Prokurori i Përgjithshëm Federal i Karlsruhe ka hapur një hetim mbi sulmet e hakerëve në fushatën zgjedhore gjermane nga Rusia. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i zyrës së prokurorit për Spiegel.

Prej muajsh, grupi i hakerëve “Ghostwriter” është përpjekur të hyjë në email-et private të anëtarëve të Bundestagut dhe Landestagut (Dhoma e Rajoneve).

Dyshimet janë se, autoritetet ruse të sigurisë dhe shërbimet sekrete ushtarake të GRU janë pas këtyre sulmeve. Në veçanti, deputetët e koalicionit qeveritar CDU-CSU dhe SPD kanë përfunduar në shënjestrën e hakerave.

Berlini i ka kritikuar ashpër ato që ajo e quajti përpjekje ruse për të ndikuar në zgjedhjet e 26 shtatorit për një parlament të ri dhe pasardhësin e Angela Merkelit si kancelare.

Gjermania e ka drejtuar gishtin nga hakerat e grupit rus “Ghostwriter”, i specializuar në përhapjen e dezinformatave.

Shefi i shërbimit të brendshëm të inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, paralajmëroi në korrik se hakerë të tillë kishin marrë informacione personale që mund të shfrytëzoheshin javët para zgjedhjeve të përgjithshme, raporton France 24. Gara mes dy partive kryesore është jashtëzakonisht e ngushtë, me SPD përpara CDU me vetëm tre deri në katër pikë përqindje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar vazhdimisht Moskën për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet demokratike, akuza të cilat Kremlini i ka hedhur poshtë gjithmonë.