Shkruan: Enver Bytyçi

Disa deklarata me dy qëndrime për heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me reciprocitetin i kemi parë këto ditë në media. Deklaratat në mbështetje ose mosmbështetje të vendimit të qeverisë së Prishtinës vijnë nga ambasadat e Kuintit në Prishtinë. Në këto përfaqësi diplomatike bëjnë pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Të pesë vendet, ushtritë e të cilave hynë më 12 qershor 1999 në Kosovë dhe u vendosën në sektorët përkatës, në Prishtinë – britanikët, në Mitrovicë – francezët, në Ferizaj – amerikanët, në Prizren – gjermanët dhe në Pejë – Gjakovë –italianët, plus Rusia ishin para luftës pjesë e Grupit të Kontaktit.

Nga ky Grup u përzunë rusët, thjesht për shkak se ata ishin kundër çdo aksioni politik dhe ushtarak të Perëndimit euro-atlantik në Kosovë dhe ashtu si sot, mbronin me fanatizëm aleatin e tyre besnik, Serbinë. Në Grupin e Kuintit fatmirësisht sot nuk bëjnë pjesë rusët. Por tash pas 21 vitesh edhe ky grup është i ndarë në qëndrime dhe opsione rreth Kosovës e për Kosovën, rreth Serbisë dhe për Serbinë.

Ju pëlqen!

Një deklaratë e Borrell në Bruksel, si dhe ajo e ambasadorit gjerman dhe atij britanik në Prishtinë u shprehën në mbështetje të heqjes së taksës kundrejt reciprocitetit ndaj Serbisë dhe bënë thirrje për fillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Ambasada amerikane ndërkohë edhe një herë shpalli një qëndrim të ndryshëm, kërkoi heqjen e taksës pa kushte. Kur Grenell në fund të janarit të shkuar pati kërkuar në Beograd që të ndalohej lobimi anti-Kosovë, të gjithë ishim optimistë se dialogu i ndërmjetësuar prej tij do të zhvillohej me objektivitet dhe mbi bazat e një reciprociteti që karakterizojnë dy shtete sovrane. Por ndërsa deklaratat e Grenell dhe ambasadës nuk përmendin prej kohësh këtë kërkesë nga Beogradi, bëjnë trysni mbi qeverinë e Kosovës, me qëllim që ajo të vazhdojë në stilin e Hashim Thaçit të luajë rolin e zvarranikut përballë Serbisë.

Unë do të isha krejt dakord dhe me këtë rol të Prishtinës, nëse Grenell do t’i kishte shpallur publikisht objektivat finalizuese të dialogut midis palëve dhe në këto objektiva nuk do të ishin ndryshimi i kufijve si dhe krijimi i një republike Srpska në Kosovë. Por presioni ndaj të dobëtit (Prishtinës) dhe kulaçi ndaj të fortit (Beogradit) duket se ka agjendën e njohur tashmë të Aleksanër Vuçiq, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ndarjen e Kosovës. Dikush i ka bindur disa amerikanë se në këmbim të kësaj zgjidhjeje, Serbia do të shkëputet nga ndikimi rus dhe do të anëtarësohet në NATO. Diskursi i Vuçiq dhe presidentit Thaçi lënë të kuptosh hapur në këtë ëndërr utopike.

As orakujt e Delfit nuk do të mund të kishin parashikuar se 21 vite pas luftës në Kosovës do të kishim një ndarje të tillë. Dikur në Grupin e Kontaktit problemi, sipas sekretares Olbright, ishte Rusia, të cilën ajo nuk donte ta dëgjonte dhe për këtë herë-herë refuzonte të merrte pjesë në takimet e këtij grupi. Tani një diplomat i vendit të saj ka marrë rolin imponues për Prishtinën dhe pajtues me Beogradin. Kur francezët bashkë me Hashim Thaçin në qershor 1999 vendosën kufirin në Urën e Ibrit, thuajse të gjithë ne ngushëlloheshim me faktin se “Amerikanët nuk do ta lejojnë kurrë ndarjen e Kosovës”! Por edhe na mundonte pyetja: – Pse KFOR-i amerikan nuk u vendos në Veri, por në Lindje?! U gëzuam shumë kur pas shpalljes së pavarësisë forcat amerikane u transferuan në Veri të vendit. Tani jemi përsëri përballë një qëndrimi që i hap rrugë një lëshimi kërcënues për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Dhe fatkeqësisht nuk e njohim se cili është qëndrimi amerikan për këtë, ndërsa dimë se britanikët dhe gjermanët janë kategorish kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve.

SHBA-të kanë interesat dhe politikat e veta, por në rastin e Kosovës nuk ishte menduar se ajo mund ta sakrifikojë territorin e saj për këto interesa. Shumë kush në të drejtën e vet nuk pajtohet me mua dhe sinqerisht nuk do të doja ta besoja këtë fakt, por zhvillimet janë të tilla. Dikush tjetër do ta marrë këtë qëndrim si mbështetje të një pale kundër një pale tjetër. Dhe për këtë dua të jem i sinqertë, kam përkrahur dhe do të përkrah çdo forcë politike e politikan, kudo ku ndodhen, të cilët i kundërvihen ndarjes së Kosovës, pra opsionit dhe përkushtimit të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Nuk kam mbështetur e nuk do të mbështes asnjë aktor e faktor të brendshëm e të jashtëm që synon tjetërsimin e territorit të Kosovës.

Po thuhet se Kosova do të bëhet kurban me kusht që Rusia të heqë dorë nga prezenca dhe ndikimi i saj në rajonin tonë. Jam krejt i bindur se këtë ide të gabuar e mbartin vetëm ata politikanë, studiues, ekspertë, të cilët nuk e njohin historinë e Ballkanit, të Serbisë dhe të marrëdhënieve të saj me Rusinë. Ndarja e Kosovës nuk do të ketë epilog largimin e Rusisë nga Ballkani, përkundrazi do t’i forcojë pozitat e saj ushtarake, politike, ekonomike dhe strategjike në rajonin tonë dhe do të çonte pa asnjë pengesë në krijimin e Serbisë së Madhe, përveçse do të legjitimonte të gjitha ndërhyrjet e pushtimet ruse në Lindje të Europës.

Serbia nga ana e saj mund të jetë angazhuar se me përfitime territoresh e pasurish në Kosovë të pranohet në NATO, por me ta arritur synimin e saj do t’i drejtohet një aleance të hapur me Moskën dhe Aleanca e Atlantikut nuk do të ketë asnjë mundësi të reagojë ndaj kësaj. Edhe nëse do të viheshin disa sanksione, ato do të ishin thjesht një akt politik kozmetik i përkohshëm dhe këtë e dinë në Beograd dhe në Kremlin. Është utopi ta mendosh se Serbia nga pikëpamja strategjike, politike dhe ushtarake, pra në fushën e sigurisë, do të bëhet ndonjëherë aleat i Perëndimit. Vetëm në ekonomi dhe në marrëdhëniet arsimore e shkencore mundet të krijohet një lidhje midis Evropës dhe Serbisë. Asgjë më shumë.

Nëse administrata e Donald Trump nuk ka vendosur ta ndajë Ballkanin midis SHBA-ve dhe Rusisë për ta përdorur kundër Europës, duhet ta kuptojë se çdo përpjekje për të joshur Moskën të largohet nga Ballkani në këmbim të territoreve shqiptare do të jetë e dështuar. Shqiptarët do të dëmtohen rëndë, Serbia do të mbetet nën ombrellën ruse.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!