Mbyllni dyert e portat, ju gra e vajza të brishta,
Shtrihuni pak dhe puthni jastëkët në faqe,
Ju jini vërtet me nerva të gjitha.
Më pritni, do t’ju lë nëpër pragje
Veç nga një tufë me vargje.

Dhe mbase me vargjet qetësoheni nga nervat
Dhe mbase një shi vjen me mua
T’ju nanurisë me ison e shiut huqet dhe tekat,
Siç nanuriten varkat prej letre në krua
Nën një shelg a një ftua.

Ju jini të gjitha në rrjeta nervash mbështjellë,
Ju jini të gjitha me penjë lotësh në faqe…
Nejse, dhe mua puna shpejt do ma sjellë
Të vij t’ju le nëpër pragje
Veç nga një tufë me vargje.

Tani në gjurmët që latë shkel nata;
Mbyllni portat dhe flini,
Jam gati, si një gardian, të rri nën kanata,
T’ju ruaj – në paqe të bini
Bashkë me tokën që vjen erë mëndre dhe bliri…

– Dritëro Agolli