Në fjalimin mjeran, që mbajti në 20 tetor para ministrit të jashtëm grek Dendias, ku ishte lumturuar sikur i kishte ardhur presidenti amerikan apo presidenti i tij francez apo sikur kishte përpara Kontin Çiano, kryeministri Edi Rama tha se do çojnë në Hagë “çështjen e detit”.

Fjala “çështje deti” është kaq amorfe dhe pa gjini sikur të thuash “çështje toke” apo “çështje ajri”, që s’mund të jenë objekt gjykate, sepse në gjykatë nuk shkon tematika, por shkon një konflikt konkret për kufirin detar apo tokësor, për shelfin kontinental apo për Zonën Ekonomike Ekskluzive.

Është interesant se nuk e thonë dhe nuk e dinë se çfarë do të çohet në Hagë as klakerët e kryeministrit, të PS, të PD, të Greqisë, të cilët po përkrahin idenë greke të kryeministrit shqiptar për të shkuar në Hagë.

Ju pëlqen!

Frazat dogmatike shkollareske për nevojat e miqësisë dhe fqinjësisë së vjetër, për parimet e zgjidhjes së çeshtjeve në Gjykatë apo për prestigjin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fraza që shprehin kompleksin klasik të inferioritetit shqiptar, për të mos thënë shprehin edhe sponsorizime greke, nuk e mbulojnë dot lakuriqësinë e kurthit grek të Gjykatës Ndërkombëtare.

As qeveria dhe as propagandistët e majtë dhe të djathtë të inamoruar me Gjykatën Ndërkombëtare nuk e thonë nëse do të çohet në Hagë marrëveshja e detit e vitit 2009 e qeverisë Berisha apo marrëveshja e detit e Korçës e vitit 2018 e qeverisë Rama; do të çohet në Hagë çështja e shelfit kontinental apo çështja e zonave ekskluzive ekonomike, për të cilat nuk janë zhvilluar ende bisedime të veçanta.

Mediat greke shkruanin në 21 tetor për një letër të përbashkët të hartuar nga qeveria e Greqisë dhe qeveria e Shqipërisë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Pse nuk i thotë kryeministri shqiptar publikut se çfarë objekti për shqyrtim i paraqet kjo letër e dy qeverive Gjykatës Ndërkombëtare??

Greqia vetëm për zonat ekonomike ekskluzive bisedoi 43 vjet me Italinë, bisedoi 15 vjet me Egjiptin, ka 47 vjet që bisedon për shelfin dhe zonat ekonomike me Turqinë dhe nuk është arritur gjë. Greqia me këto shtete ka pasur bisedime dhe mosmarrëveshje vetëm për një çështje dhe nuk i çoi kurrë në Gjykatën Ndërkombëtare.

Është e vetmja Shqipëria nga gjithë vendet me lidhje detare me Greqinë, që vrapon të shkojë në Gjykatë Ndërkombëtare!

A nuk është rasti për të shtruar pyetjen se çfarë e detyroi kryeministrin Edi Rama të shkonte në ekstremin e kundërt të Edi Ramës kryetar i PS në opozitë dhe të pranojë kërkesën greke për Gjykatën Ndërkombëtare, kur dy vendet nuk kanë konflikt zyrtar me njeri-tjetrin as për shelfin kontinental dhe as për zonat ekonomike ekskluzive? Kanë vetëm bisedime të filluara!

Nëse marrëdhëniet e qeverisë Rama me qeverinë Micotaqis janë aq të shkëlqyera sa e mallëngjyen kryeministrin në konferencën me ministrin e jashtëm grek, pse është nevoja të shkojnë në Hagë, kur mund ta zgjidhin së bashku?!

Por Haga i duhet kryeministrit për të larë duart si Ponc Pilati se kryqëzimin e detit territorial shqiptar po e bën një Gjykatë Ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë logjikë që kryeministri u mburr në 21 tetor se ka qenë qeveria e tij që ka kërkuar rifillimin e bisedimeve detare me Greqinë. Por nuk tha se për çfarë arsyesh qeveria e tij e ka kërkuar rifillimin e bisedimeve detare dhe cili është objekti që qeveria e tij ka propozuar për këto bisedime.

Kryesorja, nuk tha pse kishte nevojë qeveria e tij të rihapte bisedimet detare me Greqinë me të njejtin objekt të marrëveshjes së anuluar të vitit 2009, kur Gjykata Kushtetuese i kishte vënë rrasën e varrit marrëveshjes së dëmshme detare të vitit 2009 me Greqinë??!

Kryeministri rrotulloi si penel gjuhën, sepse ai nuk mund të thotë të vërtetën se në Hagë praktikisht po shkon kufiri shtetëror detar i Shqipërisë. Nuk mund ta thotë, sepse ai ringjalli në mes të kryeministrisë kufomën e marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009. Nuk mund ta thotë, sepse kryeministri po shkel me të dy këmbët vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të 15 prill 2010, që e çvleftësoi dhe bëri nul marrëveshjen antikombëtare të vitit 2009, sepse ajo kishte cënuar kufirin shtetëror detar dhe integritetin shtetëror të Shqipërisë!

Nuk mund ta thotë kryeministri të vërtetën, sepse të vesh në dyshim dhe të çosh në gjykatë ndërkombëtare kufijtë detarë, të cilët në “Aktin përfundimtar të delimitimit të kufijve të Shqipërisë” janë vulosur nga fuqitë e mëdha në Paris në 30 korrik 1926 dhe janë pranuar e firmosur edhe nga qeveria e Greqisë, don të thotë të shkelësh Kushtetutën e Shqipërisë!

Mos harroni se kryeministri e ndërmerr këtë hap tragjik kombëtar pa miratimin e Parlamentit të Shqipërisë dhe pa asnjë referendum popullor.

Shqipëria po shkon në Hagë, ku pritet të deformohet e të rrudhet kufiri detar shtetëror shqiptar. Vetë kryeministri Edi Rama e ka pohuar se në bisedimet e qeverisë së tij me qeverinë greke është vënë në diskutim kufiri shtetëror. Fshehtësia ka lidhje me diçka, që nuk është në përputhje me legjislacionin tonë, me Kushtetutën dhe me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të vitit 2010, që rrëzoi marrëveshjen midis dy shteteve të vitit 2009.

Në datën 14 shkurt 2019 kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e zbuloi publikisht në një ekran televiziv: “Për çfarë po bisedojmë ne me Greqinë? Për kufirin”.

Përmbajtjen e bisedimeve detare të qeverisë Rama e shpalli Komisioneri i BE, Johannes Hahn, në datën 11 korrik 2018, kur bëri zbulimin sensacional mbi përmbajtjen e marrëveshjes së re të detit midis Shqipërisë dhe Greqisë: “Nëse do të ketë një marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë, ajo do të jetë rreth ristrukturimit të kufijve”.

Keni edhe një dokument zyrtar të qeverisë së Edi Ramës, kur në 12 shkurt të vitit 2018, ministri i jashtëm i qeverisë socialiste, që drejtonte bisedimet me Greqinë për detin, në letrën drejtuar presidentit të Shqipërisë për të kërkuar autorizimin për bisedimet detare me Greqinë, përsërit tekstualisht objektin e së njëjtës marrëveshje të qeverisë Berisha të vitit 2009.

Ja teksti: “Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë: Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”.

Pra qeveria e Edi Ramës në bisedimet e vitit 2017-2018 negocioi dhe ringjalli marrëveshjen e vitit 2009, duke bërë objekt të bisedimeve kufirin shtetëror detar midis dy vendeve.

Nuk është e rastit që interesi diplomatik grek i dërgimit në Gjykatën e Hagës i bashkoi tani në varkën e Dendias qeverinë dhe opozitën. Të dy palët e duartrokitën, sepse është e njejta gjë që Athina u ka imponuar të dy qeverive shqiptare në çedimet për detin shqiptar.

Është mirë që tifozët e dy partive kryesore, dhe ekspertët militantë të të dy partive, që mbrojnë njera palë marrëveshjen e vitit 2009 dhe tjetra palë marrëveshjen e vitit 2018 (e cila praktikisht u përfundua dhe duhej të nënshkruhej në Pashkët ortodokse të prillit të vitit 2018 në Korçë), të krijojnë opinionet duke parë dokumente zyrtare dhe me sytë e interesit të Shqipërisë.

Shqipëria dhe Greqia do të shkojnë çift në Hagë për të ndryshuar dhe për të shkelur aktet dhe traktatet juridike ndërkombëtare, të cilat kanë vulosur në 1913, 1925 dhe në 1926 kufijtë e Shqipërisë. Greqia zyrtarisht nuk ka rivendikuar kufirin territorial detar dhe tokësor shqiptar, sepse aktin përfundimtar të fuqive të mëdha për kufijtë tanë e ka firmosur qeveria e Greqisë.

Zyrtarisht e ashtuquajtura “çështje e detit” nuk ka ekzistuar për 95 vite me rradhë të ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar, kur u paraqit befas nga Greqia në vitin 2007, sapo u konfirmuan rezervat e mëdha të hidrokarbureve në zonën shqiptare të detit Jon.

Nga pikëpamja diplomatike Athina u tregua korrekte dhe kërkoi “bisedime teknike për shelfin kontinental”. Poshtërsia e qeverisë dhe e diplomacisë së vitit 2009 është se përfshiu në objektin e bisedimeve kufirin shtetëror detar. Të njejtën gjë bëri qeveria dhe diplomacia e vitit 2017.

Në opozitë të gjithë janë patriotë dhe revolucionarë, dhe PS në opozitë ndërmori aktin e drejtë të padisë së marrëveshjes së vitit 2009 në Gjykatën Kushtetuese. Por si kryeministër, Edi Rama në mandatin e tij të dytë rivuri në skenën diplomatike të njejtën marrëveshje detare me Greqinë si qeveria e kaluar, me ndryshimin që u tregua më i nxituar, sepse qeveria Berisha e përfundoi marrëveshjen me Greqinë në nëntë muaj, kurse qeveria Rama në gjashtë muaj.

Shkaqet pse marrëveshja e dytë nuk u firmos në Korçë i di mirë kryeministri. Por tani duket koniukturat ndërkombëtare për arsyet e tyre po darovisin Greqinë me dhurata gjeopolitike ballkanike, dhe një nga këto është edhe dhurimi i një pjesë të detit territorial shqiptar.

Mos i kritikoni grekët. Jemi përpara një intrige diplomatike shqiptare, njësoj si në marrëveshjen e vitit 2009. Plisi apo qeleshja shqiptare e tezës së vjetër greke dhe i urdhërit të ri grek që shqiptarët ta çojnë në Hagë kufirin detar nuk mbulon dot faktin se po ndërmerret një hap i madh negativ i mohimit të traktateve dhe i vendimeve ndërkombëtare, dhe ketë po e bën me entusiazëm vetë shteti, të cilit do t’i rrudhen kufijtë. Ky është thelbi i intrigës së tanishme qeveritare shqiptare.

Jemi përpara një alibie të qeverisë për të fshehur rrudhjen e kufirit detar shqiptar dhe jo rastësisht qeveria Rama ka qarkulluar argumentin idiot se marrëveshja e qeverisë socialiste është më e mirë se marrëveshja e qeverisë demokratike.

Broçkullat e kryeministrit për miqësinë e pavdekshme dhe të shkëlqyer midis dy vendeve tona, me të cilat po justifikon dërgimin e “çështjes së detit” në Hagë janë një alibi servile për aktin e rëndë të shkeljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe për pranimin e marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009 me ca penelata të reja.

Retorika narciste kryeministrore për servirjen e akteve shtetvrasëse si “revolucion kopernikian” është kaq e stërkonsumuar në biografitë politike dhe diplomatike atdheshitëse të qeverive shqiptare të 95 viteve të fundit!

Greqia don që Shqipëria të shkojë në Hagë, sepse vetëm një Tribunal Juridik Ndërkombëtar mund të bëjë të pavlefshme aktet ndërkombëtare të kufijve të Shqipërisë, dhe vetëm kur këtë e kërkon vetë qeveria e Shqipërisë. Kështu e humbëm edhe Shën Naumin dhe burimin strategjik të lumit Drin me kërkesë të vetë qeverisë shqiptare drejtuar Lidhjes së Kombeve.

Sirenat greke po e çojnë Shqipërinë me këmbët e saj në Hagë, ku do të humbë me duart e saj./Dita/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.