Gjatë ditës së premte, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, janë takuar zyrtarisht për normalizimin e marrëdhënieve për të krijuar qeverinë e re.

Pas takimit të grupeve punues për harmonizimin e programit qeverisës në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës , përfaqësues të këtyre dy subjekteve politike kanë thënë se kanë dokorduar qind për qind programin qeverisës, ndërsa, marrëveshja për koalicionin qeverisës mund të nënshkruhet javën që vjen.

Albulena Haxhiu nga VV tha se të gjitha çështje programore janë finalizuar.

Ju pëlqen!

Haxhiu u shpreh optimiste se deri në fillim të javës së ardhshme do të nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës mes VV-së dhe LDK-së.

Haxhiu paralajmëroi se pozita e presidentit është përgjegjësi e liderëve që beson se në takimin që do të jetë shumë shpejt do të diskutohet.

 “Sot në takim me përfaqësues të LDK-së, mund të them me përgjegjësi të plotë, se të gjitha çështjet në kuptimin programor që kemi pasur dhe për të cilat nuk kemi pasur një pajtim më herët, sot janë finalizuar. Sa i përket programit qeverisës 100 përqind, ne kemi arritur pajtim të plotë. Drafti programor qeverisës shumë shpejt ose pas marrëveshjes së nënshkruar do të bëhet publik. Për çështjet që kanë të bëjnë për ndarjen e përgjegjësive, besoj se para të hënës do të ketë takim ndërmjet kryetarëve dhe jemi optimist që marrëveshja do të nënshkruhet deri në fillim të javës tjetër”, tha Haxhiu.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri pas takimit të grupeve punese me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se ndarja e përgjegjësive, struktura e qeverisë janë çështje që do të diskutohen në ditët në vazhdim nga liderët e partive.

Haziri tha se për çështjen e pozitës së presidentit është tejkaluar.

Haziri: Çështja e pozitës së presidentit është tejkaluar

“Asnjë punë nuk lihet për më vonë, nuk është çështje që na dallon tash (pozita e presidentit), dhe është çështje që është tejkaluar. Nuk ka çështje që e parandalon apo e përshkallëzon raportin e ndërtuar deri tash, edhe çështja e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit janë çështje që do të zgjidhen ne negociatat e drejtpërdrejta mes partnerëve pas një lloj problemi. Është përballuar gjithçka që ka me çuar deri te vendimi. Sa po të jetë gati dokumenti (do të nënshkruhet marrëveshja)”, tha Haziri.

Kryetari i Gjilanit, tha se pas takimit të djeshëm mes liderëve, kanë arrit t`i përmbyllin politikat sektoriale dhe çështjet që lidhen me draft-kornizën e marrëveshjes së koalicionit të pritur mes LDK-së dhe VV-së.

Haziri: Për ndarjen e përgjegjësive, strukturën e qeverisë do të diskutohet në takimin e radhës

“Ndarja e përgjegjësive, struktura e qeverisë janë çështje që do të diskutohen në takimin e radhës mes liderëve, janë çështje që janë përfshirë në strukturën dhe draft-kornizën e marrëveshjes në pajtueshmëri të dy anshme. Për LDK-në pjesa kryesore e punës janë politikat sektoriale të programit qeverisës, parimet kryesore në vendosjen e dialogut dhe raporteve me Serbinë dhe me fqinjë të tjerë. Po ashtu, edhe politika integruese në BE dhe në NATO, janë çështje me interes. Pjesa e dytë e punës besoj që është hap i cili do të përmbyllet pa asnjë problem”, theksoi Haziri.

Ndërsa, Albulena Haxhiu deklaroi se konstituimi i kuvendit të ri, varet edhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sipas të cilës, edhe duhet të respektohen afatet ligjore nga ana e tij.

Zogiani: Nuk shoh pengesa

Që nuk ka asnjë pengesë në raport me krijimin e qeverisë, e konfirmoi edhe Avni Zogiani, i cili tha se nuk sheh asnjë pengesë që brenda dhjetorit të krijohet qeveria e re.

Image

Avni Zogiani

“Nuk shoh asnjë pengesë që Parlamenti të konstituohet dhe që qeveria të bëhet brenda gjysmës së parë të dhjetorit. Për aq sa dihet, ekziston asnjë pengesë serioze e as procedurale”, tha ai.

“Qeverisja e re të sillet krejt ndryshe nga qeveritë e komandantëve”

Nga ana tjetër, politologu Enver Bytyçi, tha se Vetëvendosja është opozitarja tipike, gati dhjetëvjeçare, ndërsa LDK është opozitare atipike, sepse ka pak vite në opozitë.

Sipas tij, vota për opozitën ishte votë për ndryshimin. Shpresoj shumë që të mos jetë votë për zhgënjimin, siç ndodhi në Shqipëri me votimet e verës së vitit 2013.

Por, siç tha Bytyçi, që kjo votë të jetë për ndryshimin, atëherë duhet që qeveria dhe qeverisja e re të sillet krejt ndryshe nga qeveritë e komandantëve.

“Teorikisht duket se Vetëvendosja është e përkushtuar për këtë ndryshim të madh. Ndërsa Lidhja demokratike, me përvojë në qeverisje, e ka më të lehtë t’i shmanget gabimeve që çojnë në zhgënjim. Për këtë qëllim së pari me rëndësi është programi i qeverisjes. Pjesa teknike e këtij programi ka përfunduar me konsensusin e të dy palëve. Pjesa politike duhet të përfundojë shumë shpejt”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, theksoi se certifikimi i rezultateve kërkon që dy aleatët e koalicionit të nxitojnë. Sipas zotit Kurti shumica e kërkuar është arritur. Dhe ky është kusht për mandatimin e tij për kryeministër të Kosovës. Por duhen zgjidh edhe disa çështje politike të programit si dhe njerëzit të cilët do ta zbatojnë gjithë këtë program. Sa më shpejt, aq më mirë.

Image

Enver Bytyçi

“Rrugëtimi i këtyre dy partive do të jetë i suksesshëm, nëse realizohet programi politik bazuar në premtimet elektorale. Këto janë suksesi në dialogun me Beogradin. Më pas vjen lufta kundër korrupsionit dhe rritja e nivelit ekonomik e të mirëqenies së qytetarëve. Nëse qeverisja e re realizon  këto objektiva, të cilat çojnë në ruajtjen e balancës demografike, atëherë rrugëtimi i tyre në qeverisje do të jetë i suksesshëm. Përmbyllja e procesit të dialogut, duke arritur një marrëveshje të drejtë me Serbinë është sfidë tjetër në këtë rrugëtim. Kur flas për marrëveshje të drejtë kam parasysh revokimin e projekteve Thaçi-Vuçiq-Rama për ndryshim kufijsh ose për krijimin e ndonjë Republikës Srpska brenda territorit të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, me qëllim që të realizohen këto, ndryshimi që kërkon sovrani ka të bëjë edhe me disa aksione politike të përbashkëta të të dy partnerëve në këtë koalicion qeverisës.

“Së pari, duhet që koalicioni të jetë sa më i gjerë, bazuar në kriterin e ruajtjes së integritetit dhe parimit unitar për Kosovën. Mazhoranca e re ka nevojë për një numër deputetësh prej dy të tretave të parlamentit. Së dyti, kësaj mazhorance i duhet të ndryshojë Kosovën, duke e dërguar Hashim Thaçin në shtëpinë e vet politike të opozitës! Nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e ndajnë pushtetin me Thaçin president, nuk do të mundin ta realizojnë ndryshimin që duan qytetarët e Kosovës. Por, për këtë u duhen sa më shumë vota në parlamentin e vendit dhe së treti, rrugëtimi i përbashkët kërkon që njëri ose tjetri partner të mos kopjojë mekanizmat e intrigës së Partisë Demokratike për t’i dhënë fund këtij koalicioni në një moment të përshtatshëm për secilën palë. Zanzibarin e njohim të gjithë. Por njohim edhe intrigat për shkarkimin e Fatmir Sejdiut dhe largimin nga koalicioni, sapo Thaçi u bë president. Dmth nuk mund të ndërpritet bashkëpunimi në koalicion kur njëra palë plotëson interesat politike të saj”, tha ai.

Politiologu Bytyçi, përfundoi duke thënë se nëse ndodh kjo, rritet mosbesimi midis palëve dhe pa besueshmëri nuk ka rrugëtim të përbashkët.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!