Mariangela Mianiti

Il manifesto.it, Glonaabot.it 

Funeralet janë më shumë për të gjallët sesa për të vdekurit, të cilët, duke qenë të vdekur, nuk mund të shohin efektin që ka ikja e tyre dhe kjo është një nga të këqijat e të mos qenit më. N.q.s. do të bëhet seriozisht, një funeral mbretëror ka nevojë për një ndjenjë të inskenimit, dhe britanikët e kanë. Edhe pse mbretëresha Elizabeta II mund të imagjinonte pikëllimin e pamasë që vdekja e saj do t’i shkaktonte kombit, duke parë se si e përshëndetën nënshtetasit e saj, la një përshtypje të veçantë, kryesisht tek ata që nuk kanë më një mbret, si ne, gjithashtu as kanë më nostalgji për të. Në Evropë ka kombe që sovranët i kanë përzënë me revolucione dhe u kanë prerë kokat, të tjerë që i mbajnë në mënyrë krejtësisht formale, por nuk i nderojnë siç bënë britanikët me Elizabeth II.

Ju pëlqen!

Transmetimet e BBC-së tregonin në kohë momentet e udhëtimit të eshtrave të mbretëreshës nga Balmoral në Londër, duke kaluar përmes Edinburgut, në atë Skoci që po mendon seriozisht të bëhet e pavarur dhe më pas betimin e mbretit të ri nga Uellsi në Irlandën e Veriut. Gjithashtu, daljet e familjes mbretërore për të përshëndetur njerëzit, radhët 24 orëshe për të bërë homazhe te arkivoli, intervistat me të rinj e të rritur që morën trenin nga kudo nga dëshira për të qenë aty, për të marrë pjesë, për të përjetuar zi të gjithë së bashku, në një rit gjigant kolektiv që, siç thoshin, i bënte të ndiheshin si një komb.

Pa marrë parasysh rolin aktual të mbretërisë, ajo që pamë në këto dhjetë ditë ishte përfaqësimi i një simboli, vënia në skenë nga një fuqie perëndimore që është nostalgjike për perandorinë e saj dhe e nderon me shumë teatralitet. Nga ana tjetër, Shekspiri lindi atje dhe nuk është rastësi nëse vazhdojmë të jemi dëshmitarë të veprave të tij që flasin për mbretër të çmendur, mbretër gjakatarë, mbretër vëllavrasës e bijëvrasës, mbretër e mbretëresha të pangopura për pushtet; etje vdekjeprurëse për pushtet që vazhdon akoma dhe vë në lëvizje një pjesë të botës. Megjithatë, duke qenë se mbretëria e Windsors është më shumë një fasadë sesa një autoritet vendimmarrës, funerali i Elizabeth II bëri të mundur të përfaqësonte plotësisht simbolikën. Dhe ja ku vijnë të gjithë përfaqësuesit e forcave të armatosura në versionin më të dhimbshëm dhe nderues, duke shkaktuar një efekt gati hipnotik, madje edhe pak surreal, i cili ka bashkuar maksimumin e seriozitetit ushtarak e të aftësive organizative me spektaklin maksimal.

PARADA, marshimet, bandat që shoqëruan arkivolin nga Buckingham Palace në Westminster Bay, e më tej, janë përbërës absolut të teatrit. Mijëra njerëz me uniformë vazhdojnë të rregullt dhe kompakt marshimin funeral të shoqëruar me notat e Simfonisë III të Bethovenit të përshtatura për bandën, në ritmin e timpanit dhe daulleve, për më shumë se një orë, njëkohësisht të gjithë, fillimisht djathtas pastaj majtas, si një valë e madhe që përparon. Mbrapa, pranë vëllezërve, bie në sy, Anna, vajza e vetme e mbretëreshës, e vetmja grua e familjes mbretërore në këmbë me uniformën e Marinsave Mbretëror, të cilën ajo nuk e ndërron asnjëherë, edhe pse titujt e saj ushtarakë janë vetëm nderues, sepse ajo nuk ka shërbyer kurrë në ushtri. Ndërsa gratë e tjera, bashkëshortët, qëndrojnë gjithmonë me fustan të zi, kapele, vello, taka, bizhuteri pak a shumë modest dhe ndjekin kortezhin me makinë.

Një qytetar tha se do të bënte homazhe për mbretëreshën e ndjerë “Sepse do të jetë e fundit që do të shoh, pasi trashëgimtarët e radhës janë të gjithë meshkuj dhe kjo më trishton pak”. Britanikët tani kanë një mbret të ri. Dhe pastaj është motra e tij.

Përktheu për MekuliPress: Jak Simoni

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Vetëfinancohemi! Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMONA sot me vetëm 1 Euro!