aktivizmin e saj dhe profilin e lartë moral.

Kaq e hidhur është kjo gjellë, saqë ka nga ata moralistë shumëpërdorimësh që e relativizojnë higjenën politike ndaj korrupsionit të Kurtit dhe VV-së si diçka të bezdisshme, si diçka fetare madje, jashtë mode dhe të dyshimtë. Pse patjetër një mëkat edhe ajo e ka. U gjet blerja e dy deputetëve siç u tha për të formuluar një akt akuzë diskreditimi në Tiranën e blerjes së shpirtrave dhe frymëve që janë siç thotë dikush i njohur “kufoma të gjalla”. Në Tiranën e vendimeve në holle hotelesh dhe paradhoma ambasadorësh, në Tiranën e gazetarëve që entuziazmohen nga pritje diplomatike dhe teleprojekte antikorrupsion, antikrim etj..

Është e qartë, e pritshme madje që një rezultat i mirë i VV-së në zgjedhjet e datës 25 prillit, nuk do t’i gjejë të papërgatitur cylexhinjtë të cilët janë gati të shpikin edhe rrezikun nga Kosova e Madhe, vetëm e vetëm që skema e pushtetit të mos sfidohet nga asgjë që nuk kalkulohet dot.
Problemi është parimor sepse nuk kemi të bëjmë me një kritikë, por një sulm që ka vetëm një armë: negativizimin dhe përhapjen e dyshimit.

Një dyshim që vjen nga oborri dhe nuk lidhet kund me perceptimin e përgjithshëm që në të vërtetë duhet të okupohet nga të vërtetat e një pushteti që ka të paktën një monopol të provuar më së miri: atë të korruptimit. Të thuajse kujtdo. Dhe kjo është shumë e rrezikshme, edhe pse dëshmon fundin e afërt.

Shpjegim:

*Cylë
1. Vegël muzikore popullore si fyelli, por më e shkurtër dhe me sqep (me pipëz). Cyle dyjare. I bie cyles. Me daulle e me cyle.
2. Feçka e derrit.
3. I bie cyles flas kot, nuk më dëgjon njeri ç’them./Skerdilajd Zaimi/