Ndahet nga jeta Kiço Blushi! Personazh i njohur publik, shkrimtar, skenarist, publicist aktiv vitet e fundit në shtypin e shkruar kundër një establishmenti politik që nuk ka dallime majtas dhe djathtas. Përtej karrierës artistike Blushi ka lënë gjurmë në mendimin publicistik të këtyre viteve. Në protestën e vitit 2016 kundër ligjit të plehrave theksoi rëndësinë e protestës.
“Kur ju pyetët Robert Ndrenikën, tha ne jemi si qytetarë, si qytetarë që kemi pranuar të jetojmë këtu, që kemi jetën këtu, që e duam vendin tonë dhe e duam të jetë edhe i pastër ekologjikisht jo vetëm nga plehrat fizike, por edhe plehrat politike. Kjo besoj është detyrë e çdo qytetari, sepse është e domosdoshme edhe për shoqërinë, edhe për të ardhmen.”
Ndërsa lidhur me sistemin politik të instaluar pas viteve 90′ ka qenë i idesë se mbi çdo qeverisje ka dominuar propaganda.
“Nëse ka ecur përpara ndonjë dukuri në Shqipërinë pluraliste, është pikërisht mediatizimi i skajshëm i propagandës, i demagogjisë, i shtirjes e sidomos i mashtrim-gënjeshtrës së pafre. Kjo nuk është tepri. Për këtë mjafton të ndjekësh VIP-at e stisur, të vetëshpallur, kryesisht në politikë e pastaj në art e kulturë. Pas 20 vitesh ende nuk ka përfunduar “procesi i antikomunistizimit”; vini re: fatkeqësisht, propaganda e demokracisë në thelb nuk ka ndryshuar krahasuar me mekanizmin e diktaturës që asokohe quhej “aparat i agjitpropit” e që lartësonte “vendin e parë”, bashkë me mjelëset e emëruara anëtare Byroje në të vetmin kanal televiziv, RTSH. Asgjë nuk ka ndryshuar: Belulët e djeshëm janë zëvendësuar me Belulët “disidentë” e delirantë të demokracisë”

Biografia

Blushi lindi në vitjn 1943 në Korçë. Mbaroi studimet e larta për letërsi shqipe dhe ruse filloi punën si redaktor pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në vitin 1974 kalon si redaktor në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të. Ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Askush nuk e kontrollon gazetarinë dhe kritikën tonë. Ndihmojeni MekuliPress të paktën me 1 euro. Mbështete sot median e pavarur kombëtare.