Nezir Mehmetaj, që nga janari i këtij viti vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi, si i dyshuar për krime lufte. Vëllai i tij, Valon Mehmetaj tha se ndryshimet në skenën politike po ndikojnë në rastin e Nezirit dhe përpjekjet për kthimin e tij në Kosovë.

Gjykata në Beograd ia vazhdoi paraburgimin për tre muaj, derisa mbrojtja është duke pritur vendimin e Apelit pas ankesave që ka bërë. Avokati i Mehmetajt, Ahmed Delimegjac, ka thënë për KTV-në se ai po mbahet në paraburgim për muajin e tretë pa asnjë provë.

Tutje ai shtoi se duke marrë parasysh rrjedhën e procedurave të deritanishme, nuk është optimist që Mehmetaj do të lirohet në këtë kohë. E provën kryesore që, sipas tij, dëshmon për pafajësinë e Mehmetajt, Prokuroria në Beograd po e fsheh.

Ju pëlqen!

“Prokurori dëgjoi vajzën e të dëmtuarit Ramadan Jelaj, Kumrie Malisheva. Kumrija nuk ia konfirmoi atij atë që e priste. Ne besojmë se kjo është prova kryesore që Mehmetaj është i pafajshëm, sepse çështja përmban deklarata të supozuara nga Kumria 20 vjet më parë, të cilat ajo gjoja se ia dha policisë. Kjo deklaratë as nuk u nënshkrua. Tani që ajo ka mohuar deklaratën, prokurori po përpiqet ta fshehë atë nga mbrojtja. Gjithashtu, në fotografitë që janë paraqitur si provë nga ana e Prokurorisë vërtetuam se ka një person krejtësisht të ndryshëm në foto. Prokuroria e Krimeve të Luftës e zhvillon këtë procedurë në mënyrë diskriminuese dhe patriotizmi zbatohet në vend të ligjit. Prokurori do të përpiqet ta mbajë të pandehurin në paraburgim për aq kohë sa të jetë e mundur pa aktakuzë, pasi aktakuza nuk do të ngrihet kurrë”, ka thënë Delimegjac.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se po vazhdon përpjekjet për lirimin e Mehmetajt.

Sipas MPJ-së, pas letrës që ministri në detyrë, Glauk Konjufca, i ka drejtuar shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, z. Joseph Borell, janë njoftuar dhe kanë shprehur interesim për rastin, edhe shumë shtete të tjera mike.

Nezir Mehmetaj u arrestua më 4 janar të këtij viti në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar. Ai po mbahet në paraburgim me dyshimet se në periudhën e luftës ka vrarë Ramadan Jelan dhe ka keqtrajtuar civilë.

Ndërkohë në raportin vjetor të Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi theksohet se Prokuroria për krime lufte në Beograd gjatë vitit 2019 nuk ngriti asnjë aktakuzë të re për krime kundër civilëve shqiptarë në luftën e Kosovës.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!