Presidenti i SHBA, Joseph Biden ka njoftuar sot Kongresin amerikan për një urdhër ekzekutiv të tijin përmes të cilit ndalon hyrjen në SHBA të disa personave nga Ballkani Perëndimor si dhe bllokimin e pasurive të tyre nën arsyetimin se po kontribuojnë në destabilizimin e situatës në rajon.

Në letrën e vet Biden cilëson hapësirën e ish-Federatës Jugosllave dhe Shqipërinë si dy vende ku është verifikuar: “minimi i marrëveshjeve dhe institucioneve të pas luftës që pasoi shpërbërjen e Federatës si dhe korrupsioni i përhapur në disa qeveri në Ballkanin Perëndimor që frenon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike dhe për rrjedhojë përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane”.

Ky paragraf sinjalizon kështu një politikë të re amerikane në rajonin tonë që me gjasë po synon rotacion elitash dhe forcash politike në një rajon ku politika e SHBA shpall kështu dështimin e vet për 3 dekadat e fundit.

Ju pëlqen!

Ajo që u fitua në luftë dhe përballjen gjepolitike direkte u humb për shkak të sëmundjeve sistemike të mbështetura me heshtje nga Perëndimi të cilat u bënë patologji endemike në një rajon që nuk arrin dot të tejkalojë vetveten asnjëherë. Letra nuk përmend emra, por me siguri që njoftimet në ditët në vijim nuk do të mungojnë dhe ne mund të kemi rast që të kuptojmë më mirë disa nga lëvizjet politike të kohëve të fundit në vendin tonë, por edhe heshtjen relative që shihet në të dyja kampet.

Në një plan më të përgjithshëm, urdhëri i presidentit amerikan rivalizon dhe lë në hije politikën europiane në Tiranë, përfaqësuar nga ambasadori Soreca apo ambasadorë të tjerë që kanë folur me nota pozitive dhe konferencën e parë ndërqeveritare. Në thelb letra e Biden vendos një akuzë për lidhje mes korrupsionit dhe interesave të qarta subversive ndaj demokracisë funksionale në një vend si yni, duke aluduar se në Shqipëri (Kosovë) tashmë korrupsioni ndërvepron në mbrojtje me sponsorizimin e aktorëve të huaj. Ky është ndoshta rasti i parë i qartë kur kuptohet interesi i SHBA për reformën në drejtësi e cila mundet tani të thjeshtohet në parimin funksional: hetojmë, procedojmë dhe gjykojmë NE. Pra SHBA.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.