“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri më 1924.

Patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor dhe skulptor, i shkathët në gjimnastikë, kalërues i mrekullueshëm, shenjëtar shumë preciz, mësues shëtitës që punoi shumë për përhapjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke, zotërues i disa gjuhëve të huaja, si turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht, lindi më 14 korrik 1868 në Aka (Kaukaz), në kohën e internimit të babait, Saidit. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer” të Stambollit, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” po ashtu në Stamboll. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, me që babai i tij ishte miku i familjes Frashëri, ai banoi në shtëpinë e tyre. Në këtë shkollë ku Murati i vijonte mësimet, ndiqte studimet edhe Asija, e bija e Sherif Frashërit, (1843-1874) vëlla i dytë i Abdylit. Mbasi që Sherifi kishte vdekur i ri, në moshën tridhjetë e njëvjeçare, Asijën e bijë soj (adoptoi) Naimi, i cili tregoi kujdes prej prindi për të. Në një ambient të tillë Murati pati rastin të njihet me Asijen. Kjo njohje motivoi në lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa që më vonë me pëlqimin e gjithë vëllezërve Frashëri, këta dy të rinj u fejuan e më pas edhe u martuan. Më vonë lidhjet në mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë, kur Vesimeja, motra e Murat dhe Refik Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Asija bashkëshortja e Murat Toptanit, ishte një grua me kulturë të rrallë për atë kohë, e arsimuar në shkollat më të përparuara të Janinës dhe Stambollit, njohëse e mirë e tri gjuhëve të huaja, frëngjishtes, turqishtes dhe greqishtes. Nga një letër që Murati ia drejton Asijes nga Vjena, (përmbajtjen e së cilës do ta paraqesim më vonë), kuptojmë se ajo duke e qortuar të shoqin i cili vazhdonte të qëndrojë larg familjes, e informon për vuajtjet dhe mundimet e saj. Murat Toptani nga i ati trashëgoi atdhedashurinë dhe patriotizmin e thjesht dhe entuziast, ndërsa që këto tipare tek ai u nguliten edhe më thellë gjatë shkollimit në Stamboll, e veçanërisht bisedat që në fillim i zhvillonte me Abdyl Frashërin në shtëpinë e tij dhe më pas, me Naimin dhe Samiun, të cilët me të vërtet lozën një rol të madh në qëndrimet e tija burrërore dhe në edukimin e tij në përgjithësi. Kështu Murati, për të cilin një kujdes të veçantë tregoi Naim Frashëri, u bë një nga nxënësit më të zellshëm të tij, i cili pati rastin të lexoi në dorëshkrim krijimtaritë e poetit tonë të madh-Naimit, nëpërmes të cilit Murati u njoh me Hasan Tahsinin, Shahinë Kolonjën dhe intelektualë të tjerë.

Ju pëlqen!

Me të përfunduar studimet e larta në “Gallta Saraj” më 1894, dhe pas martesës me Asijen në vitin 1895, Murati bashkë me të shoqen vendoset në Tiranë, ku i përkushtohet tërësisht çështjes kombëtare.

Të parinbust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898 dhe një në Tiranë, në vitin 1917. Më vonë, bustin në Tiranë e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale, Odhise Paskali.

Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike.

Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit.

Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezije në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”.

Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje dhe dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.

“Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë” Murat Toptani – veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.