Një lajm i jashtëzakonshëm por i trajtuar me lehtësinë e zakonshme, vrasëse, të indiferencës do ta quaja lajmin për bashkimin në një Ligë të basketbollit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Kjo ngjarje është më së paku sportive, ajo është një ngjarje së pari historike, është mishërimi i dëshirës për të qenë një. Një gjuhë, një kombëtare, një ligë, një histori. Për të mos vazhduar më tej.

Avni Ponari dhe Arben Fetahu vunë gurin e parë kilometrik në autostradën e gjatë e të mundimshme të bashkimit. Ata treguan që ambiciet personale mund të tejkalohen kur qëllimi final është shumë i lartë. Nesër, kur ekipi i basketbollit të Mitrovicës të udhëtojë në Gjirokastër, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë apo Elbasan (dhe e anasjellta kur Korça të udhëtojë në Gjilan, Prizren, Prishtinë, Mitrovicë apo Gjakovë) do ta ketë më të lehtë të kuptojë që e ardhmja është e përbashkët.

Kur Federata e Futbollit të Kosovës u pranua anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA ka qenë një moment unikal emocionues. Gazetarët sportivë qanin, opinioni shpërtheu në ekstazë. Kosova po njihej si shtet më vete, flamuri dhe himni i saj do të linin shenja në sportin më të popullarizuar në botë! Kosova ishte realitet, sporti ishte shumë përpara politikës.

Ju pëlqen!

Atë moment (pranimin e Kosovës në FIFA) e shoh me po të njëjtën kah si edhe bashkimin në një Ligë të Basketbollit. Duket paradoksale pasi pranimi i Kosovës solli ndarjen e Kombëtares ndërsa bashkimi i Ligës së Basketbollit çon në unifikim. Mendoj se është ndryshe. Ndarja dhe rritja e personalitetit të kombëtares së Kosovës, krahas asaj të Shqipërisë, do të spikasë më shumë futbollistë në nivel ndërkombëtar, do të kemi më shumë ekipe në Kupat e Evropës. Rruga drejt bashkimit është më e gjatë për futbollin, ishte më e rëndësishme për Kosovën ta njihte FIFA sesa të kishte furnizues i ekipit kombëtar. Me kalimin e kohës do vijë dita që bashkimi i Ligave edhe në futboll të ndodhë. Basketbolli do jetë udhërrëfyesi.

Faleminderit Avni dhe Arben! Sigal Uniqua ka qenë promotori i basketbollit të Shqipërisë e Sigal Prishtina ka qenë krenaria shqiptare e basketbollit. Përpjekjet tuaja të përbashkëta i dhanë një rezultat të shkëlqyer premisës për bashkim. Urojmë me gjithë zemër që shembulli juaj të ndiqet nga sportet e tjera dhe jo vetëm aq. Në mes dy përfaqësueseve të Shqipërisë dhe Kosovës unë gjithmonë kam preferuar Kosovën si më të brishtën, më të renë, më të malluarën për të qenë shtet. Mirëpo mes versionit të një kombëtareje të përbashkët dhe Kosovës do preferoj të parën. Rruga është e hapur, koha do jetë në mbështetje të idesë.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.