Nga: Nasho Jorgaqi

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore. Në historinë e kulturës sonë kombëtare, Fan Noli u takon atyre rasteve tepër të rralla.

Konkretisht të kohës së tij, që në të katër stinët e jetës mbeti deri në fund nxënës. Nxënës në fëmini e në djalëri, në rini, në moshën e pjekurisë dhe në vitet e pleqërisë.

Një nxënës krejt i veçantë, me një profil të dallueshëm nga të tjerët. Me një mençuri natyrale dhe me një etje të pashuar për dituri, gjithë vullnet dhe ambicie.

Ngaherë i palodhur dhe i pakënaqur, në kërkim të më së mirës, i prirur drejt së vërtetës dhe së drejtës.

Këto tipare të staturës, Theofan Mavromati djalosh, do të nisë t’i manifestojë fillimisht në gjimnazin grek të Adrianopojës, ku emri i tij ka mbetur në analet e shkollës dhe kujtimet e bashkëkohësve, si një nga nxënësit e shkëlqyer.

Më pas, për mbi dhjetë vjet, ai do të kryente shkollën e jetës pa u shkëputur nga prirjet e brendshme nga librat, arti, gjuhët, dijet.

Deri sa një ditë, kur ishte emigrant në SHBA, do të trokiste në dyert e Universitetit.

Në moshën 30-vjeçare, pasi ishte dorëzuar prift, mbaron studimet në Harvard dhe merr diplomën “Bachelor of Arts”.

Jeta e tij vijon më tej në shërbim të kauzës shqiptare dhe kulturës kombëtare.

Ai ishte i ngarkuar me detyra historike sa në mërgim dhe në Shqipëri, duke bërë emër të nderuar si gazetar, historian, poet e veçanërisht si shqipërues.

Bota shqiptare, ndërkaq, do ta njihte si kalorës të lirisë e të demokracisë, por prapë ai e ndjente veten nxënës.

Në moshën 55-vjeçare mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit.

Ai u diplomua për kompozicion me një varg veprash simfonike që i mungonin muzikës shqiptare.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më pas, 1938, merr dhe një diplomë tjetër për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit.

Diplomohet për veprën monografike “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i qe kthyer politikës aktive, sepse ishte vënë në rrezik fati i Shqipërisë, Fan Noli kish mbetur përsëri nxënës, duke mos u ndarë nga studimet.

Kësaj here ai u kish hyrë studimeve të shkallës më të lartë, për të marrë një gradë shkencore.

Ekziston një dokumentacion i tërë, që i paraprin mbrojtjes së doktoraturës.

Ai jep një varg provimesh pasuniversitare nga fusha të ndryshme të historisë, të arteve, të psikologjisë e deri të fizikës, provime me shkrim që ruhen akoma në arkivin e tij.
Krahas kësaj pune të madhe nxënëse angazhuar për vite të tëra, është përgatitja e disertacionit, vepra shkencore që do të paraqiste.

E pra, ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar do të përjetonte si emocionet e nxënësit-student, ashtu edhe logjikën racionale të studiuesit.

Më në fund, pas afro shtatë vjet përpjekjesh të mundimshme intelektuale dhe fizike, në vitin 1945, në moshën 63-vjeçare, Fan Noli do të mbronte me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Komisioni shkencor, përbërë nga personalitete të fushës, do ta vlerësonte duke i dhënë gradën shkencore të doktorit në Filozofi.
Prej kësaj kohe, ai do të prezantohej në botën shkencore-kulturore Ph.D. Fan S. Noli.

Me këtë gradë të lartë shkencore do të dukej sikur savanti ynë i kish mbyllur përfundimisht mësimet universitare.
Dhe vërtet, për afro dy dekada, ai shkruan e boton. Veçanërisht në gjuhën angleze, një korpus të tërë veprash teologjike-kishtare prej mijëra faqesh.

Vendin kryesor e zë pa dyshim përkthimi i Dhiatës së Re (1961), botimi i së cilës u vlerësua nga shtypi i specializuar dhe nga qarqet akademike.

Kjo mirëpritje e shtyn Nolin të mendojë për një përkthim të mundshëm të Dhiatës së Vjetër.
Dëshira ishte aq e madhe, përjetimi i botës biblike ishte aq i thellë, sa ai harron vitet që ka mbi supe, hallet e shëndetit.

Për më tepër vështirësitë e jashtëzakonshme që paraqiste një ndërmarrje e tillë gjigande.

Ishte fjala për një vepër tepër voluminoze (prej 46 librash), e shkruar hebraisht, aramaisht dhe greqisht, me një lëndë komplekse e të thellë, me shtresime qytetërimesh, ku gërshetohej teologjia dhe filozofia, historia dhe letërsia.

Me sa dihet, Noli e kuptoi sa pa qenë vonë dhe u tërhoq nga ky projekt, por nuk u dorëzua.

Vendosi të përkthejë një nga librat kryesore të Dhiatës së Vjetër dhe pikërisht “Psalmet”, që njihet e çmohet lart për thellësinë e brendisë dhe gjuhën metaforike.
Ç’është e vërteta, psalmet biblike Noli i njihte mirë ngaqë gjatë shërbimit kishtar shumëvjeçar kish pas të bënte me to.

Pra, qe familjarizuar dhe pjesërisht i kish përvetësuar e kthyer në pjesë të kulturës së tij teologjike.

Por a mjaftonte vetëm kjo shkallë njohjeje për t’i hyrë “përkthimit kockë-fortë”, siç e cilësonte ai?
S’ka dyshim se për një njeri me staturë të lartë intelektuale, me formim të thellë dhe serioz, me kërkesat dhe përvojën e tij të pasur përkthimi i Psalmeve kërkonte përgatitje paraprake, një njohje të mëtejshme të veprës, sidomos gjuhësisht.

Noli vërtet njihte greqishten e vjetër, njihte disi hebraishten, por jo aramaishten, një gjuhë në zhdukje e sipër. Kjo gjuhë flitej në trevat e lashta Asiro-Babilonase dhe ishte bërë pjesë e Dhiatës së vjetër.

Studimi autodidakt i hebraishtes dhe aramaishtes ishte i pamjaftueshëm, ndaj pa humbur kohë vendosi të regjistrohej në Fakultetin e Gjuhëve të Lashta të Lindjes të Harvardit.
Ishte viti 1963, kur ai sapo kish mbushur 81 vjeç.

Natyrisht, regjistrimi do të ndiqte një procedurë, së cilës iu nënshtrua dhe studenti plak.

Dokumentacionin zyrtar, pas kërkimesh, arritëm ta zbulojmë dhe ta sigurojmë me ndihmën e At Artur Liolinit në arkivin e Fan Nolit, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston.
Është fjala për miratimin që i bën kërkesës së Fan Nolit për të ndjekur Shkollën e lartë teologjike të Harvardit dekani i saj, prof. dr. c. Conrad Wright.

Ai, pasi është konsultuar me Departamentin e Dhiatës së Vjetër, i ofron me kënaqësi të veçantë të ndjekë dy klasa menjëherë, hebraisht dhe aramaisht.
Dhe këtë e bën dhe “si mirënjohje për punët dhe përkthimet akademike që ka kryer në fushën fetare.

Ndërkaq, shton se “Bishop Fan S. Noli figuron edhe në listën si “Visiting Scholar” të shkollës së tyre, pra si studiues i jashtëm.

E gjithë kjo praktikë zyrtare është zhvilluar plot 50 vjet më parë. Pas kësaj, Noli u ul rishtazi në auditorët e Harvardit dhe ndoqi leksionet.
Do të qëllonte që bashkatdhetarët ta shihnin Nolin mëngjeseve me libra kur drejtohej për në Kembrixh.

Bill Gunari, një vatran i vjetër, që e njoha në Boston në vitet ‘90, do të më tregonte.

“E pashë një ditë Hirësinë e Tij tek qëndronte në trotuar para Kishës së Shën Gjergjit dhe unë po kaloja me makinë.

Qëndrova, e përshëndeta dhe dallova që mbante në duar metodën “Biblical Aramaic”.

Hirësi, e pyeta, mos doni të shkoni gjëkundi? Po, m’u përgjigj, më ço deri në shkollë. Në shkollë?! U habita unë.

Ju tani mësoni të tjerët. Ai qeshi dhe më tregoi se ndiqte një fakultet tjetër.

Më tha se të diturit s’ka fund dhe se ai, ashtu si Sokrati, plakej duke mësuar.

Kur e hipa në makinë, gjatë rrugës, në bisedë e sipër, mora vesh se studionte dhe mësonte gjuhën aramaike dhe përsëri i çuditur e pyeta: Ç’ju duhet kjo gjuhë tani, Hirësi?

Si ç’më duhet?. Ma priti, po unë së shpejti do të shkoj te Perëndia dhe dua t’i flas me gjuhën e tij.
Në fakt, Noli nuk i tregoi mikut se ç’do të bënte duke mësuar gjuhët biblike.

Por të gjithë ata që e njihnin nga afër, e dinin se ai studionte dhe punonte pareshtur. Kështu, krahas ndjekjes së fakultetit të ri, ai përkthente psalmet.

Një punë e madhe dhe e vështirë, që ai e kryente me pasion dhe përkushtim. Aq i tërhequr ish pas kësaj pune fisnike, sa atë vit nuk shkoi për pushime si zakonisht në Florida.
I kredhur i tëri në botën biblike, poeti dhe eruditi ynë i madh do të përkthente në anglisht “Psalmet”, duke u bërë jehonë në vargje disa të vërtetave universale dhe të përjetshme. Për këto vargje kishte medituar një jetë të tërë.

Libri “The psalms” doli në dritë në verën e vitit 1964, me emrin Mitropolit Fan S. Noli PhD., me kushtimin “Kujtimit të dr. Norbert Joklit, profesor i Universitetit të Vjenës, autoritet në studimet e filologjisë shqiptare, mik i ngushtë dhe shkencëtar i madh, që më inkurajoi në përkthimet e mia nga letërsia botërore.

Me mirënjohje dhe admirim”.
Ky ishte libri i fundit i Nolit, beteja e fundit e këtij titani të botës shqiptare, që, sa qe gjallë, u ndje ngaherë nxënës.