Një udhëtim interesant në të shkuarën dhe të tashmen propozon cikli i radhës me foto reportazhe realizuar nga gazetari shqiptar në Zvicër, Rexhep Rifati për portalin “Prointegra”.

Duke kaluar dhe dokumentuar historinë në 52 katunde arbëresh Rifati synon të sjellë një pasqyrë të plotë të asaj çka është dhe çfarë është trashëguar nga kultura jonë në komunitetin arbëresh.

Udhëtimi do të nisë me vendlindjen e De Radës, katundin Maqi, vendin ku gazetari thotë se për herë të parë u gjend në mesin e vëllezërve arbëresh. “Këtu 50 vjet më parë bashkë me gjeneratën e studentëve të vitit të katërt të studimeve në Albanologjikun e Prishtinës, në cilësinë e absolventit, sikur mu ngulit diç në shpirt e në zemër, sa edhe tani kur po hyj në të 79-tat sikur edhe më tej jetoj me atë ndjenjë. Pra këtu e 50 vjet më parë, në pranverë të vitit 1971, kur shkova për të parën herë në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë, pash se ndonëse kishin kaluar mbi 5 shekuj nga ndarja fizike, se jetonte edhe më tej mes nesh të ndarë nga Adriatiku apo Joni, ndjenja e pashkëputshme shpirtërore, se ajo lidhje ishte fut si ndërlidhje e brendshme në vetëdijen tonë, ndonëse arbëreshët më thanë se edhe ju që nuk po jetuakëshit në Shqipëri qenkeni “gjak i shprishur”, por unë duke mos e kuptuar mirë këtë shprehje u thash se as ju e as ne nuk jemi “gjak i prishur”, shkruan Rifati.

Ju pëlqen!

“Macchia Albanese”, një fshat antik mes ullishtave të argjendta në jug të Pollinos

Sa i përket vet Maqit (Macchia Albanese) është një fshat antik që ngrihet midis kodrave të ulëta dhe dhe ullishtave të argjendta, në jug të Pollinos. Vetëm disa kilometra nga qendra e kulturës arbëreshe Shën Dhimitri. Historia e Maqit, karakterizohet nga një sërë ngjarjesh që variojnë nga rreth vitit 1400, të tilla siç ishte eksodi i madh i shqiptare të cilët u zhvendosën në Italinë e Jugut, ish-mbretëria e Dy Sicilive. Një pjesë e popullsisë u vendos në Maqi ( Macchia Albanese) duke krijuar një komunitet të vërtetë. Karakteristike është se në një rrip shumë të vogël toke të këtij katundi të lashtë arbëresh, kanë lindur dhe janë zhvilluar personalitete të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, që i kanë kaluar kufijtë jo vetëm Kalabrisë, duke u bërë figura me përmasa kombëtare.

De Rada sikur pret vizitorët me “mirëseardhje” në shesh të Maqit

Zakonisht kur vizitori arrin nga Shën Mitri në Maqi, përballë kishës, në shesh, sikur e pret busti i poetit me një “mirëseardhje”, aq më parë që shumica e vizitorëve duan të kenë foton e parë para këtij busti të De Radës. Është kjo pamja e një figure të gdhendur në bronz po e cila thuaj se njihet prej të gjithë shqiptarëve, ashtu plak e në moshë të thellë. Një udhëpërshkrues e skicon atë se si: “Ka një fytyrë të menduar, por edhe disi të përvuajtur”. Por a do të meritonte më shumë kjo figurë madhore me përmasa kombëtare gjithsesi se po. Në Kalabri përndryshe mund të hasim bustet e këtij poeti edhe në oborrin e Kolegjit Shën Adriani në Shën Mitër dhe në katundin Ungra. Pas Skënderbeut në mesin e arbëreshëve, De Rada është i përfaqësuar me më shumë buste dhe foto e piktura edhe në muzetë e kësaj ane. Një bust të tillë për De Radën ka ngrit edhe vet qyteti im Ferizaj, ku njëra nga shkollat fillore mban emrin e tij.

Shtëpia shekullore e De Radëve jashtë çdo kujdesi!

Edhe atë botë, para gjysmë shekulli e edhe së fundmi, kur vetëm brenda këtij viti isha tri herë në vendlindjen e poetit tonë të madh, në Maq (Macchia Albanese), thuaja se ky katund i vogël rreth 5 kilometra nga Shën-Mitri, ku zakonisht De Rada kishte udhëtuar me gomar për mbajtjen e mësimit në Kolegjin e Shën Adrianit, thuajse nuk kishte ndryshuar fare. Madje vet shtëpia për fat, sa po vjen e dëmtohej edhe më shumë nga viti në vit. Vërtetë është e dhembshme sesi shtëpia e vjetër shekullore e derës së madhe të De Radëve është jashtë çdo kujdesi, pa kurrfarë riparimi!

Vetëm, kur isha herën e fundit në Maqi gjatë Festës së Pashkëve në vitin 2019, përherë të parë arrita të hy edhe brenda saj, aty ku jetonte e vetmuar mbesa e poetit Nikolina de Rada, e cila na dhuroi një sërë ëmbëlsirash që kishte përgatit për festë, sa mua dhe bashkudhëtarit tim artistit të valleve shqipe, Sherif Dakaj, me banim në Zvicër, do na mjaftonin gjatë gjithë qëndrimit tonë në Kalabri!

Ajo që arritëm të kapim me objektiv brenda atyre dhomave ishin ca fotografi të vjetra qoftë ato të poetit, të afërmeve të tij apo edhe të pasardhësve, por shumë nga to kishin filluar edhe të dëmtohen. (disa nga to si ilustrim janë edhe në këtë shkrim).

Poeti me të birin prehen brenda kishës

Përndryshe po në vitin 2019 isha edhe për në një vizitë në Maki bashkë me veprimtarin Gjergj Prenkoçaj dhe poetët Bajrush Zeka dhe Ilir Xheladini, me të cilët hymë edhe brenda kishës në qendër të fshatit ku është i varrosur poeti De Rada me të birin e tij, brenda në njërin nga muret e brendshme të kësaj kishe. Përndryshe në Maqi, që njihet si komunë në vete, lindën edhe emra tjerë të shquar, si : Zef De Rada (1852-1883) poet dhe gramatikan si dhe filologu Mikel Markiano e të tjerë.

Trungu i familjes së De Radëve mbi 7-të shekullor!

Disa fjalë sa i përket poetit dhe trungut të tij familjar, ca rreshta nga Ylli Pollovina: “ Jeronim De Rada ka lindur në Maqi në 29 nëntor 1814 dhe ka vdek më 28 shkurt 1903. Ai nuk është një arbëresh “klasik”, pra një nga ata që kanë pesëqind vite në Itali. De Rada nuk ka mërguar pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. De Radat kanë shtatë shekuj në ato anë. Stërgjyshërit dhe babai i tij vinin nga Pjetër Anton Rada, refugjat nga Shqipëria e para një mijë e treqindës. Këtë vit për herë të parë në një kontratë shitblerjeje të gjetur në arkivin e Venedikut thuhet se “Një farë Pjetër Antoni është i pari i shtëpisë Rada, të cilin e gjejmë në librat e pagëzimit të Maqës….”

Jo i pranishëm në Motin e Madh të Gjergj Kastriotit dhe me një kryevepër si “Skënderbeu i pafan”, i papranishëm në Shqipëri që prej gjashtëqind vitesh e megjithatë i tillë me një vepër kolosale në mbrojtje të saj, ky arbëresh e shqiptar i madh deri sa në moshën 89 vjeçare u fik mbeti në dritare me sytë nga deti.

Tani sa herë që mund të shkosh në atë banesë dhe të hysh në dhomën e De Radës të ruajtur me po ato orendi që kishte atëherë, tek sa me një frymë shkon tek dritarja të përjetosh po atë veprim që ai bënte më shumë se një shekull më parë, të kap menjëherë një trishtim i madh. Deti nuk duket. Një pemë e madhe me degë të harlisura, ndoshta njëqindvjeçare, zë gjithë pamjen. Është dëshmi shumë tronditëse se De Radë nuk ka më”…

Një dëshmi tjetër për trungun e hershëm të familjes se De Radëve është edhe një rrotë mulliri që gjendet ngjitas me shkallët që çojnë në katin e dytë, me një mbishkrim që daton që nga viti 1659./teksti dhe fotot: Rexhep Rifati.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.