Agim Kasapolli gjithë jetën ia ka kushtuar sportit e në veçanti basketbollit, derisa ka qenë edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës.

Kasapolli për vite të tëra ka punuar edhe si gazetar sportiv, duke qenë njëri ndër gazetarët i cili i ka luftuar dukuritë negative të sportit kosovar dhe jo vetëm.

Kasapolli në një intervistë është rrëfyer për gjendjen në të cilën ndodhet sporti kosovar.

Ju pëlqen!

Ai ka kritika dhe propozime të shumta për udhëheqësit e sportit tonë.

Si është gjendja e sportit në këtë kohë pandemie?

Kasapolli: Sporti është pjesë përbërëse e shoqërisë së gjithmbarshme. Sa i përket pandemisë, ajo e ka kapluar tërë botën. Edhe ne jemi pjesë e botës, edhe ne kemi vështirësi të mëdha sa i përket sportit në gjendjen e pandemisë. Të mos harrojmë se për dallim prej vendeve të tjera, këtu më duket se përkundër faktit se mbretëron pandemia, ka edhe neglizhenca të mëdha sa u përket njerëzve që punojnë në sport. Të gjithë ata që e kanë për detyrë të jenë shumë më vigjilentë, të punojnë më tepër, disi ia kanë lënë kohës. Mendoj se ka mundur më mirë të menaxhohet sporti në kohën e pandemisë. Ka mundur të punohet shumë më tepër, sidomos në rrethana çfarë jemi tani për tani me pandeminë. Mirëpo, ajo nuk është justifikim që nuk është dashur të punohet, ndoshta edhe me gjeneratat e reja, në mënyrë që edhe pandemia të evitohet dhe puna të mos ndërpritet.

Sa ka kontribuuar shteti për sportin në kohën e pandemisë?

Kasapolli: Unë mendoj se ato mjete, të cilat i ka ndarë shteti për sport, janë ndarë në mënyrë të gabuar. Ato mjete është dashur t’u ndahen klubeve, derisa te ne është bërë e kundërta, u janë ndarë federatave. Federatat me mjetet që kanë marrë, në vend se t’ua japin klubeve, ata i kanë blerë votat për kuvendet, me parat e taksave në mënyrë që sërish të zgjidhen kryetarë të federatave. Nëse vlen ajo e popullit “dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë nuk ka asnjë ndryshim. Të njëjtin njerëz po vijnë. Qe dy dekada e më tepër janë të njejtit njerëzit kryetarë. Në disa federata janë mbajtur kuvendet, si Federata e Mundjes dhe disa federata të tjera, sidomos ajo e basketbollit, i kanë blerë votat. Do të thotë me paratë e taksapaguesve. Në zgjedhje dalin për kryetar vetëm nga një kandidat. Ku keni parë të dalë një kandidat për t’u zgjedhur kryetar i një federate. Nuk i jepet mundësia kandidatit të dytë, i cili është elementi i parë i demokracisë. Këta i kanë bërë rregulloret sipas qejfeve të veta. Merreni me mend, kryetari zgjedhet para mbajtjes së Kuvendit, sepse i blejnë votat. Drilon Hajrizin e kanë dënuar si lojtarin më të mirë të Kosovës, përsëri e kanë rikthyer. Ata kanë dëshmuar se nuk janë të aftë për të kryer këtë punë. Prandaj shtrohet pyetja, si ka mundësi përsëri të zgjidhet i njëjti njeri?. I kanë bazat e rrejshme deleguese, duke bërë pazare me ta. Dalin para opinionit kinse është mbajtur një kuvend i rregullt, ndërsa ajo s’ka lidhje me rregullsi dhe e marrin postin e kryetarit ende pa u mbajt kuvendi. Ligën të cilën ata po e reklamojnë, liga shqiptaro-shqiptare u ka dështuar. Unë kam pasur edhe në shkrimet e mia se ata do të dështojnë. Në anën tjetër, ata heqin dorë nga garat e FIBA-s. Do të thotë, heqin dorë nga garat ndërkombëtare, që është qëllim i çdo vendi. Këtë e bëjnë si arsyetim për mospunën e tyre ata e “shpikin” ligën shqiptaro-shqiptare, ku basketbolli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë janë shtetet më të dobëta me basketboll në Ballkan. E njëjta situatë mbretëron edhe në gati të gjitha federatat, përveç asaj të xhudos dhe eventualisht në dy tri federatat e tjera. Në të gjitha federatat punohet në këtë mënyrë. Këtu është domosdoshmëri që të bëhen ndërrime rrënjësore. Këta po e shfrytëzojnë rastin në këtë tollovi politike. Edhe janë duke mbajtur kuvende ilegale, kuvende të falsifikuara, kuvende të cilat nuk kanë lidhje me lëmin ku ata punojnë dhe në këtë mënyrë po e robërojnë edhe më tepër sportin dhe po e marrin në qafë një armatë të tërë të sportistëve.

Jeni ndër gazetarët më më përvojë, si e vlerësoni punën e Federatës së Futbollit të Kosovës?

Kasapolli: Unë nuk jam ndër gazetarët që më së shumti kritikoj. Unë vetëm e them realitetin. Nëse këto që po i them unë ka dikush që mund t’i demantojë, le të dalë dhe t’i demantojë pikërisht këtu ku po e zhvillojmë intervistën. Këta qe 20 vjet po i mbulojnë dobësitë e tyre. Sa i përket Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe aty është puna sin ë federate e tjera, për arsye se bordi ilegal e zgjedh kryetarin. Kryetari e zgjedh të njëjtin bord, pa kundërkandidat. Brendapërbrenda aty është krijuar një nepotizëm. Mund të them lirisht se aty është krijuar një familjarizëm, ku nuk mundet njeriu i vërtetë i futbollit të depërtojë. Këtu faji është edhe te klubet, sidomos te klubet, për arsye se baza deleguese duhet të jetë e verifikuar dhe më reale. Edhe aty ka manipulime. Prandaj, duhet të ndërmerret diçka e sidomos kjo vlen për futbollin, që të bëhen riorganizime në baza. Sepse ende ka klube, sidomos ato të Ligës së Dytë dhe disa liga regjionale, ku përfaqësuesit e atyre klubeve vijnë me vulë në xhep dhe e përfaqësojnë një regjion, një lidhje ose një klub. Ndryshimi është i domosdoshëm. Andaj këta janë duke e shfrytëzuar situatën politike që po mbretëron te ne. Komiteti Olimpik është strumbullari i të gjitha pisllëqeve që po bëhen në sport. I njëjti njeri, i cili qe dy dekada e më tepër është në krye të Komitetit Olimpik, përsëri konkurron. Këta nuk dinë çfarë është boll. I kanë zaptuar këto poste dhe nuk lejojnë askënd të afrohet tek ata. Do të thotë kur nuk të lejon të depërtosh me baza deleguese të rrejshme, me delegatë të rrejshëm, me blerje të votave e të tjera. Kjo flet se në këtë shoqëri po mbretëron gjendje kaotike.

Kosova nuk arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian edhe pse ishte afër, e kujt është përgjegjësia?

Kasapolli: Ajo që nuk është kualifikuar unë e kam pritur. Kjo është gjeneratë e re, që e ka dhënë maksimumin. Nuk mund të presësh për një kohë të shkurtër edhe pse na u dha rasti. Faji dihet ku është. Nëse Kryesia dhe kryetari i një federate i ka privilegjet ta prezantojë një vend jashtë Kosovës, ai ka përgjegjësi për mossukseset që ndodhin. Është koha e fundit që këta të bëjnë ndërrime radikale. Sidomos sa i përket selektorit (Bernard Challandes), ai duhet të largohet. Ky selektor më nuk meriton të jetë. Ajo është praktik në të gjithë botën. Njeriu që ka kompetenca më të mëdha në një reprezentacion është selektori. Të gjitha meritat i takojnë atij nëse një reprezentacion shkon përpara. Mirëpo, ai është përgjegjësi më i madh nëse nuk arrihet suksesi.

Keni thënë shpesh se në FFK ka nepotizëm. A mund të na sqaroni se për çka bëhet fjalë?

Kasapolli: Nuk kam çfarë t’ju sqaroj për nepotizmin aty. Shkoni, secili e ka kunatën, dajën, babën, vëllain. Aty nepotizmi nuk është vetëm sot. Edhe para Agim Ademit ka pasur nepotizëm. Tash është shtuar nepotizmi, pasi janë shtuar mjetet materiale, janë mjetet të konsiderueshme që nuk e ka asnjë federatë tjetër.

Sipas jush, a i duhet Kosovës një trajner shqiptar apo një i huaj?

Kasapolli: Nuk është aspak me rëndësi a është shqiptar ose i huaj. Mirëpo, duhet ta kemi të qartë. Ne sot kemi trajnerë shqiptarë që janë të aftë ta kryejnë punën më me shumë sukses se që e kryen Bernard Challandes. Nuk mund të mohosh një punë jashtëzakonisht të madhe që e ka bërë Besnik Hasi. Apo ke shumë emra si: Ardian Kozniku ose Edmond Rugova dhe shumë e shumë lojtarë gjeneratës së artë që kanë kualifikime adekuate, ndoshta kualifikime edhe më të mëdha se Challandesi. Nuk mundesh t’ia mohosh Challandesit punën fillestare sikurse nuk mundesh as Albert Bunjakut që ka bërë sa ka mundur. Challandesi ka ardhur me një ekip solide, po e përsëris, ka ardhur me një skuadër nga jashtë dhe ka bërë atë që ka bërë. Duhet t’ia japim meritat për atë që ka bërë. Koha kërkon që të bëhet një ndërrim i trajnerit të tanishëm, për arsye se është momenti i fundit që Kosova të arrijë suksese edhe më të mëdha.

Klubet e futbollit në Kosovë po i ndërrojnë shpesh trajnerët. Së fundmi e patëm rastin e Ismet Munshit te Ballkani. Pse po ndodh një gjë e tillë?

Kasapolli: Për arsye se të gjithë ata që i udhëheqin klubet e Superligës së Kosovës kërkojnë sukses sot për sot. Do të thotë nuk kanë strategji dhe nuk munden në Superligë të bëhen të gjithë kampionë. Synimet e skuadrave duhet të definohen para fillimit të kampionatit. Nuk munden 10 skuadra të luftojnë për titull. Ndërrimet e shpeshta të trajnerëve ndodhin për shkak se ata që financojnë kërkojnë medoemos sukses. Nuk i intereson atij si shkon kampionati. Në të kaluarën kemi pasur lojëra të kurdisura, ku janë blerë pikët. Ndërsa skuadra tjetër që ka pasur kuadër shumë të fortë nuk ka mundur të bëhet kampion, për arsye se dallaveret që kanë bërë me shitblerje e kanë mohuar lojën në fushë cilësinë. Mirëpo, këta i dinë të gjitha allashverëshët që i bëjnë ndërmjet vete, prandaj frikësohen. Ata i vendosin gjërat “nën tepih”.

Dikur basketbolli ka qenë sporti numër një në Kosovë. Sot po përcillet shumë pak. Pse kjo rënie?

Kasapolli: Së pari, është pandemia në pyetje. Kur Kosova ka qenë pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë basketbolli ka qenë si në konkurrencën e meshkujve, edhe në atë të femrave në elitë. Unë kam qenë vetë që kam luajtur në Buducnostin e Pejës, në ligën ku kam luajtur kam qenë koshashënues me vite të tëra. Më vonë kam qenë trajner i Universitetit. Basketbollistet femra kanë qenë krenaria e sportit në Kosovë. Mos harroni se ato vajza kanë bërë garë në ligën më të fortë të Evropës, atë të ish-Jugosllavisë. Ndërsa këta sot flasin për disa suksese. E çfarë suksesi është kur një ekip i femrave humb me 80 pikë diferencë. Çfarë suksesi është kur reprezentacioni i Kosovës në basketboll nuk shënon asnjë fitore. I rrejnë njerëzit se këto janë gara kualifikuese, nuk janë kualifikuese. Do të thotë se janë fillimi i garave parakualifikuese prandaj janë tërhequr nga garat ndërkombëtare. E kanë formuar ligën shqiptaro-shqiptare, që është një gënjeshtër.

Si mund të “kthjellet” sporti në Kosovë?

Kasapolli: Para se të zgjidhet herën e fundit Besim Hasani si kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, unë kam deklaruar në gazetën tuaj se do të jetë katastrofë për sportin kosovar, rizgjedhja e tij. Kjo edhe na ndodhi. Jo vetëm që kemi stagnuar, por edhe kemi shkuar shumë mbrapa. Unë ju thashë edhe pak më parë se aty mbretëron udhëheqje e feudëve, të cilët bëjnë çfarë të duan. Si të dilet nga kjo situatë, kjo nuk vlen vetëm për Komitetin Olimpik, por për të gjitha degët sportive. Duhet medoemos në të gjitha federatat, aty ku janë zgjedhur kryetarët e deritanishëm, të anulohen zgjedhjet, të shkohet në zgjedhje të reja. Të zgjidhen kryetarë të përkohshëm njëvjeçarë në të gjitha federatat dhe në Komitetin Olimpik. Gjatë periudhës njëvjeçare në baza deleguese të bëhen riorganizimet dhe po ashtu t’i vendosin njerëzit për gjashtë muaj ose një vit në mënyrë që të fillohet nga zeroja, momentin kur bëhen riorganizimet në bazë, pastaj shkohet më lart në Federatë dhe në Komitet Olimpik. Tek pastaj duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Në sportin e Kosovës qe 60 vjet nuk ka pasur zgjedhje të rregullta. Gjithmonë kanë qenë zgjedhje të kurdisura. Kur thashë kryetar me një vit mandat, ai njeri duhet të sakrifikohet. Siç jemi sakrifikuar në kohën e okupimit për pavarësimin e sportit. Ky është rasti më i mirë të dëshmojmë se ne e duam atdheun tonë, Kosovën. Të vendosen njerëz në federata që ia duan të mirën sportit. Komiteti Olimpik e ka njeriun e përgatitur për kryetar. Nuk ma merr menja që ka njerëz në Kosovë të cilët nuk pajtohen që Majlinda Kelmendi të zgjedhet kryetare e Komiteti Olimik. Ishte dashur që në këtë post të vjen në mënyrë plebishitare, sepse pas Tokios që zhvillohet sivjet, Majlidna e përfudon karrierën. Ajo është profesoreshë e kulturës fizike, flet dy gjuhë të huaja. Shtrohet pyetja A ka dikush që do të ishte kundër këtij propozimi.Kemi ne emra tjerë meritorë që mund të konkurojnë për kryetar të Komitetit Olimpik. Mos e harroni emrin e Rita Zeqirit, pjesëmarrësë në olimpiadë, vajzë me fakultet të kryer dhe me njohuri të shkëylqyeshme të dy gjyhëve botërore.Është koha që në krye të Federatës së Futbollit të vjen një ish-futbollist me nam që flet disa gjuhë të huaja. Kuptohet, ai afër vetes do të sjellë njerëz, biznesmen dhe njerëz që I ndihmojnë futbollit kosovar. Vetëm kështu ne mund të shkojmë përpara. Këto që janë bërë deri më tani, ka qenë humbje kohe dhe uzurpime të posteve që kanë shkuar në dëm të sportit. Kësaj i thonë “shkoi Murta erdhi Kurta”. Me ardhjen e qeverisë së re të shpresojmë se duhet urgjentisht të merren iniciativa, sidomos kjo iniciativë për të cilën folëm më lart. /Zeri.info

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.