Daut Dauti

Në drejtim të të gjitha anëve të stadiumit rjedhin lumenjtë e njerëzve për ta krijuar brenda detin e shikuesve. Dominojnë ata me flamuj shqiptarë, burra (pleq e t’ri), gra e fëmijë. Shqiptari i diasporës është nisur për ta përkrahur atdheun që është puna e tij e përditshme. Në shikim të parë, ta merr mendja se Anglia është mysafire në Wembley, në shtëpinë e saj.
Nja 200 m pa mbërri te stadiumi një grup i tifozëve anglezë ndalen për të biseduar me neve. “Keni ardhur nga Shqipëria?” – e pyet njëri prej tyre Rinorin. “Jo. Unë kam lindur në Londër” – përgjigjet Rinori. “A i ke prindërit nga Shqipëria” – ishte pyetja normale. “Jo, janë nga Kosova” – është pergjegjja e cila i shkakton konfuzion anglezit. Nuk është koha e as vendi për spjegim të historisë dhe gjeografisë.
Vazhdojmë të ecim bashkë dhe njëri prej tyre i afrohet Dalipit që e ka tupanin dhe nganjëherë ia futë me atë shtagën sa për të treguar se nuk e mbanë kot.
“What is your name?” – e pyet anglezi.
“Danny, Danny DeVito” – përgjigjet Dalipi.
“OK” – thot tifozi anglez dhe ia shtrinë dorën:”I am Arnold Schwrtzeneger. Nice to meet you Danny, Danny DeVito”.
Kjo ishte vetëm sa për të vërtetuar se askush nuk ia kalon anglezit për humor sikur edhe për shumë punë tjera.
Para se të ndahemi anglezët na e bëjnë me dije se, përkundër mundit, nuk kemi gjasa pêr fitore. Megjithatë “Good Luck ” na dëshirojnë dhe marrin drejtimin e tribinave të tyre.
Brenda atmosfera është spektakolare. Askush nuk ua kalon anglezëve për organizim. Organizatori nuk e nënçmon mysafirin e sontëm dhe është kujdesur sikur që e ka për obligim ta krijoj shfaqjen e shekullit. Pa asnjë dyshim, në këtë botë, Wembley mbetet Meka e Futbollit.
Biletat janë shitur të gjitha por në stadium ka rreth 81 000 shikues. Prej tyre, së paku 25 000, janë tifozë të Shqipërisë. Vështirë që ndonjëherë ndonjë skuadër mysafire të ketë patur kaq përkrahës në Wembley. Kur shënojnë gola anglezët, brohoritjet bëjnë me dije se, megjithatë, tifozët shqiptarë, sa do të zhurmshëm, janë minoritet.
Futbollistët shqiptarë janë aq të dobët sa që nuk e meritojnë aspak këtë spektakël. Që nga portieri e deri te sulmuesi i fundit, janë të kotë. Futbollistët shqiptarë nuk kanë mbrojtje e as sulm. Duket se iu mungon motivi edhepse janë në Wembley. Nuk mund të vrapojnë, krosojnë, shutojnë… Inferioritet total. 5:0 pjesa e parë dhe kjo e spjegon gjendjen.
Në pjesën e dytë, njësoj. Pos që anglezët kanë vendosur të mos e poshtërojnë më shumë mysafirin. Anglezët bëjnë lojë ekzibicionale për ta kënaqur publikun dhe iu shmangen rasteve për të shënuar.
Për kombëtaren e Shqipërisë, kjo ishte një humbje spektakolare.
Mbrëmje e paharrueshme.
©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.