Nuhi Berisha në kujtimet e mija

Daut Dauti

Gjëja e parë që më bie ndërmend për Nuhi Berishën është pedantëria, sjellja dhe kujdesi i tij ndaj tjerëve. Njerëzit e dëgjonin kur fliste. Ka qenë i pjekur para kohe.

Duhet të ketë qenë fundi i majit apo fillimi i qershorit të vitit 1981 kur papritmas u takuam rrëzë dritareve të vetëshërbimit dhe disa metra larg nga vendi ku sot ai e ka shtatoren. Nuk ishim parë me muaj e ndoshta një vit. Pasi që e filluam bisedën u ndalën që të na përshëndetin edhe dy apo tre veta që sot nuk më kujtohen se kush kanë qenë. Por, Nuhiu, i urtë dhe i qetë si gjithmonë, e ndërroi mënyrën e interpretimit të ngjarjeve dhe kjo mua më befasoi. Kur filluan të ndaleshin edhe disa tjerë, ai u përshëndet dhe u largua.

Ky ka qenë takimi im i fundit me Nuhi Berishën. Edhe pse nuk u pamë kurrë më, unë do ta kujtoja shpesh. Kemi qenë tri vite bashk në një klasë në gjimnaz. Shoqëroheshim më shumë për arsyen se unë, ai dhe një tjetër ishim nxënësit më të mirë në klasë. Që të dy shkuam në fakultet juridik. Ditën kur u regjistruam, u takuam në skriptoren e fakultetit ku i blenim indexat dhe materialet tjera. Ai ma mori indeksin nga dora dhe me shpoti me tha:’Ama mu se ti nuk e ki shkrimin e mirë’. E mori indeksin dhe aty, me shkronja të mëdha shtypi, e shënoi emrin tim dhe të dhënat tjera që kërkoheshin. Vërtetë shkrimi i tij ka qenë i bukur dhe unë këtë do ta ruaja si kujtim me vlerë.

Në fakultet kemi qenë në dy grupe të ndryshme dhe kjo ishte arsyeja që nuk shiheshim shpesh. Por, nga takimi i pranverës së vitit 1981, sa ishim në vit të dytë të studimeve, nuk u pamë kurrë më. Më vonë nga shtypi i pushtetit do të dëgjoja gjëra të çuditshme për të. Vrasja e tij ka qenë arsyeja që unë i kam bërë një rikapitulim jetës së tij gjatë shkollës së mesme dhe studimeve. Copat e kujtimeve flisinin për një ndërtim të një rrjeti që ia kishte krijuar pusheti represiv për ta vënë në kurth ose për ta vëzhguar. Kjo duhet të jetë arsyeja që ai ka bërë jetë shumë të kujdesshme për shkak se i ka dijtur gjërat që ne tjerët do t’i mësonim më vonë.

(Pjesë nga ‘Kujtimet e Mija’, në kompletim e sipër)