Nuk është e thjeshtë. Ajo i mbron me gjithë qenien bindjet dhe parimet e saj. Nuk është pra, nuk është aspak e thjeshtë të duash një femër kokëfortë.

Të nevrikos dhe të mërzit. Me atë ngulmimin në idetë e saj, me kokëfortësi nganjëherë, dhe me vrazhdësi herëve të tjera, por ama, kur të kesh nevojë, edhe pa i thënë gjë fare, ajo kthehet në ëmbëlsim dhe do të të gjendet përherë pranë.

Nëse je mashkulli që e ke pasur këtë bekim nga jeta, që ke njohur një femër kokëfortë, ka disa gjëra që duhet t’i kesh parasysh:

Një grua kokëfortë është një kategori tepër e veçantë e gruas, ajo nuk e njeh konfuzionin ose paqartësinë, në fakt ajo është e qartë dhe shumë e kthjellët në atë çfarë do, dhe nuk ka pengesë që ta ndalojë për ta arritur. Vetëm një gjë në këtë botë mund ta pengojë që ajo t’i lërë mënjanë ndjesitë dhe synimet që i ka vënë vetes, dhe ajo gjë, është personi që ajo do. Për të, ajo bën gjithçka.

Gratë kokëforta kanë një intuitë të jashtëzakonshme, ato i parandjejnë me një saktësi të frikshme gjërat përpara se ato të ndodhin, janë në rezonancë të përhershme me ty, me emocionet tua, ajo ta lexon mendjen, e di çfarë do të thuash, përpara se të lëvizësh buzët. Ajo e di çfarë të pëlqen, çfarë të emocionon, çfarë të gëzon e çfarë të bën të lumtur.

Nganjëherë ajo e harron veten, duke u përqendruar të të njohë ty, madje edhe më mirë se ç’e njeh ti veten. Të mbron, edhe atëherë kur t’i nuk e vëren. Një grua e tillë vëzhgon shëndetin dhe sigurinë tënde, është në një gjendje të përhershme zgjimi për të “nuhatur” çdo lloj rreziku apo dështimi që mund të të afrohet. Kjo tregon se ajo e dëshiron me zemër që ju të dy t’ia dilni mbanë.

Kokëfortësia e saj e ka një shpjegim. Mbase ajo nuk ka marrë asnjëherë ato çfarë ka merituar në jetë, apo në supet e saj, jeta e ka detyruar të durojë vështirësi të mëdha. Ajo nuk fajëson njeri, nuk pret nga askush, është kalitur t’ia dalë e vetme, ajo nuk ndjehet kurrë e zhgënjyer nga të tjerët, sepse i vetmi person me të cilin është mësuar të bashkëpunojë është vetja e saj. Duke qenë ajo e tillë, për ty është një burim i pashtershëm frymëzimi dhe force për t’i çuar gjërat përpara.

Ajo nuk të shkëput nga misioni yt, nga objektivat tua, nuk të shpërqendron, ajo është krenare dhe i mjafton të jetë ajo gruaja që fshihet prapa një burri të suksesshëm. Është e sinqertë, reale. Nuk shtyhet nga frika, mëshira apo dobësia, ajo ka vetëm një njësi matëse për gjërat, dashurinë.

Një grua kokëfortë të bën ta jetosh jetën me një intensitet të jashtëzakonshëm, ajo të tërheq deri në zgrip të humnerës, e m’u aty, ajo e ka mësuar tashmë, hidhet vallja e jetës. Ajo dashuron fuqishëm, dhe një vit me të vlen sa dhjetë vite bashkë me një grua tjetër për nga denduria e emocioneve të forta.

Ajo të sheh drejt në sy dhe është njëkohësisht edhe ajo që të kundërshton, sepse i njeh dobësitë tua, ajo e kupton kur t’i lodhesh dhe po bëhesh gati të dorëzohesh, por nuk të lejon, të shtyn që të vetëpërmirësohesh.

Nuk ka asnjë dyshim. Kokëfortësi, për këtë grua, është të jesh besnike ndaj asaj që beson dhe gra të tilla janë fatalisht tërheqëse.

Do të të gjendet gjithmonë pranë, do të jetë aty për ty. Do të shohë me kujdes, nganjëherë të tepruar, edhe mënyrën sesi të trajtojnë të tjerët. Ti je në krye të listës së prioriteteve të saj, edhe kur të mos jetë afër teje, edhe kur të jetë nevrike.

Do të të çmendë, në kuptimin e mirë të fjalës. Një grua kokëfortë do të luajë me nervat e tua. Ajo nuk do të bjerë dakord me ty në gjithçka, por do të të dojë deri në fund të jetës së saj. Nuk ka asgjë të gabuar në gjetjen e dikujt që të acaron me fjalë, por që më pas të do me vepra.

Ajo t’i thotë gjërat troç dhe haptazi, nuk është indirekte dhe thumbuese. Sepse nuk ka frikë nga ato momentet kur do të duhet të debatoni. Kjo është e pashmangshme. Mirëpo një grua e tillë sjell arsyen dhe logjikën në tryezë. Kokëfortësia e saj përkthehet në zgjuarsinë e saj për të kuptuar se intuita e gruas është më e saktë sesa dëshirat e mashkullit.