Sot është koha dhe momenti më i volitshëm për themelimin e një partie të re shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Një parti që lufton për të drejtat e shqiptarëve për t’u bërë qytetarë plotësisht të barabartë, në kuadër të shtetit që ekziston. Partitë që kemi kanë dështuar, janë korruptuar dhe kanë humbur integritetin moral. Neve na duhet një parti me një vizion modern për ardhmërinë e shqiptarëve, me një program politik të tillë që përqëndrohet mbi të gjitha në ngritjen e cilësisë së jetës së shqiptarëve, por edhe në ndërtimin e një shteti modern dhe mbinacional ku të gjithë kontribojnë dhe përfitojnë barabartë nga zhvillimi i shtetit. Ne jemi mjaftueshëm të fuqishëm dhe mjaftueshëm të arsimuar për t’i kërkuar të drejtat tona, për ta detyruar shtetin të i plotësojë nevojat tona politike, kulturore dhe arsimore. Por kjo kërkon njerëz që nuk shiten, që nuk mund të kërcënohen dhe shantazhohen. Kërkon njerëz me integritet të lartë moral, të tillë që nxjerrin interesin e popullit para interesit të tyre vetjak.

Ne duhet të luftojmë jo kundër maqedonasve, por me maqedonasit për një shtet modern ku të gjithë trajtohen barabartë. Sa më shumë shteti vazhdon në këtë mënyrë disfunksionale, aq më shumë do të vuajnë të gjithë qytetarët e saj. Edhe maqedonasit vuajnë sepse kostoja e një shteti jo stabil është më e lartë se kostoja e të jetuarit me dinjitet dhe liri e barazi të plotë.

As shqiptarët dhe as maqedonasit dhe etnitë tjera nuk munden të rrinë duarkryq para zhvatjeve të pasurive të tyre dhe rrëmbimit të ardhmërisë së tyre. Ne kemi nevojë për një parti me ideale por pa romantizëm nacional ku do të jetojmë të ndarë nga njëri tjetri. Nëse duam të jetojmë në këtë shtet atëherë duhet të kujdesemi që ta ndërtojmë atë bashkarisht, që ky shtet ta pasqyrojë pluralizmin politik, etnik dhe kulturor. Ne nuk mundemi të jetojmë ndaras nga maqedonasit por as nuk mund të jetojmë të nënshtruar e të diskriminuar. Nuk ka kuptim ta kapim ndonjë flamur nacionalist por njëkohësisht nuk ka po ashtu kuptim të pranojmë ndonjë status më pak se plotesisht të barabartë.

Ne sot si shqiptarë nuk jemi të barabartë; këtë padrejtësi mund ta ndryshojmë dhe ta ndryshojmë shpejtë, por jo në kuadër të partive aktuale shqiptare.