Një të ri viktimë të bulizmit mund ta shikosh të veçuar nga të tjerët, me një fytyrë të përhumbur diku larg nga bisedat që po bëhen përreth, të mbyllur në vete dhe shpesh herë duke qarë. Termi “bulizëm” është futur në përdorim vitet e fundit për të treguar një formë të dhunës psikologjike, ose të diskriminimit kryesisht mbi të rinjtë nga vetë të rinjtë përreth tyre. Mendohet se fjala bulizëm ka nisur filliimisht të përdoret në një film amerikan të titulluar “Cyberbully”, ku aktorja kryesore tentoi të vetëvritej duke marrë ilaçe me shumicë, për shkak se miqtë e saj filluan të talleshin me të në rrjetet sociale.

Ndërkohë që shkolla duhet të jetë vendi ku mund të mësosh gjëra të reja, ku mund të bësh miq të rinj, apo ku mund të kalosh disa orë të këndshme me ta, kthehet në vendin më stresues për një adoleshent. Ju mund të pyesni se pse ndalemi në këtë temë vetëm tek të rinjtë, kur edhe fëmijët e vegjël hasin në probleme të tilla. Në fakt, temat e konsideruara “moderne”, domethënë të shoqërisë së teknologjisë, ndikojnë më së shumti tek adoleshentët, sepse në adoleshencë krijohen bazat e një personaliteti që i shoqëron njerëzit përgjatë gjithë jetës.

Bulizmi është një term i ri, por fatkeqësisht jo një fenomen i ri për shoqërinë tonë, sepse ngjarje të tilla diskriminimi për mënyrën e të veshurit, sjelljen, origjinën apo karakterin e të rinjve kanë ekzistuar edhe më parë. Ai na prek të gjithëve, jo vetëm të riun që e përjeton, apo atë që e thotë ofendimin. Është problem serioz dhe nuk duhet anashkaluar për asnjë motiv.

Psikologët thonë se personat që vuajnë prej bulizmit, por edhe ata që e përdorin bulizmin për t’i bërë të tjerët të ndihen keq, vuajnë nga nivele të larta ankthi dhe depresioni, si dhe kanë një vetëvlerësim shumë të ulët. Por të vendosur në një peshore, pasojat më madhore shihen tek ata që bien pre e bulizmit, për të cilët nëse ky problem vazhdon dhe nuk gjen një zgjidhje, rriten mundësitë për vetëvrasje. Nuk është aspak për t’u çuditur, përderisa edhe në vendin tonë kemi pasur raste me pasoja të tilla fatale.

Shqiptarëve i duket më me vend të reagojnë mbi fituesin e presidencës në Amerikë, se sa mbi problemet madhore në të cilat po kalon shoqëria jonë. Bëhet fjalë për rininë, për të ardhmen e këtij vendi, e cila po kalon në probleme vërtet të mëdha.

Na vjen për të qeshur kur kujtojmë thënien e Ollgës “Shitën gomarët dhe blenë biçikletat”, teksa shikojmë se në ditët e sotme fokusi i rinisë nuk janë biçikletat, por smartphonët dhe tabletat më të shtrenjtë. Por çfarë ndodh realisht në rrjetet sociale që na kanë mbërthyer të gjithëve, duke na larguar nga bota reale? Adoleshentët shpesh herë nuk e tregojnë nga frika se prindërit mund t’ia ndalojnë përdorimin e rrjeteve të tilla, por pak a shumë ne të gjithë e dime se si funksionojnë ato. Përtej fasadës me postimet apo fotot e bukura të miqve tanë, aty gjen edhe plot ofendime online, të cilat të rinjtë ia drejtojnë “miqve” të tyre të klasës, të kursit apo të lagjes.

Për një të ri të gjendur në një situatë të tillë, bulizmi është diçka shumë e madhe për t’u përballuar. Ata vihen në dilemë nëse duhet t’i përgjigjen bulizmit me bulizëm, apo duhet t’i lënë gjërat të vazhdojnë ashtu, sepse një ditë këto probleme do të përfundojnë. Zgjedhja për t’ia treguar gjithçka prindërve apo mësuesve të tyre, mbetet gjithmonë e fundit, sepse u duket shumë fëmijërore për të mos i bërë ballë vetë problemeve të tilla. Por nuk duhet të vazhdojë më kështu. Është shumë e vështirë ta dallosh një të ri që po kalon në probleme të tilla, nëse ata nuk hapen dhe të tregojnë çfarë po u ndodh.

Prindër, flisni me fëmijët tuaj. Bëjini ata t’ju tregojnë çdo problem, sepse kjo është detyra juaj si prindër.Dhe ju, mësues, mësojini ata ta duan tjetrin ashtu siç është, pa e pasur asnjëherë tendencën për ta lënduar mbi gjëra që nuk kanë vlerë.

Duke shpresuar se gjërat do të ndryshojnë, dua ta mbyll këtë shkrim me një thënie shumë të bukur të Dan Pearce “Njerëzit që e duan veten e tyre, nuk i lëndojnë njerëzit e tjerë. Sa më shumë ta urrejmë veten tonë, aq më shumë do të duam t’i shohim edhe të tjerët të vuajnë”.