Shteti i Kosovës nuk po ia del ta mbrojë pasurinë e bujshme natyrore në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Ndonëse ky park ka mbi 8 vjet që mbrohet me ligj, ai nuk ka gjetur zbatim. Drunjtë e moçëm po priten, rrugët po hapen, habitati i egër po shkatërrohet, për të mundësuar ndërtimin e vilave luksoze nga njerëz që nuk janë fare pronarë të tokës

Përpjeta që të çon nëpër Bjeshkën e Lumbardhit e deri në majën e saj nuk është e dendur me drunj, siç është mbajtur mend dikur. Ata vende-vende janë prerë për t’u bërë hapësirë ndërtimeve ilegale në Bjeshkët e Nemuna. Ndërtuesit janë përkujdesur që ato parcela megjithatë të mbesin të rrethuara me gjelbërim, në afërsi të krojeve, uji i të cilave historikisht ka çarë shkëmbinjtë për të krijuar burime që i japin jetë atij vendi. Edhe rrugë janë ndërtuar për qasje më të lehtë nëpër hijeshinë e tokës së shtetit, që është pjesë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, të mbrojtur me ligj që nga viti 2012. Atje hija e lisave të gjatë më nuk i bën hije habitatit të egër, i cili çdo ditë e më shumë po ikën lart e më lart bjeshkëve, që t’i bëjë vend njeriut. Betoni nuk është kursyer për vendosjen e themeleve, e tullat për ngritjen e mureve të shtëpive e vilave luksoze nëpër Bjeshkën e Lumbardhit. Ndonëse pa leje ndërtimi e pa “tapi”, ajo është mbushur me më shumë se 20 objekte, disa prej të cilave janë ende në themel e të tjerat dy-trekatëshe. Ndërtimet kanë kapluar shumë pjesë të Bjeshkëve të Nemuna deri në thellësi të saj, në pronë publike, pa leje e pa kërkesa për to nga asnjë instancë e shtetit.

Parku Nacional është shtëpia e shumë bjeshkëve që emrin e kanë marrë nga fshatrat banorët e të cilëve dekadave të kaluara i kanë çuar bagëtitë për të kullotur muajve të verës. Bjeshka e Lumbardhit, Bjeshka e Belegut, Bjeshka e Strellcit, Bjeshka e Milishevcit, Bjeshka e Isniqit e shumë të tjera janë tokë e shtetit brenda “Bjeshkëve të Nemuna”, ku banorët e atyre fshatrave dikur kishin ngritur stane nga drurët e gurët e i kishin mbuluar me najlona për t’u mbrojtur nga shiu i verës gjatë tre-katër muajve. Bagëtitë kanë kullotur, të zotët kanë nxjerrë qumështin, djathin, kosin e produkte të tjera të bulmetit. Pastaj janë kthyer në shtëpitë e veta, në tokën e vet, në fshatrat të cilave u takojnë. Por që nga paslufta e kryesisht viteve të fundit, statusi i këtyre banorëve ka ndryshuar. Ata i janë kthyer përsëri bjeshkës, por kësaj radhe jo për t’ia lëmuar kurrizin. Tokën e kanë gërryer, drunjtë i kanë prerë, rrugën e kanë zgjeruar dhe kushtet për të ndërtuar pamëshirshëm i kanë plotësuar pa kurrfarë pengesash. Ligji për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” nuk ka krijuar kurrfarë garancie që t’u dalë zot këtyre bjeshkëve.