Këtë verë vendosa të lexoj disa botime të rëndësishme, sipas meje, për të parë me kujdes se cilat janë disa nga sfidat në aspektin politiko – institucional që na shfaqen në aspektin kombëtar dhe shtetar.

Ndër titujt që kam lexuar me vëmendje janë:

1. “Ndërtimi i shtetit” – Francis Fukuyama
2. “Rendi politik dhe shthurja politike” – Francis Fukuyama
3. “Pse dështojnë kombet” – Daron Acemoglu dhe James A. Robinson
4. “Si ndryshojnë shoqëritë” – Daniel Chirot
5. “Gjeopolitika e Mesdheut” – Yves Lacoste

Ju pëlqen!

Kam kuptuar se shqiptarët janë përpara një nyjeje kritike në historinë e tyre, teksa dinamikat politiko – institucionale, në të dyja shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë, janë të ndryshme. Po ashtu, edhe në Maqedoni paraqiten sfida të tjera për shqiptarët dhe maqedonët për ndërtimin e një shteti funksional gjithëpërfshirës politikisht dhe ekonomikisht.

Mund të themi se:

– Tirana ka përvojën institucionale një shekullore dhe centralizmin e fort politik për të qenë ende, për dekada, bërthama e rëndësishme e idesë kombëtare dhe rrezatuesja e zhvillimeve të rëndësishme politike – në NATO, sovrane, ka çelur negociatat dhe është partnere e rëndësishme e amerikanëve në Ballkan.

– Shqipëria po i jep fund tranzicionit politik me elitën e kohës së diktaturës, një nga më kriminalet, por struktura ekonomike e krijuar nga ajo elitë politike mban peng çlirimin e energjive për të ndërtuar një shtet më demokratik dhe gjithëpërfshirës. Po mësojmë duke i rënë murit me kokë.

Shtytja për të ndryshuar vjen vetëm nga amerikanët dhe ka pak gjasa të ndodhë shpejt, sepse nuk ka aktorë të fortë në terren që të kërkojnë ndryshime thelbësore në rendin ekonomik dhe politik.

– Reforma në Drejtësi në Shqipëri është një instrument efikas për të ndërtuar një drejtësi tranzicionale të rëndësishme, por mjetet me të cilat ajo po goditet janë shumë më të fuqishëm se struktura e brishtë e Reformës.

Sa i përket Kosovës:

– Kosova nuk e ka nën kontroll territorin e saj dhe kjo është një sfidë e fortë për rendin politik dhe sigurinë e shtetit të ri shqiptar. Një konflikt etnik mes dy fshatrave kufitarë, me amplifikimet propagandistike nga të dyja anët, shumë thjesht shkon drejt luftës së armatosur.

– Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje ka ngjallur shpresë se mund të ketë ndryshime në rendin ekonomik dhe politik. Deri më tani qeveria Kurti ka nota pozitive në politikën e brendshme dhe atë të jashtme. Ngjan se Kosova ka shanse për ndërtimin e një strukture institucionale anti-korrupsion që godet elitën ekonomike që ka uzurpuar edhe pushtetin politik. Duhet mbajtur në mendje se demokracia më të vërtetë është si lulja që ka nevojë për përkujdesje si dhe për një “lider të ndritur”, POR janë institucionet ato që e kontrollojnë një “lider të ndritur” të mos dal nga binarët.

Qeveria Kurti ka sfidë të dyfishtë për sa i takon rendit politik dhe sigurisë – në një anë kontrollin e territorit që të mos ketë “luftë”, e në krahun tjetër beteja me elitën biznesore – politike, që mund ta çojë vendin në krizë të fortë, ngjashëm me vitin ’97 në Shqipëri. Duhet pasur parasysh se elitat nuk heqin dorë vullnetarisht nga përfitimet. Ngjashëm në Shqipëri ku kemi oligopole të fuqishme që janë të gatshëm ta çojnë vendin në luftë civile vetëm e vetëm mos të heqin dorë nga përfitimet.
Ndërkombëtarët, ndërkaq, që flitet ndonjëherë me superlativa, janë të përkohshëm në Kosovë, sepse aty do banojnë shqiptarët e serbët siç janë sot.

– Statusi i shtetit multietnik në Kosovë, me gjasë, do të prodhojë probleme të rënda politiko – institucionale në të ardhmen. Është në përgjegjësinë e elitës politike dhe kulturore se si do të ndërtojë një shtet gjithëpërfshirës, përndryshe krizat do të jenë të njëpasnjëshme dhe të forta. Asosacioni është një ndër to dhe është veç fillimi.

Sa i përket Maqedonisë:

– Shqiptarët e Maqedonisë janë “thembra e Akilit” për çështjen shqiptare në Ballkan. Vetë ekzistenca e shtetit maqedonas është projekt gjeopoltik evropian për të krijuar një balancë mes etnive në Ballkan, apo siç quhet ndryshe “shtet tampon”.

– Universiteti i Tetovës, që do të duhej të ishte epiqendra e shqiptarëve për të ndërtuar ardhmërinë e tyre intelektuale në Maqedoni, ka dështuar me sukses duke u bërë simbol i aferave nepotike dhe shitjes së diplomave.

– Avancimi me marrëveshjen e Ohrit duket se ka rënë squk. Shkak është edhe ndikimi i fort turk në etninë shqiptare në Maqedoni. Ky ndikim rikthehet në formë kolonizimi, jo bashkëpunimi miqësor. Në vend se të marrim idetë evropiane të iluminizmit, shumë pjesëtarë të elitës shqiptare kanë përqafuar tezat boshnjake për identitetin kulturor ballkanik. Kjo sjellje përqafohet paksa në Tiranë dhe Prishtinë gjithashtu.

Si përfundim, ka shpresë të madhe se diçka mund të ndryshojë për mirë. Shqipëria, për shkak të emigracionit masiv në këto 30 vjet, ka në Diasporë një nga elitat më të përgatitura që kemi pasur ndonjëherë në historinë e kombit shqiptar. Të njëjtën gjë mund ta themi për Diasporën e krejt shqiptarëve në arealin ballkanik.
Mund të themi me plot gojë se kjo elitë është shumë më e fuqishme, intelektualisht dhe financiarisht, edhe se ajo e Rilindjes Kombëtare. Diaspora është një minierë ari për të çuar përpara procese demokratizuese dhe politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Ka me mijëra biznesmenë të suksesshëm, mijëra intelektualë, pedagogë në univeristetet më prestigjoze dhe shkencëtarë të pothuajse çdo fushe. Kjo elitë ngjason me atë të viteve ’20 apo ’30 të shekullit të shkuar, ku ishin të shkëputur nga ndikimi osman si varësi politike, të mirëshkolluar, dhe kërkonin me ngulm të ndërtonin një shtet më të mirë për shqiptarët.

Shanset janë të mëdha, por, sigurisht, kjo varet nga terreni vendor – Sa do të jemi në gjendje të ndërtojmë instrumente efikase për t’i bërë ballë sfidave të reja rajonale, kontinentale dhe globale?

– Në rang rajonal për të ndërtuar shtete demokratike me ekonomi funksionale gjithëpërfshirëse, jo të zhytur në mite shovene si fqinjët.

– Në rang kontinental se si do të ndërtojmë marrëdhënie me aleatët.

– Në rang global se si do të sillemi dhe si do të përgatitemi për përballjen e gjigantëve Amerikë – Kinë për një rend të ri botëror.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.