Në vigjilje të festave të Nëntorit

Abdulla Mehmeti

KUR SHUMICA TË MENDOJNË E VEPROJMË SHQIP, ËSHTË E BËRË SHQIPËRIA

Shqiptarët kudo që jetojnë, në shtetet e veta kombëtare, në trojet etnike në shtetet fqinje, apo në shtetet tjera dhe në mërgatë, para se të mendojnë për bashkimin e tyre fizik duhet të krijojnë koncept të qartë për procesin e bashkimit kombëtar, edhe atë:

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

1. Përderisa forcat kundërshtuese, që i mbajnë të ndarë shqiptarët dhe të copëtuara trojet etnike të tyre, janë me ndikim më të fuqishëm se sa forcat që përpiqen për bashkim kombëtar, ky proces mund të vazhdojë në pafundësi, nuk mund të përfundojë në kohën e duhur dhe me sukses, siç pritet.

2. Kur bëhet fjalë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, para se të mendohet për bashkimin fizik të tyre duhet të mendohet dhe punohet për bashkimin e hapësirës së tyre jetësore, të territoreve etnike, të cilat nuk mund të bashkohen para se të çlirohen nga ndikimi i forcave që ende i mbajnë ato të ndara, përderisa ato janë dominuese dhe e pamundësojnë këtë proces.

3. Para se të mendojnë për bashkimin fizik të tyre, shqiptarët duhet patjetër të punojmë për bashkimin shpirtëror, ndërtimin e sistemeve të njësuara të vlerave, për një gjuhë standarde të mbrojtur me ligj nga ndikimet e huaja, me një flamur kombëtar, ku flamujt shtetërorë mund të jenë në përdorim ceremonial, me një sistem të vlerave kulturore, mbrojtje të trashëgimisë dhe traditave kombëtare pozitive.

4. Të forcohen lidhjet mes shqiptarëve kudo që janë, duke mbajtur përherë llogari se 2/3 e shqiptarëve jetojnë nën sovranitet të huaj dhe në botën e jashtme.

5. Institucionet shkencore duhet të bashkëpunojnë ngushtë mes vete për rishkrimin e një historie të vetme të popullit shqiptar, të pastruar nga ndikimet politike dhe ideologjike, pa ndasi fetare dhe krahinore, apo çfarëdo ndarje e dallimi tjetër mes shqiptarëve, të imponuar nga sundimet e huaja në të kaluarën.

6. Potencialet e një kombi nuk forcohen vetëm me bashkimin fizik të njerëzve me prejardhje të njëjtë dhe aspirata historike të përbashkëta, por edhe përmes potencialit ekonomik dhe fuqisë ushtarake mbrojtëse të tyre, të cilat duhet të jenë kompatibile dhe të njëkohshme me idenë e bashkimit fizik dhe shpirtëror të shqiptarëve.

7. Për bashkimin e njëmendtë të një kombi, pjesëtarët e tij duhet të krijojnë sistem identifikimi të brendshëm mes tyre dhe në marrëdhënie me të tjerët, paraqitje të jashtme me veçori dalluese, si shqiptarë, me gjuhë, me emrat personalë dhe mbiemrat, emërtimin e institucioneve, brendeve ekonomike, të kulturës, artit, sportit etj.

8. Secili që e ka në zemër bashkimin kombëtar, nuk duhet të bëhet pre e propagandave politike e partiake, por ditenatë duhet të mendojë dhe punojë për këtë qëllim, për krijimin e sistemeve të përbashkëta në ekonomi, financa dhe investime, sistem bankar unik, sistem unik të infrastrukturës dhe komunikimeve, sistem unik në arsim, kulturë, shkencë, art, sport, sidomos me forca të armatosura mbrojtëse, të mjaftueshme për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe qenies kombëtare, duke hulumtuar modalitete të përshtatshme të kësaj sigurie në përputhje me të drejtën ndërkombëtare edhe në territoret dhe hapësirën etnike shqiptare jashtë shteteve kombëtare, si përmes anëtarësimit në NATO, krijimin e formacioneve të policisë lokale në rajonet ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë në shtetet fqinje etj.

9. Përderisa shqiptarët dhe institucionet e shtetit, edhe pas një shekulli pavarësie nuk janë të aftë t’i ndryshojnë toponimet, me riemërtimin e viseve dhe vendbanimeve të veta, që aktualisht janë në gjuhët e pushtuesve të dikurshëm, për shkak edhe të ndalesave politike për studimin e të kaluarës së lashtë të shqiptarëve; përderisa shumica e shqiptarëve edhe sot më tepër preferojnë fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emra të huaj, që asnjë kuptim nuk kanë në gjuhën e tyre amtare, nuk lidhen me qenien, traditën, kulturën, historinë dhe gjuhën që e flasin; përderisa e ndjejnë veten shqiptarë, ndërkohë ende mbajnë mbiemra që identifikohen para botës si të huaj, si p.sh. mbiemrat rusi, bugari, tartari, çerkezi, turku, çeku, boshnjaku, arabi, maxhari, gjermani, maqedonci, etj., çështja e bashkimit kombëtar mund të mbetet vetëm një agjendë politike e parealizuar, jo edhe përkushtim i fuqishëm kombëtar.

10. Të mos harrojmë se, bashkimi kombëtar nuk nënkupton detyrimisht krijimin e një shteti të përbashkët dhe të vetëm të shqiptarëve, por varësisht nga rrethanat ky proces mund të zhvillohet natyrshëm edhe në forma të tjera më të avancuara dhe bashkëkohore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, që ua mundësojnë proceset integruese globale dhe teknologjitë e reja të komunikimit.

Kur shumica e shqiptarëve do të mendojnë, punojmë dhe veprojmë shqip, Shqipëria do të jetë e bërë.

(17.XI.2019)

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...