Pak ditë më parë në media qarkulloi një deklaratë e kryeministrit grek, Alexis Tsipras që kërcënonte Shqipërinë me veto në procesin e anëtarësimit në BE, nëse qeveria shqiptare vazhdon me problemet me pronat e zonës së Himarës. Në fakt Tsipras ka luajtur të njëjtën lojë që kanë bërë edhe kryeministra të tjerë dhe kjo ka vlerë tani që në Greqi pritet të nisë fushata elektorale.

Nga ana tjetër, qëndrimi i kryeministri grek është një sinjal real dhe mbështet banorët e zonës së Himarës që nuk po marrin dot pronat e tyre. Qeveria shqiptare u tha se hoqi nga Fletorja Zyrtare një vendim që kishte të bënte me këtë çështje dhe e kaloi pa ndonjë reagim paralajmërimin e Tsipras. Pak ditë pasi kryeminstri grek bëri këtë paralajmërim, në mediat greke u publikua vrasja në burgun e Koridhalos të shtetasit shqiptar Arbër Bako. Nga pamjet duket qartë se rojet e burgut nuk lëvizin gishtin për të ndërhyrë, çka jep të dyshosh se Bako është lënë të vritet.

Politikisht ky ishte një rast konvenient që qeveria shqiptare e z. Edi Rama të reagonte duke kërkuar siguri për shtetasit shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet greke. Dhe siguria nuk po kërkohet të jetë e posaçme, por konform standardeve të gjithëpranuara. Kjo mund të kundërbalanconte mesazhin e Tsipras. Por qeveria e z. Rama dhe Ministria e z. Cakaj, nuk bënë asgjë.

Ju pëlqen!

Në fund shqiptarët mbeten rrugëve të botës me dy duart për një kokë dhe me hallin më të madh shtetin shqiptar.

Është një tjetër rast që ilustron sesi politika në këtë vend nuk udhëhiqet nga programe, por nga perceptime personale. Nga momente emotive dhe nga intuita e Skënderbeut të shekullit të 21-të. Ndoshta zoti Rama ndjen se nuk duhet të acarojë marrëdhëniet me Greqinë dhe gëlltit çdo gjë, çka në fakt e ka si cilësi kryesore karakteriale. Ndonëse në mënyrë komike ai paraqitet edhe në Rrajcë të Librazhdit I shoqëruar nga tre ambasadorët kryesorë në Tiranë, që bëjnë shamatë të madhe lart e poshtë për reformën në Drejtësi, kryeministri i Shqipërisë nuk ka kohë që të flasë diçka për shqiptarët në Greqi. As ka shkuar madje ndonjëherë në këtë vend, të takojë emigrantët. Dhe është e qartë – kush e njeh e di mirë – se nuk ndodh kjo vetëm për zgjedhjet dhe kapriçot personale të z. Rama që bën politikë përmes komplekseve të veta. Ai shmangu një takim edhe me ish-kryeministrin Andonis Samaras vetëm e vetëm se ky I fundit nuk e begeniste gjeniun e Tiranës.

Nuk po shtyhemi më tutje në koniunkturat personale që krijon z. Rama me Erdoganin, apo me pretendimin mendjemadh se ai do të takohej me një kryeministër grek vetëm kur të nënshkruhej heqja e ligjit të luftës dhe të vendosej barazia mes palëve. Sepse këto rezultuan politikë në hava. Por po nënvizojmë se heshtja e qeverisë së Shqipërisë për ngjarje të tilla konfirmon edhe njëherë se përse atë nuk e merr kush seriozisht gjëkundi. Se pse ajo nuk është asgjë më shumë se një bandë e armatosur, e specializuar në trafik hashashi, koncesione, prishjen e kishave natën, prishje banesash dhe në shitjen e lirë të qytetarëve të vet.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!