Një ministër (i) mangët…

nga:Sebastian Zonja

Homo sacer-i është një figurë që vjen nga “E drejta romake” që përkufizon një person që ka humbur të drejtat e tij civile dhe politike. Po sipas së drejtës romake, ky person mund të vritej dhe ai\ajo që kryente këtë akt të mos cilësohej vrasës.
Në traditën tonë, një figurë e ngjashme është ajo e gjakhupësit në Kanunin e Lek Dukagjinit. Gjakhupësi është ai që ““grihet prej fisi e katundisht”.
I solla në vëmendje këto dy figura të së drejtës për të pasqyruar më saktë domethënien e fjalëve të ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, të enjten, në Kuvend.
“Pjesëmarrja në sistem është e vetmja rrugë për zgjidhje. Ka ardhur koha për të diskutuar ndryshimin e Kushtetutës, ku mes të tjerash të jetë edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë edhe me ekzistencën legale. Kush mendon se politika është vetëm për të përfituar kufizon veten nga frika. PD duhet të rikthehet në Kuvend”, tha Majko.

Saul Friedländer, një studiues franko-hebre, në librin e tij “Nazi Germany and The Jews” { Harper Collins. p. 14} shkruan se: Në vitin 1933, 14 korrik, qeveria naziste kaloi ligjin për shtetësinë dhe denatyralizimin. Pikërisht një ligj i ktillë ishte edhe fillesa e genocidit ndaj hebrenjve, argumenton autori. Duke i hequr shtetësinë, hebrenjtë reshtën së qeni subjekte të së drejtës sipas Kushtetutës gjermane dhe u kthyen në Homo Sacer, nëse do ta përdornim këtë figurë nën arsyetimin e biopolitikës që i bën filozofi Italian, G. Agamben. Jo se duam që të heqim ndonjë paralele me atë që tha ministri Majko me politikat naziste, por për kënaqësi intelektuale po ndjekim mendimin juridik se çdo të thotë “ekzistencë legale”.
Sot ka grupe të ndryshme që janë të privuara nga e drejta për të qënë subjekte të së drejtës të vendit ku janë, kjo si pasojë e mungesës së shtetësisë. Mjaft të themi se këtyre grupeve, si Banyamulenge-të në jug të Zairesë, apo rreth 200 mijë afrikanë nga Mauritania që jetojnë si refugjatë në Senegal etj. edhe pse iu sanksionohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, pasja e nacaionalitetit, sërish kjo temë mbetet e koklavitur. Janë organizmat ndërkombëtarë ato që ndërhyjnë në këto raste.
Ndoshta ministri Majko, duke dashur që të bëjë më të mirën, ka hedhur një tezë që ta përjashtojmë opozitën fare nga jeta politike dhe t’ia lëmë ndërkombëtarëve dhe ligjeve ndërkombëtare të merren me të. Ku i dihet!

Në ditën që ministri Majko, nga foltorja e parlamentit thoshte se “Ka ardhur koha për të diskutuar ndryshimin e Kushtetutës, ku mes të tjerash të jetë edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë edhe me ekzistencën legale.”, ikona e qëndresës shqiptare, Hyrije Kupi, vajza e nacionalistit dhe antikomunistit, Abaz Kupi, ishte në grahamat e fundit të jetës. Uroj të mos e ketë dëgjuar këtë fjali, me të cilën nisi edhe kalvari i saj i vuajtjeve.
Së pari, komunistët i ftuan deputetët të kandidonin për të luajtur pluralizmash, pastaj diktatori i pushkatoi, dhe familjet ua internoi. Shumica prej tyre, armiqve të sistemit dhe Partisë, reshtën së qeni subjekte të së drejtës, sepse Partia vendosi që t’i degdiste nëpër kampe dhe burgje. Aspektet ligjore i dim mirë sepse janë akoma gjallë edhe ata që kryen krimin, edhe ata që vuajtën persekutimin. Studiuesit seriozë të së drejtës kushtetuese ndaj nuk e klasifikojnë si familje të së drejtës, të drejtën Sovjetike, sepse për arsye të revolucionit permanent dhe luftës së klasave, e drejta përthyhej dhe nuk kishte parime të qartë. Një ditë mund të ishe Bolshevik dhe enverist i mirë, të nesërmen, Partia, kishte një nen në kushtetutë që e dinte vetëm ajo, dhe t’i hiqte të drejtat e të degdiste në kamp, a burg.

Uroj që z. Majko të mos e ketë pasur seriozisht, apo t’ia kenë shpjeguar gabim se çdo të thotë të “paguash me ekzistencën ligjore”, sepse përndryshe nuk na ngelet ta pyesim: Po kampet kur do t’i hapni?