Një muzikant i shquar durrsak i shekullit XV në Raguzë dhe Venedik

Nga vargu i gjatë i krijuesve tanë të shekullit XV, veproi në Raguzë gjatë viteve 1484-1495 muzikanti i shquar durrsak Zanetus Augustini de Durachio (Jan August Durrësaku). Yni muzikant në këtë qendër të madhe të kulturës dhe të artit ishte pranuar për trombonist në vitit 1484 (Zanetum Augustini de Durachio trombonos). Rroga e tij mujore kapte lartësinë prej 5 dukate, rrogë kjo që përfitonin vetëm artistë të shkathët (per unum annum proxime futurum cum salairio ducatorum quinque in mense). Sipas një regjistrimi zyrtar në shtëpinë e tij, si pjesë të inventarit shtëpiak, ndër të tjera, u regjistruan edhe një cassa di trombone (instrument muzikor) dhe 6 gota të punuara nga qelqi i Muranos (Venedik), me sipërfaqe të pikturuar, që për atë kohë një inventar i këtillë shtëpiak paraqiste raritet të rrallë. Vlera e tyre artistike dhe materiale ishte shumë e madhe. Gjëra të tilla kishin vetëm pallatet e familjeve bujare. Në vitin 1488, Janin e ndeshim si muzikant në kapelën e princit të Raguzës!

Jahja Dranqolli