Pak legalizime kanë ndodhur që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje i miratuar në shtatorin e 2018-s. Megjithëse i kanë mbetur rreth një muaj para se t’i skadojë afati dyvjeçar, deri më 1 qershor është arritur të legalizohen vetëm 530 objekte. Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thonë se i njëjti ligj nuk ka filluar të zbatohet deri kah mesi i vitit 2019, derisa janë miratuar udhëzimet administrative që e rregullojnë këtë çështje. Drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu, ka theksuar se arsyet e tjera që kanë ndikuar në numrin aq të vogël të legalizimeve janë edhe kapacitetet e vogla humane nëpër komuna, zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe tash pandemia.

“Në aspektin e zbatimit të ligjit deri tani më 1 qershor aplikime për legalizime i kemi pasur 1630 aplikime në nivel vendi. Prej tyre në databazën e njëjtë që janë trajtuar edhe janë në proces janë edhe 740 plus në databazat e vjetra që kanë qenë dhe komunat i kanë bashkuar. Databaza e vjetër ka shumë më shumë, por ato që kanë hy në proces rreth 2300-2400. Certifikata të legalizimit në nivel vendi janë lëshua 530, 374 janë të regjistruara në kadastër”, ka treguar Spahiu.

Spahiu thotë se ministri Blerim Kuçi, është pajtuar që këtij Ligji t’i shtyhet afati edhe për 1 vit.

Megjithatë, eksperti i çështjes së banimit, Driton Tafallari, nuk pret që ky proces të përfundojë edhe nëse afati i këtij ligji shtyhet deri në vitin 2022. Sipas tij, me këtë ritëm siç është punuar deri tash, duhet një shekull për t’u përmbyllur legalizimi në vend. Ai ka thënë se çështja e problemeve pronësore, pranimet teknike, planet urbane dhe gjendja ekonomike kanë ndikuar që procesi të mos mund të marrë rrugën e duhur.

“Vetë Ligji, edhe pse thashë që është i mirë, ajo çka i mungon ligjit është ai shkopi dhe karota. Nuk është shumë e definuar saktë cilat janë sanksionet në qoftë se dikush nuk aplikon për leje, gjë që njerëzit nuk i nxit për të aplikuar. Dhe përveç shkopit duhet edhe një karotë në kuptimin që komunat munden që në qoftë se një lagje e caktuar aplikon për legalizim, atyre p.sh. do t’iu rregullohen rrugët, ose një çerdhe, në mënyrë që të nxiten”, ka thënë Tafallari.

Ndërkohë, Servet Spahiu e pranon se për t’u përmbyllur ky proces duhet të shpallet prioritet nacional. Por, për këtë thotë se duhet edhe vullnet politik.

Disa komuna nuk e kanë filluar procesin e legalizimit deri këtë vit. Njëra prej tyre ka qenë Komuna e Obiliqit. Zyrtarët e saj i kishin thënë KOHËS në muajin maj se për shkak të mungesës së stafit nuk kanë filluar procesin e legalizimit. Ky proces ka filluar tek në muajin qershor.

Driton Tafallari ka thënë se komunat duhet të marrin përsipër edhe shërbimin e gjeodezisë, në mënyrë që t’u hiqet kjo barrë qytetarëve, por edhe të kryhet procesi më shpejt.