Është mbajtur takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale ku është prezantuar vizioni fillestar i projektligjit.

Sipas komunikatës ministrore, përmes këtij projektligji, parashihet krijimi i Gjykatës Komerciale që do të jetë gjykatë e specializuar e ndarë në dy nivele (themelore dhe të apelit) me juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës, e cila do të jetë adresë e vetme që do të merret me shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të natyrës komerciale të bizneseve dhe personave të tjerë juridik në Kosovë.

Po ashtu, njoftohet se ky projektligj parasheh që Gjykata Komerciale të ketë buxhetin e vet, me një strukturë gjyqtarësh dhe staf të mjaftueshëm profesional.

Ju pëlqen!

“Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 23.03.2020 me vendimin nr. 04/15, ka aprovuar Koncept Dokumentin për reformë Gjyqësore në Drejtësinë Komerciale dhe rrjedhimisht në kuadër të programit legjislativ të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2020 është përfshirë edhe Projektligji për Gjykatën Komerciale”, thuhet në njoftim.

Siç njoftohet, themelimi i një gjykate të tillë të specializuar është edhe rekomandim i procesit të Rishikimit Funksional të Sistemit të Sundimit të Ligjit, proces ky i udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, me përfshirje të gjerë të akterëve vendorë dhe të partnerëve tanë strategjik.

Procesi i hartimit të këtij Projektligji po mbështetet nga programi për Drejtësi Komerciale i USAID-it.

“Takimi i Grupit Punues është kryesuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, ndërsa të pranishëm ishin edhe: James Haines, gjyqtar Federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ka kontribuar në hartimin e draftit fillestar të projektligjit, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor, si dhe akter tjerë vendor dhe ndërkombëtar. Ministria e Drejtësisë do të angazhohet që procesi i hartimit dhe finalizimit të Projektligjit për Gjykatën Komerciale të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”, thuhet në njoftim.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.