Shumëkush mund t’i cilësojë si filma policeskë apo me dedektivë, filma aksion apo filma të verdhë. Në të vërtetë, në Shqipëri këta filma nuk janë asgjë më tepër sesa thjesht filma me subjekte nga Sigurimi i Shtetit.

Të realizuar përgjatë viteve të komunizmit nga Kinostudio “Shqipëria e Re” numërohen me dhjetëra filma, të cilët kanë në boshtin e tyre pikërisht veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit.

“Operacion zjarri”, “Fije që priten”, “Asgjë nuk harrohet”, “Gëzhoja e vjetër”, “Vrasje në gjueti”, “Kërcënimi”, “Hetimi vazhdon” etj. janë vetëm disa prej filmave të kësaj natyre.

Ju pëlqen!

Këta filma nuk mund t’i trajtosh kurrsesi si filma policeskë dhe në qendër të tyre nuk ka thuajse aspak policë apo heronj të forcave policore, por thjesht punonjës “heronj” të Sigurimit të Shtetit, të cilët kryejnë hetime të rëndësishme dhe demaskojnë armikun.

Filmat, të cilët i bënin jehonë veprimtarisë së Sigurimit dhe “zgjuarsisë” së tij në shumë raste ishin propozime që vinin nga vetë udhëheqësit dhe drejtuesit e Sigurimit, ndërkohë që në jo rrallë herë ishin thjesht fantazi të skenaristëve apo regjisorëve.

Topollaj tregon se nuk i pëlqeu ajo çfarë kishte realizuar ndaj e rimontoi filmin nga e para. Por vështirësia që do të ndeshte këtë herë ishte me këshillin vlerësues të filmave, i cili nuk e përkrahu. Por, në fund ai që vendoste ishte Ramiz Alia apo të dërguarit e qeverisë.

Filmat, të cilët në shumicën e rasteve vinin si propozime të Sigurimit duhet të kalonin jo vetëm në filtrin e zakonshëm që vinte nga Partia e Punës, por edhe në filtrin profesional të “ekspertëve” të Sigurimit të Shtetit. Nëse për skenarin nuk kishte shumë vërejtje pasi ai kishte marrë paraprakisht aprovimin nga Sigurimi nuk ishte e njëjta gjë për mënyrën e realizimit të tij.

Një shembull i tillë është reagimi i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, për filmin “Mysafiri” me regji nga Hysen Hakani, një realizim i vitit 1979.

“Mysafiri” është një agjent i sigurimit të shtetit i cili infiltrohet në agjenturat e zbulimit të huaj që operojnë në Shqipëri, pas kapjes së misionarit të dërguar nga agjenturat e huaja në Shqipëri. Duke pasur në dorë disa të dhëna kompromentuese të marra nga Agathia, sekretaria e inxhinierit të minierave Fotionit, agjentët e huaj kërcënojnë inxhinierin Fotion Papa, e shantazhojnë për ta bërë pjesë të agjenturës së tyre dhe përpiqen ta detyrojnë të zbulojë informacione në lidhje me minerale të rralla në Shqipëri.

Sipas Feçor Shehut “Inxhinieri është njeri i mire”, por ai shqetësohet për imazhin me të cilin Sigurimi i Shtetit shfaqet në këtë film.

“Humbja e një dokumenti sekret në atë formë që paraqitet dhe takimi me një të arratisur pa ditur se ç’është ai, a janë materiale me të cilat zbulimet e huaja të futen për të rekrutuar një kuadër tonin? Mendoj se kjo situatë krijon përshtypje jashtë moralit tonë, pa dashur ul dhe Sigurimin e Shtetit.”

Mangësia e filmit sipas tij qëndron edhe në mënyrën se si paraqitet bota kapitaliste, e cila në mënyrë aksidentale shfaqet gjithë shkëlqim përkundrejt jetës së varfër shqiptare të asaj periudhe.

“Edhe herë të tjetër kemi thënë që kur paraqesim botën kapitaliste, në të cilën zbulimet e huaja hedhin hapat e para për realizimin e detyrave kundër nesh, po bëhet zakon që paraqiten skena dëfrimesh, jetës së shthurur në kafeneja, pije e çifte të ndryshme. Pse vallë paraqiten këto skena sikur çdo gjë fillon domosdo nëpër kafeneja. Në këto lloj skenash që ndoshta duhen parë me sy kritik ne bëjmë edhe efekte negative te njerëz të paformuar. Konkluzioni është që ndoshta duhet të shikojmë këtë metodë me sy kritik. Të korrigjohet çfarë mund të korrigjohet.”

Ai kërkon që diskutimi rreth filmit të mos ndalet vetëm te Sigurimi, por të shkojë më tej edhe në bashkërendim me Kinostudion dhe me Ministrinë e Arsimit.

“Kush është vrasësi” është një tjetër film me temën e Sigurimit. Skenari i tij është shkruar fillimisht bazuar në një libër të shkruar nga një ish punonjës i Sigurimit të Shtetit.

Ndërsa Saimir Kumbaro përmend disa filma me këtë temë të realizuar prej: “Gëzhoja e vjetër”, “Gracka” dhe “Ilegalët”.

Kumbaro kujton se për filmin “Gëzhoja e vjetër” lexoi literaturë të kriminalistikës në mënyrë që filmi të dilte sa më i besueshëm.

Një tjetër punë e rëndësishme për realizimin e këtyre filmave ishte edhe përzgjedhja e aktorëve.

Ndërsa vijon të flasë për rolin e aktorëve në këta filma, ai thekson se një nga arsyet pse këta filma nuk mund të quhen filma aksion është padyshim mungesa e disa elementëve aktorialë në lojën e aktorëve shqiptarë.

Ndërsa flet për filmat aksion, Kumbaro vëren se pikërisht në këtë drejtim sipas tij vuajnë së shumti edhe filmat e regjisorëve të rinj shqiptarë, duke përmendur këtu edhe faktin se sipas tij regjisorët shqiptarë nuk lexojnë aq sa duhet.

Muzika është gjithashtu një element i rëndësishëm i filmit në shërbim të imazhit apo të veprimit.

Filmat e periudhës së komunizmit, pjesë e agjitacionit të kohës synonin t’i shërbenin indoktrinimit të “njeriut të ri” dhe sigurisht ishin propagandistikë.  Propaganda depërtonte në çdo lloj krijimtarie e madje ka nga ata që shprehen se madje edhe disa filma për fëmijë në Shqipërinë e atyre viteve mund të cilësohen si filma spiunazhi me fëmijë.

Në një artikull të botuar nga “The Journal of Cinema and Media”, me titull “Dy nivele ndarjeje: Xhanfise Keko dhe Filmi Shqiptar për Fëmijë” me autor Bruce Ëilliams flitet për filma si “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve” dhe “Partizani i vogël Velo”.

Ai e lidh punën e Kekos me një seri filmash “spiunazhi për fëmijë” të realizuar midis viteve 1977 dhe 1980.

Këta filma, sipas Ëilliams në një nivel sipërfaqësor nënvizojnë marrëdhëniet e vendosura midis kinemasë dhe ideologjisë dhe në veçanti kërkesat dogmatike të filmit për fëmijë në një vend ku mekanizmi kinematografik kontrollohej fort. Megjithatë ai thekson se të konsiderosh filmat për fëmijë të Xhanfise Kekos si vepra të një propagande të pastër do të ishte një keqkuptim shumë i madh.  Sipas tij përtej propagandës së kohës, këta filma janë të mbushur me risi befasuese që inkurajojnë shikuesin të shohë përtej dogmës së periudhës ndërsa protagonistët e këtyre filmave janë shumë të veçantë dhe origjinalë.

Por përtej propagandës, mund të themi se sigurisht edhe filmat me subjekt nga Sigurimi i Shtetit, në jo pak raste janë interesantë për t’u parë dhe diskutuar për atë çfarë ofrojnë, si subjekt studimor, por edhe në pikëpamje teknike dhe në mënyrën e realizimit të tyre.

Investimi i udhëheqjes komuniste në këta filma është i dukshëm.   Janë me dhjetëra filmat me temë nga Sigurimi i Shtetit.

Filmi “Detyrë e posaçme” bazuar në ngjarje reale të viteve ’50 është një nga filmat më të kushtueshëm të asaj periudhe.  Në film personazhi Tomori interpretohet nga Ndrek Luca, i cili gjatë xhirimeve është nën asistencën e Asim Alikos, i cili është kthyer në një hero për Sigurimin e Shtetit, sepse duke fituar besimin e agjenturave të huaja zbulon dokumente sekrete baza dhe mjete komunikimi.

Por nuk mund të lemë pa përmendur edhe të tjerë filma, si: “Lugina e pushkatarëve” e vitit 1970, që ka në plan forcat ndihmëse të kufirit, të cilat mbrojnë atdheun nga “diversantët”,   “Operacioni Zjarri” i vitit 1973, “Fijet që priten” dhe  “Përballimi”, të dy prodhime të vitit 1976,  “I treti” një film i realizuar në vitin 1978 , “Dora e ngrohtë” , ku demaskohen “klasat e përmbysura” dhe ku hetuesi që përfaqëson Sigurimin e Shtetit është personazh i dashur, i cili del edhe xhiro me ish të pandehurin, i cili ka hyrë në “rrugë të drejtë”, pas dënimit të dhënë partia.

“Koha nuk pret”, një film që i kushtohet vigjilencës së organeve të Sigurimit kundër shqiptarëve jokomunistë është gjithashtu një film tjetër me këtë tematikë, prodhim i vitit 1983.

Në historinë e kinemasë shqiptare këta filma zënë pjesën e tyre dhe na rrëfejnë për propagandën dhe historinë e manipuluar përmes Sigurimit të Shtetit, që ishte shërbimi i sigurimit kombëtar, inteligjencës dhe i policisë sekrete të Shqipërisë së atyre viteve. Veprimtaria e Sigurimit e shtrirë edhe në art dhe film shërbente për të shtypur veprimtarinë politike tek popullata dhe ruante sistemin politik ekzistent në pushtet.

Përgatiti: Blerina Goce

TvT

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!