Arbër Zaimi

Diku në kapërcim të shekujve, 120 e sa vite më parë, në Francë ndodhi një skandal që polarizoi shoqërinë: çështja Dreyfus.

Ju pëlqen!

Shkurt: u akuzua për tradhti një oficer i ushtrisë, iu hoqën gradat e u degdis në burg në një ishull në anën tjetër të botës. Sipas një letërkëmbimi të kapur nga kundërzbulimi i ushtrisë, ky Dreyfus-i kishte dërguar informacion te gjermanët, rivalët e mëdhenj. Gjyqi ushtarak e shpalli të fajshëm, por ai nuk e pranoi fajin e këmbënguli se ishte i pafajshëm.

Një pjesë e mediave të kohës, anti-republikanët, ultrakatolikët e konservatorët e sulmuan menjëherë Dreyfus-in, duke nxitur publikun e gjerë kundër tij. E bënë çështje të madhe se ishte jahudi, e Franca asokohe llogaritet të ketë qenë vendi evropian me përhapjen më të gjerë të antisemitizmit. Antisemitizmi i moçëm i shihte jahudinjtë si armiq të kishës, si njerëz pa luajalitet kombëtar e si të përfshirë në komplote e konspiracione perverse për të shtënë në kontroll botën (ndër to edhe përralla me rrëmbim fëmijësh për t’u pirë gjakun, nga këto që janë rinovuar sot prej këtyre që shpenzojnë kohën me Qanon e me konspiracione të tjera). Veç kësaj, Dreyfus ishte edhe me origjinë nga Alzasa, e cila asokohe i ishte marrë Francës prej Gjermanisë. Dreyfus-i e fliste frëngjishten me theks gjerman. Dmth. i pambrojtshëm. Gazetarët hulumtuan jetën e tij, zbuluan se kë frekuentonte, se dikur kishte luajtur kumar, se a kishte patur dashnore, dhe ia servirën këto informacione publikut. Dreyfus-i jo vetëm që dukej i marrë fund, por ata që e dënuan e ata që e shanin po merrnin lavdërime e gradime.

Çështja është se ai qe i pafajshëm.

Familja e tij nuk u ndal së kërkuari pafajësinë, por më kot. Por, disa vite më vonë, koloneli Picquart, shefi i kundërzbulimit të ushtrisë, nisi të ngrinte në Shtabin e Përgjithshëm bindjen se Dreyfus-i ishte dënuar gabimisht dhe se fajtor ishte një tjetër. Ushtria organizoi disa gjyqe ushtarake, e gjykuan atë tjetrin dhe e nxorën të pafajshëm, e rigjykuan Dreyfus-in dhe e nxorën prapë të fajshëm. Kolonelin Picquart e kërcënuan të ndalej. Kur ai nuk u ndal, e transferuan larg, në Afrikë e në Azi, me shërbim. Por ai edhe prej andej vazhdoi t’i dërgonte letra presidentit të Republikës për çështjen.

Asokohe edhe shkrimtari Émile Zola, i cili ishte ndër më të famshmit e më të çmuarit e kohës, që paguhej madje edhe më shtrenjtë se Hugo-i, vendosi të angazhohej për çështjen. Ai shkroi një letër të hapur për presidentin, në gazetën republikane e progresiste “L’Aurore”, me titull “J’accuse”, ku akuzonte krerët e ushtrisë e të gjyqësorit për çështjen. Synimi i Zola-së ishte që ata ta hidhnin në gjyq, e aty pastaj ai të publikonte të dhënat për pafajësinë e Dreyfus-it që nuk po i publikonte dot askush. Ashtu ndodhi. Zola-në e hodhën në gjyq, por gjyqi shkoi keq. E dënuan me gjobë, e zhveshën prej “Legjionit të Nderit”, i ndërprenë kontratat. Madje i nisën dhe një gjyq tjetër, gjatë të cilit ai u arratis për në Angli, se kuptoi që do e dënonin me burg.

Mirëpo tashmë çështja ishte bërë publike, dhe gati gjysma e popullsisë, republikanët e progresistët, mbështesnin Dreyfus-in. Gjykata ushtarake i ofroi Dreyfus-it lirim, por jo pafajësi. I sëmurë prej kushteve të këqija në izolim, Dreyfus-i e pranoi lirimin, por nuk e ndali betejën për pafajësi.

Vetëm 12 vite më vonë e mori pafajësinë dhe iu kthyen gradat ushtarake.

Pafajësia e tij do të ishte e pamundur të jepej prej gjykatave, po të mos ishte angazhimi i ushtarakut Picquart dhe i shkrimtarit Zola, të cilët rrezikuan krejt pozitat, ekonominë madje edhe jetën e tyre, për të shpëtuar një njeri që nuk e njihnin, madje një njeri të papëlqyer prej një pjese të madhe të opinionit publik. Pse e bënë këtë? Sepse e vërteta dhe drejtësia janë e njëjta gjë. Sa vlerë ka, të jetosh në një shoqëri të padrejtë e të pavërtetë, qoftë dhe nëse je i pasur e i pushtetshëm.

Thuhet se filozofi Emmanuel Levinas e la Lituaninë dhe u vendos në Francë kur pa se në atë vend së paku gjysma e popullsisë mbështeti drejtësinë pa patur asnjë interes.

A kemi ne, në shoqërinë tonë njerëz të tillë? Rasti Dehari është këtu, Astriti vdiq, por nevoja për drejtësi është ende e gjallë. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë ta mbrojë Astritin, por ne jemi familja e tij. Duhet të angazhohen edhe të tjerë, përtej nesh, zyrtarë të lartë shtetërorë, të policisë e gjyqësisë, që i vret ndërgjegjja për padrejtësinë, intelektualë të pavarur që duan mbi gjithçka të vërtetën, pa interes.

Nëse ne dëshmohemi se nuk e durojmë padrejtësinë mizore, vendet e tjera do të na duan pranë. Nëse e lëmë padrejtësinë të mbretërojë, e themi “rroftë gjarpri që nuk më kafshon”, vendet e tjera do të na mbajnë larg, do të na shohin gjithnjë si të egër, si vjedhës e vrasës të njëri-tjetrit, të paqytetëruar e jomeritorë.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.