Nga Lëvizja Vetëvendosje 

Shpesh regjime me prirje autoritare përpiqen t’i përdorin krizat për konsolidimin e autoritarizmit. Kjo strategji ndjek një model të mirëstudiuar nëpër botë, atë të “terapisë së shock-ut”: prit për një krizë; deklaro një periudhë gjendjeje të jashtëzakonshme; pezullo pjesërisht disa norma demokratike; shfrytëzo çorientimin e publikut pas një shoku kolektiv; dhe më tej mirato ligje që do ishin krejtësisht të papranueshme në periudha para krizës. E tillë duket situata pas tërmetit, me projektligjin për mediat të qeverisë Rama, e cila prej një viti po rreket të kalojë një ligj që vë nën kontrollin e plotë qeveritar të gjitha mediat në Shqipëri.

Projektligji aktual e kthen Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) në Shqipëri në insitucionin shtetëror që vendos se çfarë është e lejueshme të thuhet publikisht, duke i dhënë kompetenca për vendosjen dhe ekzekutimin e gjobave të larta edhe përpara se të shprehet gjykata për rastin. Duke qenë se anëtarët e Bordit të AMA-së votohen nga Kuvendi, ky projektligj e vendos të drejtën e lirisë së shprehjes në duart e shumicës parlamentare, pra të subjektit që ka pushtetin. Për më tepër, projektligji ka zgjeruar kompetencat e AMA-së, duke synuar shtrirjen e kontrollit edhe mbi portalet që veprojnë e botojnë në Shqipëri.

Sipas Monitorit të Pronësisë së Mediave në Shqipëri (MOM), nismë e organizatës Reporterët pa Kufij dhe rrjetit investigativ BIRN, pronarët më të mëdhenj në tregun komercial të transmetimeve televizive pa pagesë janë Familja Hoxha me “Top Media”, Familja Frangaj me “Klan TV”, Familja Dulaku me “Media Vizion” dhe Irfan Hysenbelliu me News24, të cilët së bashku zotërojnë rreth 90% të tregut të mediave audiovizive – ku dy të parët kontrollojnë 71.7% të tregut. Studimet e këtyre monitorimeve kanë nxjerrë në dukje edhe faktin se gazetarët janë të keqpaguar, shpesh pa kontrata pune dhe sigurime, si dhe të detyruar të punojnë me orare të stërzgjatura. Kjo pasiguri në vendin e punës e lehtëson censurën redaktoriale dhe, siç dëshmojnë studimet, e rrit autocensurën. Ky përqëndrim kaq i lartë i pronësisë në këtë treg, në formë oligopoli, edhe sipas studimeve nga MOM, ka ndikuar në forcimin e trinomit media – pushtet – kapital, duke favorizuar propagandën qeveritare dhe oligarkinë.

Në vend që të merret me përqëndrimin ekstrem të pronësisë së mediave dhe censurën e keqinformimin që rrjedh nga kjo, në vend që të marrë masa për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, qeveria ka tjetër prioritet: të bëjë zap portalet, të cilat ende janë plurale sa i përket pronësisë. Dihet se ka shumë portale që shfaqin mungesë të theksuar profesionalizmi, siç ka edhe portale serioze dhe profesionale që nuk janë assesi pjesë e “kazanit”, termi fyes e përqeshës me të cilin Edi Rama sulmon prej vitesh mediat. Në vendet më të zhvilluara të Evropës, profesionalizmi në raportimet mediatike realizohet përmes vetërregullimit, me shoqatat e mediave dhe sindikatat e gazetarëve, dhe përmes funksionimit të rregullt të gjykatave. Në Shqipëri, me këtë projektligj për mediat, qeveria i vë shkelmin edhe përpjekjes për vetërregullim edhe drejtësisë përmes gjykatave, duke përqëndruar vendimmarrjen në lidhje me lirinë e shprehjes në një institucion lehtësisht të kontrollueshëm prej saj përmes shumicës në Kuvend.

Rrjedhimisht, kundër këtij projektligji janë deklaruar tashmë organizatat e gazetarëve në Shqipëri, si Këshilli Shqiptar i Mediave, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, etj. Gjithashtu, projektligji është kundërshtuar publikisht edhe nga dhjetra organizata ndërkombëtare si Komiteti i Helsinkit, Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF), Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO)… Në dëgjesat publike të mbajtura nga komisionet parlamentare kundërshtimet kanë qenë të forta edhe nga akademikë dhe gazetarë të shumtë shqiptarë. Megjithatë, projektligji ka kaluar në komisionet parlamentare dhe është deklaruar se këtë të enjte do të paraqitet për votim në seancën e Kuvendit, që kontrollohet tërësisht nga shumica në pushtet e cila e ka hartuar projektligjin.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri i bashkohet zërave që e kundërshtojnë këtë projektligji. Ne synojmë koordinimin me organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar për të krijuar një front të përbashkët qe e ndal tentativën e qeverisë Rama për të rritur edhe më tej autoritarizmin. Bëjmë thirrje të rritet liria dhe siguria e gazetarëve, përmes zbatimit të ligjit të punës, lidhjes së kontratave të rregullta, dhe zhvillimit të sindikatave e shoqatave të tyre. Të ndalet sulmi qeveritar e oligarkik ndaj fjalës e shtypit të lirë, të demokratizohet media dhe shoqëria.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri