Nga Oliver Burkeman

Prej disa kohësh jam përpjekur të gjej fjalët, për të përcaktuar një gjendje në të cilën e gjej veten shpesh, dhe nga e cila shenja edhe te njerëzit e tjerë. Nuk bëhet fjalë për gjendjen e të qënit “të shpërqëndruar”, por nuk ka të bëjë as me të mos qënit “të shpërqendruar”. Ne kemi tendencë të mendojmë për shpërqendrimin si një gjendje absolute: ose jemi tërësisht të përqendruar në diçka, ose sërish jemi të shpërqëndruar për shkak të Twitter-it ose Netflix-it.

Bëhet fjalë më shumë për një rënie të vëmendjes, e cila nuk na pengon të mbetemi, të paktën teorikisht, të përqendruar në ato që po bëjmë (etiketa që na afrohet më shumë është ndoshta “vëmendja e pjesshme e vazhdueshme”, e krijuar nga shkrimtarja Linda Stone).

Ju pëlqen!

Një nga simptomat kryesore, është ajo që mund ta përshkruaj si një padurim ndaj proceseve tona njohëse, paaftësi për të ndjekur mendimet e tua, deri në fund. Dhe po filloj të pyes veten nëse ky nuk është shkaku i situatave të ndryshme të vështira, në të cilat gjendemi.

Pa reflektim

Dyshimi im u konfirmua nga një studim i ri, të cilin e zbulova përmes faqes së internetit Research Rigest, mbi arsyen pse njerëzit ndajnë lajme të rreme në internet. Sipas dy teorive më të besueshme, ose ata që e bëjnë nuk janë veçanërisht të zgjuar (ata vërtet besojnë se lajmet janë të vërteta), ose janë cinikë idiotë, të përkushtuar për të shpifur ndaj kundërshtarëve (dhe nuk ka rëndësi nëse ato që rrëfehen nuk janë të vërteta).

Por psikologu kanadez Gordon Pennycook dhe kolegët e tij kanë treguar se shumica e njerëzve që kanë tendencë të ndajnë lajme të rreme, janë të bindur për rëndësinë e përhapjes së vetëm lajmeve të vërteta, dhe janë në gjendje të kuptojnë se cilat janë tërësisht të shpikura. Eshtë thjesht që ata lejojnë të rrëmbehen – ndër të tjera nga ngazëllimi dhe nguti për të ndarë atë që lexojnë – përpara se të kenë pasur kohë të reflektojnë për vërtetësinë e tyre.

“Eshtë e vështirë të imagjinohet,” shkruajnë studiuesit, “që një numër i madh njerëzish besuan me të vërtetë, për shembull, se Hillary Clintoni menaxhonte shitjen e fëmijëve për qëllime seksuale, duke përdorur si bazë një piceri”. Dhe nga studimi u zbulua se ata ndoshta nuk e besonin.

Kur iu kërkua të reflektojnë për vërtetësinë e një titulli të rremë në gazetë, pjesëmarrësit kishin shumë më pak të ngjarë ta ndanin atë. Kjo ndërhyrje e thjeshtë, ishte e mjaftueshme për t’i bërë të “ndaleshin” mjaftueshëm në proceset e tyre mendore, për të kuptuar se lajmet ishin të dyshimta.

Pyes veten nëse kjo mund të shpjegojë pjesërisht tendencën depresive të protagonistëve të debatit aktual politik, për të menduar se kundërshtarët e tyre veprojnë me dashakeqësi, dhe se në vend që të besojnë atë që pretendojnë se besojnë, thellë-thellë janë thjesht të ligj. Mbi të gjitha, sa ka të ngjarë që politikani mesatar konservator, “të urrejë të varfërit”, në një kuptim të mirëfilltë dhe të vetëdijshëm? Apo që njerëzit që nuk pajtohen me ne se si të trajtojnë disforinë gjinore në fëmijëri, gëzohen fshehtas kur shohin që fëmijët vuajnë? Apo që Bernie Sanders është, në ndonjë kuptim të arsyeshëm të këtij termi, një supremacist i bardhë? Vetëm mendoni për disa sekonda, për të kuptuar se janë të gjitha hipoteza të pamundura. Megjithatë, i lexoj të gjitha, dhe shpesh madje, në internet. Dhe unë sigurisht që nuk jam një pikënisje e mirë, për ta bërë dikë të ndryshojë mendim.

Ndoshta një ditë do të shpikin një pajisje shtesë për smartphone, e cila do të na kapë për zverku kur jemi duke ndarë në Twitter diçka e do të na bërtasë në vesh: Ej! Po a e kupton se çfarë po thua?”

Në pritje të kësaj, para se të përpiqemi të bindim të tjerët për idetë tona, mbase ia vlen të ndalemi një minutë për të reflektuar dhe vendosur, nëse vërtet i besojmë ato. / The Guardian – Bota.al

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!