Shkruaj, pastaj zhgarravis. Vazhdon kështu për shumë gjatë. Nuk e di pse sot lapsi nuk më bindet, frymëzimi im ka ikur larg.

Po ç’faj kam unë që fjalët e mia nuk munden të përshkruajnë portretin tënd?! Ti je ai imazhi i pandashëm i kujtimeve të mia. Ke qenë aty me mua edhe kur unë nuk e dija që isha me ty, je ninulla më e ëmbël, dora që më mbron, më përkëdhel. Je ajo që me entuziazëm të madh duartroket hapat e mi të parë, gërmëzimet e para, je kritikja nga e cila pranoj çdo mendim, je shtylla tek e cila mbështetem, burimi im i kurajos.

E di nënë! I gjithë blerimi i pranverës është kaq i zbehtë para syve të tu. Ndonjëherë kur kthehem nga shkolla, gjatë gjithë rrugës mendoj si do të të shpjegoj ndonjë të vërtetë të “dhimbshme“. Arrijë të krijojë një skenar shumë të sofistikuar, mbushur me zbukurime e manipulime, një histori fantastike plotë me gënjeshtra, të cilën jam gati për ta treguar. Dhe…kur përballem me atë shikim, e gjithë historia ndërtuar me aq mundim, shuhet në një sekond. Nuk mundem të të gënjej, nëse do ta bëja, do të jetoja me barrën e një kri mi të rëndë. Në fakt, gjithmonë kam menduar se si je aq e zonja në leximin e mendjes sime, ndonëse unë jam një aktore e mirë, ti gjithmonë e kupton atë që fsheh nga brenda. Ti nuk ke nevojë të shohësh lotët për të më pyetur pse jam e mërzitur, ndonjë ditë do të ma japësh edhe mua formulën e kësaj. Dua të të rrëfej diçka; ka raste kur unë nuk u bindem kërkesave të tua, më beso, nuk dua të të mërzis, por mua më pëlqen të fitoj pak vëmendje, të vjedh pak nga kujdesi yt.

Ju pëlqen!

Më pëlqen kur mundohesh të më bindësh të ha ushqim, kur më trajton si një fëmijë të llastuar. Më pëlqen kur gjatë natës, ndjejë dorën tënde tek më mbulon, kur me dashurinë tënde të madhe më largon mërzinë, kur së bashku mbjellim lulet e bukura të jetës. Më pëlqen prania jote, hija jote në rrezen time të shikimit. 

Unë gaboj karshi teje nënë, gaboj shumë, por falja jote i kalon kufijtë e mi, e di që unë të përqafoj rrallë, përveç takimeve të zakonshme si me të gjithë. Ndoshta akoma më rrallë, të shpreh ndonjë ndjenjë, të them që ti për mua ke shumë rëndësi, por e kam kaq të vështirë. Më ngjajnë ndonjëherë të tepërta veprimet, më duket vetja si një kukull e drunjtë, e akullt, pa ndjenja, por nuk e di sa herë mundohem të flas, në fyt më mblidhet një lëmsh gjigand.

E di nënë?! Ndjenjat e forta janë bërë për zemrat, ndoshta prandaj është e vështirë t’i nxjerrësh jashtë. Më fal për gjithçka të munguar nga unë, por dije këtë, unë të ruaj ty në thellësitë e zemrës sime, në vendin tim më të sigurt, nga i cili s’do të dalësh kurrë. Meqë s’u mjaftova nga fjalët e Botës, të shkrova ca rreshta me fjalë zemre. Ca rreshta për ty nënë nga vogëlushja jote. Nuk e di a të kam thënë ndonjëherë se të dua…

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!