Më 5 maj 1821, Napoleon Bonaparti vdiq në moshën 51 vjeç, i burgosur në bazën e atëhershme britanike të Shën Helenës në Atlantikun jugor. Korsikani trupvogël që nga një oficer i artilerisë franceze u kthye në Perandorin që mbizotëronte Evropën kontinentale, është ende temë për të cilën shumë historianë kundërshtojnë njëri-tjetrin edhe 200 vjet pas vdekjes së tij. A ishte ai një gjeni vizionar apo një tiran brutal – apo një kombinim i këtyre të dyjave?

Shkrimtari dhe diplomati i njohur francez i fillimit të shekullit XIX, François-René de Chateaubriand e përmbledh ambivalencën që ka karakterizuar figurën e Napoleonit me një fjali: “Ky njeri gjenialitetin e të cilit unë e admiroj dhe despotizmin e të cilit e urrej”.

Në Francë, shumë admirues të Bonapartit e quajnë atë “Shqiponja” – duke e lartësuar figurën e tij si strateg që përhapi idealet liberale të iluminizmit francez në të gjithë kontinentin. Kundërshtarët e cilësojnë një megaloman gjakatar që riktheu skllavërinë dhe zhyti Europën në kaos me luftërat e tij.

Ju pëlqen!

Charles-Éloi Vial, autor i disa librave për Napoleon Bonapartin rrëfen në një intervistë për France 24 disa aspekte të figurës së tij.

Karreiera e Napoleonit ishte meteorike: Ai ishte thjesht një oficer i ri artilerie nga periferia më e largët e Francës kur shpërtheu Revolucioni në 1789, doli në ballë të tij dhe luftoi me kryengritësit, u bë Konsulli i Parë i Republikës në 1799 dhe u kurorëzua Perandor i Francezëve në 1804. A ishte ky njeri një vizionar i shkëlqyer apo një tiran i tmerrshëm?

Të dy këto terma janë padyshim shumë të fortë. Në histori duhen parë nuancat dhe Napoleoni nuk duhet parë bardh e zi, por edhe në nuancat e tjera. Sundimi i Francës prej tij kishte disa aspekte shumë pozitive, veçanërisht në drejtim të modernizimit të administratës. Por ai ishte tejet autoritar. Ju e keni parasysh si ai favorizonte idealin revolucionar francez të barazisë mbi atë të lirisë – në mënyra që sot mund të duken tronditëse. Por më shumë se një vizionar ose tiran, Napoleoni ishte thjesht një qenie njerëzore – me të gjitha virtytet dhe të metat e një njeriu.

Vizioni i Bonapartit e çoi atë shumë larg nga origjina e tij – duke e bërë perandor në moshën 35 vjeç. A kishte një vetëbesim të jashtëzakonshëm – siç rezultoi nga pushtimi i tij katastrofik i 1812-s në Rusi, vendimet për t’u rikthyer në luftë në 1813 dhe 1814, refuzimi i tij kokëfortë për të nënshkruar një marrëveshje paqeje dhe pastaj, natyrisht, largimi i tij nga Elba dhe humbja përfundimtare [në duart e Dukës së Wellingtonit] në Waterloo në 1815. Ambicia e vrullshme e Napoléonit u bë edhe rënia e tij.

Ishin suksese ato të parat, veçanërisht në fushatat ushtarake në tokë – si fitorja e tij [kundër një force më të madhe austriake dhe ruse] në Austerlitz në 1805, pikërisht një vit pas kurorëzimit të tij si perandor. Por Napoleoni ishte i dehur nga ky triumf. Ai nuk dinte të çlirohej.

Napoleoni ka thënë se e donte luftën si artist. Ai ishte shumë i qetë në fushat e betejës – ku mund të shfaqte aftësitë e tij të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat ia njohën edhe armiqtë e tij më të betuar. Objektivi kryesor i Bonapartit ishte të mbronte Francën revolucionare deri në vitin 1808. Në atë moment, mund të shohim se ambicia e tij e çoi larg. Në Luftën Gadishullore në Spanjë – dhe veçanërisht në Rusi – ishte e qartë se Napoleoni po bënte një luftë për lavdi. “Basti” i tij sa vinte e rritej, numri i vdekjeve gjithashtu dhe betejat u bënë edhe më të përgjakshme.

Shpesh është thënë që Napoleonit nuk i bëhej vonë për dhimbjen njerëzore – a ishte vërtet kështu?

Dëshmitë japin pikëpamje kontradiktore për këtë. Disa njerëz që e njihnin Napoleonin e përshkruanin atë si plotësisht të pandjeshëm – por të tjerë thonë se ai ishte shumë i vëmendshëm nëse ndokush ishte i sëmurë dhe në letrat e tij del si një njeri që këshillonte të shoqen dhe vëllezërit e tij që të merrnin ilaçe të veçanta kur ishin të sëmurë.

Ju mund të thoni se kishte një ndryshim midis mënyrës se si ai veproi si udhëheqës ushtarak dhe asaj që bënte në jetën e tij private. Urdhri i tij në 1804 për të vrarë ushtarë francezë të prekur nga murtaja në Jaffa [në Izraelin e sotëm] të cilët po luftonin në fushatën e tij egjiptiane, është konsideruar gjithmonë si një vendimi i një njeriu të pashpirt.

Por në raste të tjera – madje edhe në fushën e betejës, ku ai e detyronte veten të ishte i pandjeshëm – ai u prek thellë nga tmerret e luftës, veçanërisht pas Betejës së Eylaut [kundër forcave ruse dhe prusiane në 1807], ku u trondit nga betejat e përgjakshme në borë.

Është e kuptueshme pse Napoleoni admirohet në Francë si krijues i shtetit modern, të centralizuar – dhe për sistemin ligjor jashtëzakonisht me ndikim të Kodit Civil që ai ngriti në 1804. Por Kodi imponoi një model patriarkal. Dhe pas martesës së tij të famshme me Joséphine de Beauharnais, ai e la sepse ajo nuk i dha dot një trashëgimtar. A mund ta quajmë Napoleonin një mizogjin?

Napoleoni nuk ishte imun ndaj paragjykimeve të kohës kur jetoi – megjithëse duhet të theksohet se Kodi Civil, pavarësisht të metave të mëdha, u dha grave një shkallë të caktuar të statusit juridik. Ndërkohë, ekzistonte një ndryshim midis frymës së ligjit dhe kushteve në terren në francën e Napoleonit: Shumë studime të fundit arkivore tregojnë se shumë gra ia kishin dalë të bëheshin të pavarura si menaxheret e vetme të bizneseve dhe fermave gjatë asaj periudhe.

Bonaparti i përdori paragjykimet e kohës për të diskredituar armiq të tillë si Germaine de Stawl [një franceze e famshme për nxitjen e moderimit politik].

Sidoqoftë, ai vlerësonte shumë gra dhe kërkonte këshilla nga shumë prej tyre, përfshirë Joséphine. Më shumë se kaq: Ai ishte udhëheqësi i parë politik që i dha një gruaje përgjegjësi për një mision diplomatik, është fjala për konteshën e Brignole në 1813. Gjithashtu, ai caktoi gruan e tij të dytë, arkidukeshën austriake Marie-Louise si zëvendësen e tij, përmes një dekreti që i jepte asaj pushtet për një vit e gjysmë.

Si Konsull i Parë, Bonaparti në vitin 1802 riktheu skllavërinë “në përputhje me ligjet para 1789”, pasi Konventa që sundonte atëherë Francën e shfuqizoi atë në 1794. Aktualisht, kjo është kritika kryesore e bërë kundër Napoleonit. A është e justifikuar kjo kritikë?

Napoleoni ishte ambivalent në lidhje me skllavërinë: Ai liroi qindra skllevër në Maltë në 1798, pastaj futi me forcë skllevërit në ushtrinë që dërgoi në Egjipt javë më vonë. Për vite, një nga shërbëtorët e tij më të afërt ishte një ish-skllav, Mamluk Roustam Raza dit Roustan.

Rivendosja e skllavërisë ishte një dështim moral mizor. Ishte tronditëse në atë kohë dhe me të drejtë na trondit edhe sot. Bonaparti veproi pa u menduar sa duhet, duke kërkuar përfitime ekonomike afatshkurtra përmes ruajtjes së stabilitetit; kjo ishte fatkeqësisht simptomatikë e qasjes së tij ndaj pushtetit – në të cilën përllogaritjet e benefiteve shumë shpesh i lënë në hije idealet e mëdha.

Ai mund të jetë penduar për këtë vendim – siç lë të kuptohet urdhri i tij për t’i dhënë fund rolit të Francës në tregtinë e skllevërve gjatë kthimit të tij të shkurtër në pushtet në 1815.

Dyqind vjet nga vdekja e Napoleonit, janë disa zërat në Francë që thonë se ne nuk duhet ta përkujtojmë përvjetorin e tij – a jeni dakord me ta apo jo?

Pyetja është se çfarë saktësisht duhet të përkujtojmë në vitin 2021. Siç e shoh unë, mbi të gjitha është çështje e të kujtuarit se vdekja e Napoleonit shënoi fundin e një kapitulli të jashtëzakonshëm, tragjik, kompleks në historinë e Francës që filloi me Revolucionin në 1789.

Veprimet e tij lanë një shenjë të jashtëzakonshme në jetën e miliona francezëve që jetuan nën mbretërimin e tij dhe ne ndoshta duhet të përqendrohemi edhe në rikthimin e përvojave të tyre të ndryshme – qoftë si ushtarë apo civilë.

Njëqindvjetori është gjithashtu një mundësi që historianët të bëjnë një vlerësim dhe të publikojnë gati gjashtë dekada kërkimesh që nga dyqindvjetori i lindjes së tij në 1969.

Çështja e skllavërisë në Perandorinë e Parë Franceze Napoleonike është eksploruar gjithnjë e më shumë përmes kërkimeve arkivore – si dhe historisë së homoseksualitetit dhe asaj të grave gjatë kësaj epoke, dhe më shumë pyetjeve teknike në lidhje me funksionimin e administratës së Napoleonit.

Ka ende shumë për të zbuluar në lidhje me të, edhe pse ai është një nga figurat historike më të studiuara në botë. Pra, ky dyqindvjetor është një mundësi e shkëlqyer për të bërë të publike hulumtimet akademike më të fundit për sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Dhe nëse ka një atmosferë polemikash, kjo mund të vijë për arsye se analiza kritike historike ka ndikuar në perceptimin publik të Napoleonit në kurriz të miteve dhe legjendave të mëparshme.

/ Përktheu: Gazmira Sokoli /

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.