Edi e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë. Një lider i vërtetë nuk dallon vetëm për nga jehona e politikave të tij, por edhe nga vullneti për të bërë kalime në regjistra dhe mos humbur durimin. Këtu, ta pranojmë, z. Rama ia kalon të gjithë bagëtive politike të PS-së.

P.sh pas opinionit për Komunitetin e ri Europian, intervistës në Itali, takimit me Erdogan, Edi e di se duhet të gjejë mënyrën të takojë atë gruan që doli e tha sot se do donte t’i jepnin një snajper e të vrasë kryeministrin. Sigurisht që ne na duhet të besojmë se z. Rama e do kaq Shqipërinë që e ka pasuruar(me fat të bardhë) sa të kuptojë se kjo e fundit, pra Shqipëria, nuk e meriton eleminimin e tij fizik. Do të ishte një kokëçarje pa kuptim. Ndaj, nën këtë analizë të ftohtë ai do ta takojë “nënën”, do ta shohë në sy e patjetër që ajo do të pendohet. Kështu një vrasje nën hidhërim dhe një mallkim do të kondensohen në like pa fund. Në foto dite, në entuziazëm për shefin që “është mjeshtër i propagandës”.

Nga ana tjetër, thellë në vetvete, njeriu e kupton se kur për të kanë nisur të mendojnë vdekjen, t’ia urojnë atë, nuk është gjë e mirë. Sado iracionale, sado manipulim, ky mllef kumton një gjë të keqe, reflekton një mërzi, një trishtim, një dorëzim. Më keq, një ndarje që duket e pakapërcyeshme. Kjo nuk është Shqipëria e krijuar vetëm nga z. Rama. Ajo është thepisur edhe më tej me të, me tektonikën e një pabarazie që vështirë se është njohur ndonjëherë, e cila nuk po luftohet, por është pranuar si i vetmi fat për këtë vend. Njerëzit ikin, flasin me vete, punojnë duke menduar për gjetiu, në në pakuptimësi që është në fakt lënda e parë e Shqipërisë.

Ju pëlqen!

Në këtë tel luan i sigurtë një arrogant, që e ka këtë të fundit cilësi jo thjesht të karakterit, por të një besimi miop se vetëm ai mund të bëjë diçka për këtë vend. Është besimi që i mbetet dikujt në shkretëtirë, aty ku hije ka vetëm një.

Vrasja me snajper nuk ka gjasë të ndodhë. Nga ana logjistike do ca punë. Do gjetur arma, do stërvitur nëna, e kështu me radhë. Por ideja e vrasjes është dëshpërimi i një shoqërie të ndarë në konsensusin për ta përçmuar njëra-tjetrën. Kemi një kandar që kalon përherë në një krah, sepse socialistët janë tubuar, madje salduar rreth vetes në mënyrë cerebrale, për interesin e tyre, që prevalon mbi çdo gjë tjetër. Ne e shohim, dëshmojmë këtë të gjithë. Është një tubim, një solidaritet racional, aspak emocional, lidhur strikt me pushtetin dhe vetëm pushtetin. Është një lloj mobilizimi që gjen shpjegim, apo si të thuash përshkrim, te sarkazma e politikanit të dikurshëm rumun, Constantin Argetioanu që e paratha moralin e komunizmit rumun në pushtet me apelin origjinal:

Ndyrësira të të gjithë Rumanisë, bashkohuni!

Fjala nuk i vret këta. Për sa kohë ajo nuk ua cenon komoditetin. Në një pikëpamje, socialistët e tipit shqiptar nanë qenie atomike, apolitike, janë me vetëzgjedhje turmë me instinkt që kokën e kanë deleguar në mirëbesim tek një udhëheqje. Dhe si koloni e suksesshme bëhen bashkë për të ndrequr problemet kur ato dalin. Mekanizëm i thjeshtë dhe efektiv që ka bërë të vetin në mënyrë unike parimin: vetëm Një duhet të mendojë, të tjerët të binden.

Si mund të dialogohet me një kategori të tillë? Vetëm nën presion, nën frikë, apo nën interes. Loja e demokracisë është e pamundur me këta. Është një grupim që e di mirë atë mësimin se kush cenon unitetin “pështyma fytyrës, grushta surratit dhe plumba kokës”.

Nëse këtë formula do ta aplikojmë në garë me ta, plumbi është Vota. Por vota kërkon edhe të mendosh, nuk është një akt automatik si p.sh firma e presidentit mbi dekrete. Qorrazi, pa menduar. Pse fundja, për takëmin e z. Rama vota mundet të jetë edhe një akt noterial i dikujt që s’ka çfarë të mendojë. E pra, vota këtu nuk bën më punë.

Mbetet pështyma. Mbeten grushtet. Këto nuk i bën dot as Saliu dhe as Iliri. Mbetet Shpresa se biologjia do të bëjë të vetën dhe shpresa e ikjes sigurisht. Një ikje që konfirmon se shqoëria shqiptare ka dështuar dhe e pranon dështimin e saj. Ka dështuar nën këtë narrativë që e gëlltiti pa menduar dhe naivisht. Ne kemi që më 1944 që në fakt mësojmë si tonën një Shqipëri që është asgjë më shumë se masturbimi i një elite të vetme, e cila është padyshim më e afta për ta kontrolluar këtë vend deri më tani, edhe pse atuja e saj kryesore është: KRIMI./Skerdilajd Zaimi/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!