Më ndjek nga dita sa herë vete në shtëpi:
– Nëm një lek, zotni!
Është një djalë i vogël, shtatëvjeçar, i zi pisë nga fytyra, i thatë, i shkurtër, pa rroba, pa këpucë; si rron, as unë nuk e di. Sytë e tij janë pasqyrë e egër, e gjallë dhe e tmerrshme e fukarallëkut. Vuan nga uria, vuan nga të ftohtët, vuan nga çdo gjë. Por i ka mbetur aq fuqi, sa të thotë:
– Nëm pak bukë!

Të mendohesh thellë, më e mira që mund t’i bësh, është ta helmosh. Se helmi është ilaçi i fukarallëkut.
E di që feja dhe ligji më helmojnë mua, po të bëj një vepër të tillë. Se njeriu s’ka të drejtë t’ia marrë jetën njeriut. Po a ka vallë njeriu të drejtë t’ia shtojë vuajtjet tjetrit? Se lypësi me lekun tim s’bën tjetër veçse shton ymrin, domethënë jetën, domethënë fukarallëkun. Mëshira private nuk e zgjidh kurrë problemin shoqëror.
Po le të kthehemi te historia e lypësit. Ditë për ditë më kërkonte diçka… Se ditë për ditë kishte nevojë barku i tij. Herë i jepja, herë jo.

Një ditë nuk e pashë të më dalë rrugës! Dy ditë, tri, katër. Thashë me vete: – Ç’u bë vallë? Dhe shkoi një muaj, shkuan dy, po lypësin s’e pashë më!
Më erdhi keq, doja të dija ç’u bë; se fytyra e tij ishte simpatike, me gjithë shëmtimin tmerrues, ku pasqyrohej uria dhe vdekja e ngadaltë. Jo, s’e pashë më! dhe m’u bë si ide fikse! – doja të dija ç’u bë.
Dhe u enda andej-këtej. Në çdo cep takoja nga një lypës të vogël, si ai (të gjithë lypësit ngjasin, se ngjyra e urisë nuk ndryshon), por s’ishte ai.
Shkuan qysh atëherë katër muaj.
Fillova ta harroja lypësin tim.
Sonte befas m’u kujtua. E ku ta dish! Ndoshta ka vdekur…
Gazeta s’mund ta përmendë emrin e tij. Vdiq ndoshta… ndoshta rron i sëmurë. Nuk e di. E ku ta marrësh vesh sa korr përditë drapri hyjnor! /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”