SHBA po i kërkon Serbisë mbylljen e një marrëveshjeje paqeje me Kosovën, e cila në planet e Uashningtonit duhet të përfundojë me një njohje të ndërsjellë mes dy shteteve. Kjo u pa edhe nga mesazhi që Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken i dërgoi presidentit serb Aleksandar Vuçiç me rastin e ditës kombëtare të Serbisë. Në fakt, Blinken nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përforcuar sinjalin që dha presidenti Xho Bajden, i cili kërkoi që ky shtet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në deklaratën e Blinken mes tjerash thuhet “inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen reciproke”. “Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohje reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka thënë Blinken. Blinken më tej ka shtuar se SHBA-të presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale.

Ditë më parë edhe presidenti amerikan Xho Bajden përmes një letre dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i kishte kërkuar këtij të fundit normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohej edhe në njohjen reciproke. “Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, kishte shkruar Biden në letrën e tij.

Ju pëlqen!

Por ky presioni pozitiv i amerikanëve mbi Beogradin duket se nuk është në të njëjtën gjatësi vale edhe me BE-në e cila ndërmjetëson zyrtarisht dialogun mes dy vendeve. Por të lexohet mesazhi i presidentit francez Makron, vendi i të cilit ka në këtë gjysëm të parë të vitit edhe presidencën e BE-së, ai nuk e përmend specifikisht njohjen e ndërsjelltë që është edhe pika më e vështirë për t’u kapërdirë nga politika serbe. Një një letër që i ka dërguar Vuçiçit për të njëjtën ngjarje, pra festën kombëtare të Serbisë, kreu francez i shtetit inkurajon arritjen e një marrëveshjeje finale por nuk e përmend “njohjen reciproke”.

“Gjithashtu do të vazhdoj të mbështes dialogun me Prishtinën me ndërmjetësimin evropian, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Shpreh dëshirën që sukseset në këtë kuptim të ndodhin në muajt e ardhshëm”, thuhet në letrën e Macron dërguar presidentit të Serbisë.

Deri disa vite më parë njohja e pavarësisë së Kosovës, e shpallur në vitin 2008 dhe e pranuar nga vendet kryesore perendimore, ishte si kusht i panegociueshëm për pranimin e Sertbisë në BE. Tani ky koncept detyrues është harruar, madje europianët, ndryshe nga SHBA, as nuk preferojnë më ta përmendin këtë koncept.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!