Disa ditë më parë në mediat e Francës u publikua lajmi se një komision hetimor kishte gjetur se që nga viti 1950, në Kishën Katolike Frances vepronin rreth 3000 pedofilë, viktima të të cilëve kishin qenë 216 mijë fëmijë. Komisioni u ngrit nga peshkopët francezë në vitin 2018 për të hedhur dritë mbi abuzimet e kryera dhe përfundimet u njohën si të vërteta prej Vatikanit, teksa Papa i cilësoi gjetjet si të trishtueshme.

Zbardhja e këtij aspekti me natyrë kriminale dhe që peshon në mënyrë rrënuese mbi Kishën dhe historinë e saj të afërt, por edhe vetë arsyet e ekzistencës apo pretendimet ekumenike, është një hap i rëndësishëm që në të vërtetë shumëdimensional. Nga njëra anë kemi një Kishë që ndërmerr një proces kat’harsisi duke njohur një ndër anët më të errëta të saj, nga ana tjetër gjetjet bëhen pronë publike. Ky mund të quhet patjetër një process hapjeje, që nuk i dedikohet edhe aq kishës sesa procesit emancipues në Perëndim të të gjithë shoqërisë. Kisha tashmë ka vetëm një autoritet historik, apo edhe intelektual dhe pastrimi i saj nga këto skandale është i vetmi operacion i mundshëm që ajo të ruajë disi edhe një autoritet moral në një mjedis hiperkonsumizmi si ky që jetojmë.

Është një proces që në planin historik nuk mund të quhet i vonuar. Madje është tepër i dobishëm në një plan shumë të gjerë, pasi e shkuara e afërt nuk diskriminon vetëm Lindjen Komuniste me sekrete të errëta. Në këtë kuadër është e udhës të pyesim se pse procesi i hulumtimit mbi të shkuarën enveriste, mbi aktet e institucioneve të regjimit të shkuar, mbi lidhjet e tij me tranzicionin, u ngujua në një seri denoncimesh banale që në fund rezultuan të ishin vetëm fasada e një shfaqjeje që legjitimoi një ndryshim kozmetik.

Ne nuk e njohim komunizmin shqiptar, ne vijojmë të projektojmë kuriozitetin mbi të përmes narrativave të të huajve, dokumenteve sensacionale, ekzagjerimeve për të asimiluar një (a)histori që injoron aspektin psikologjik që sjell ky lloj deformimi. Apo përmes një lloj merkantilizmi me historinë si bukartet dhe vila e gjethit që i përshfaqen të huajit apo shqiptarit në fletëpalosjet e thukëta që janë në modë tanimë në botën e statuseve dhe fotografisë.

Është e udhës të vihet në dukje mënyra sesi edhe një Autoritet I quajtur i Dosjeve administron informacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, duke kodifikuar edhe njëherë dobinë e ruajtjes së tij si sekret sesa dobinë e zbardhjes.

Në sferat vendimmarrësve të politikës dhe biznesit, akademisë dhe artit nuk duket të ketë më ndonjë qëndrim etik apo moral ndaj të shkuarës e cila ka mbetur në kujtesë si një kohë e largët për të cilën flitet me nocione kategorike dhe sidomos pa fakte. Pa dokumente.

Komunizmi shqiptar po hyn në një relacion virtual, efemer me shoqërinë shqiptare, ai po muzealizohet si një rekuizitë arkivore e ngjashme me periudhën fashiste, apo monarkinë duke i folur të tashmes dhe të ardhmes me ligjërimin e fosilizuar të Kinostudios dhe zëdhënësve të tij në media. Ai po e përfton ikonën e vet tek imazhi i qarkulluar përheë i Enver Hoxhës duke krijuar herët apo vonë idhujtari.

Mjafton vetëm ky aspekt për ta parë në sy të ashtuquajturën demokraci shqiptare si një dashnore të përdalë të enverizmit të cilit i ka eliminuar vetëm strukturën ekonomike zyrtare.

s.zaimi