Në një rrëfim të tij për kohën në burgun e Pozharecit në Serbi, shoku i qelisë së Albin Kurtit, Basri Rexha, tregon për vuajtjet dhe lirimin nga atje të Kurtit, si dhe të tij.

Ai ka folur edhe për fjalimin e Kurtit për mediat amerikane, e që thotë se ajo intervistë pak minutëshe ishte shkas që Kurti mbijetoi.

Rexha e quan Kurtin djalë me kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual, teksa thotë se Kurti ishte më i vëzhguari nga serbët, sesa të gjithë të burgosurit e tjerë.

Ai tregon se aq fortë e kishin rrahur Albin Kurtin, saqë ishte alivanosur dy herë kur është kthyer nga procesi gjyqesor i Nishit.

“Ishte fakt i pamohueshem qe Albini mbijetoi falë interesimit për të nga të huajt dhe mediat botërore. Mund të them se Albini është një djalë me një kapacitet të jashtëzakonshëm njerëzor e intelektual. Një njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze. Të huajt, sigurisht që edhe pa dijeninë e Albinit dhe tonën, kanë bërë presion tek autoritet serbe që Albini e ne, të dalim gjallë nga aty… Në burg, Albini komunikues e i dashur me secilin, frymëzues e inkurajues. Megjithëse ka qenë i burgosuri më i vëzhguar ndër ne, e fyenin në çdo lloj forme, ai nuk është tërhequr. Albinin nuk e kanë lënë asnjëherë që të bëjë ndonjë aktivitet, a punë të detyrueshme në natyrë të hapur…e mbanin mbyllur vazhdimisht .. Aq rëndë eshtë rrahur, kur është kthyer nga procesi gjyqesor i Nishit, sa u alivanos dy herë”, ka thënë ai.

Rexha tregon edhe për lirimin e tij dhe të Albin Kurtit, ku thekson se ai ishte liruar para Kurtit dhe në Prishtinë pastaj kishin organizuar protesta duke kërkuar lirimin e shokëve të tjerë të burgut.

Ai thotë se Kurti u lirua nën përcjelljen e Kryqit të Kuq të Gjenevës.

Rexha gjithashtu tregon edhe për kushtet në burg.

“Unë jam arrestuar më 24 korrik 1998 dhe pas vuajtjes së dënimit prej 20 muajve, jam liruar më 24 mars të vitit 2000. Kurse Albini është mbajtur deri në janar të vitit 2002. Gjatë gjithë kohës mbahej Albini në burg, në Kosovë kemi organizuar tubime protestuese per lirimin e tij dhe të burgosurve të tjerë. Albini eshte mbajtur atje deri ne vitin 2002. U lirua nën përcjelljen e Kryqit të Kuq të Gjenevës. Kushtet e burgut kanë qenë të tmerrshme, kishim parazitë, morra në trup e batanije. Albini shpesh bënte humor: të gjithë njesoj jemi, prandaj edhe morrat dhe zhugën të njëjte i kemi.” Laheshim jashtë e me ujë të ftohtë shpesh. Duhej të laheshim shpejt se ndryshe na rrahnin, madje dikush mbetej pa zhveshur”, rrëfeu Rexha.