Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut e cila ngriti vëmendje ndërkombëtare karshi popullit të Kosovës homazhe tek kompleksi përkujtimori bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili tha se nuk do lodhen së kërkuari që kryesit e gjenocidit në Kosovë të vihen para drejtësisë.

Derisa u shpreh se Reçaku është një ngjarje e cila e ngriti botën demokratike në këmbë për t’i dalë në krahë popullit të Kosovës, ai tha se pas masakrës së Reçakut më askush nuk kishte dyshim se cili ishte populli çlirimtar dhe liridashës e cili është shteti që po kryente gjenocid në Kosovë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca deklaroi se meqenëse ata që kryen masakrën e Reçakut ende nuk kanë dalë para drejtësisë, ata nuk do ndalen së kërkuar drejtësi.

“Ata që e kryen masakrën e Reçakut gjatë viteve ‘98-‘99, pra gjatë viteve të luftës në Kosovë ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Ne kurrë nuk do pushojmë, ne kurrë nuk do lodhemi duke kërkuar me ngulm që të gjithë kriminelët e luftës të cilët janë nga shteti i Serbisë dhe kanë qenë pjesë e forcave ushtarake e paramilitare, të rregullta dhe të parregullta të Serbisë të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të jap llogari për krimet e kryera në Kosovë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit deklaroi se nuk është aspak shpresëdhënëse në raport me shtetin e Serbisë mënyra se si po e mohojnë gjenocidin që shteti serb e ka kryer në Reçak dhe Kosovë.

Ai tha se si mund të pjesë e Bashkimit Evropian një shtet i cili mohon ata që nuk mund të mohohet si masakra e Reçakut.

“Ajo çka nuk është aspak shpresëdhënëse në raport me Serbinë ka të bëjë me faktin që zyrtarët më të lartë të shtetit serb jo vetëm që nuk po kërkojnë falje për gjenocidin e shkaktuar në Kosovë, jo vetëm që në Serbi nuk ka pendesë për atë që ka ndodhur dhe atë që ata vetë e kanë shkaktuar, por për më keq se kaq vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq para disa jave ishte ai i cili në mënyrë monstruoze e mohoi pikërisht këtë masakër. Si mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian si mund të aspirojë që të bashkohet me familjen demokratike evropiane një shtet i cili e mohon atë të cilën nuk mund të mohohet masakrën e Reçakut, martirët dhe të gjithë të rënët”, u shpreh Konjufca.

Konjufca në homazhe në kompleksin memorial në Reçak ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci.

Gjatë ditës së sotme krerët e vendit, deputetë, ministra, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, familjarë e qytetarë të shumtë nderuan viktimat e Reçakut të cilët u masakruan para 21 vitesh.