Namazi: as për hatër të dikujt e as për inati të dikujt tjetër; por vetëm për ZOTIN.

Osman S. Musliu

1. Çdo ibadet, urdhër apo ndalese sipas botëkuptimit Islam ka në thelb shërbimin dhe ngritjen shpirtërore dhe fizike të qënies më të përsosur, njeriut. Pra ne falemi, agjërojm etj. duke qenë të vetëdijshëm se këto veprime e ngrisin njeriun dhe shoqerinë e nuk e dëmtojnë atë. Nëse një veprim është në dëm të njeriut atëherë ai nuk ka vend në botëkuptimin Islam. Bazuar në këtë botëkuptim besimtarët e pranojnë në një mënyrë shumë të lehtë mosfaljen apo mosagjërimin kur nuk i plotësohen kushtet shendetësore apo fizike. Vetë Zoti e ka liruar besimtarin nga obligimet fetare kur ai nuk është në gjendje fizike apo psiqike ti kryej ato. Kjo edhe është arsyeja pse ne e kemi pranuar me shumë lehtësi që xhamitë tona të jenë të mbyllura gjatë kohës së pandemisë. Edhe pse të mërzitur e të mallëngjyer që këtë Ramazan nuk e kalojmë në xhami së bashku, ne kemi bërë sabër dhe kemi qenë të bindur ndaj kërkesave dhe këshillave të organëve tona fetare, shendetësore dhe qeveritare. Këto janë parime në përputhje të plotë me synetin e Pejgamberit a.s si dhe praktikë e zhvilluar nga vetë mjekët e famshëm muslimanë si Ibn Sina, i cili është edhe arkitekti i konceptit modern te karantinimit.
2. Në botëkuptimin Islam xhamitë, mesxhidet, namazgjahet dhe objektet tjera fetare kanë një rëndësi të veqantë për besimtarët. Ngase këto janë vendet të cilat e afrojne njeriun me Krijuesin e tij. Pavarësishtë se objekti si i tillë apo muret fizike nuk shenjtërohen ato ngërthejnë në vete një kuptim të lartë shpirtërorë. Gjithashtu objektet fetare si xhamitë kanë dhe shumë funksione tjera shoqërore. Prandaj në gjithë historinë Islame xhamitë janë ndërtuar gjithmonë në qendër të qytetit apo fshatit dhe kanë simbolizuar jetën shoqërore. Pra këto objekte nuk janë të veçuara nga njerëzit siç ndodh me fe tjera por janë brenda vetë jetës.
3. Nëse flasim për pandeminë dhe konkretisht për objektet fetare gjatë pandemisë, mund të themi se besimtarët kanë dhënë një shembull të pashoq në shoqëri për tejkalimin e kësaj gjendje. Duke iu bindur këshillave dhe kërkesave të institucionëve përkatëse, besimtarët kanë treguar si gjithmonë se janë të përgjegjshëm dhe kontribues për shëndetin dhe harmoninë në shoqëri. Për këtë arsye ne si besimtarë muslimanë duhet të vazhdojmë të jemi të përgjegjëshëm dhe mos të jemi asesi shkaktarë për ndonjë përkeqësim apo rëndim të mundshëm të situatës aktuale. Prandaj mërzia ndaj privimit së shkuarjes nëper xhami nuk duhet të jete objekt apo subjekt i përplasjëve politike. Pra shëndeti shoqërorë duhet të jetë objektivi ynë primar në të gjithë këtë proces në të cilin jemi duke kaluar ngase vetë Krijuesi e ka bërë të tillë.

4. Nivelin e përgjegjësisë të cilën e kanë treguar qytetarët në lidhje me xhamitë dhe vendet tjera publike, për fat të keq nuk e hasim në nivelin e dëshiruar tek disa udhëheqës, pozitë apo opozitë dhe disa organizata joqeveritare të cilat organizojnë tubime e protesta në një mënyrë jo të përgjegjëshme. Këto veprime të papëgjegjëshme nxisin pakënaqësi tek shumë besimtarë të cilët me të drejtë, duke marrë shembullë këto organizime, kërkojne hapjen e xhamive. Mirëpo pjesa dërrmuese e besimtarëve ende janë në pritje të sinjalit pozitiv nga institucionet përkatëse për të filluar me namazin nëpër xhami.
5. Si përfundim mund të themi se kemi të bëjmë me një zinxhirë veprimesh e kërkesash të gabuara dhe të ngutura. Dihet se një shkas apo rrugë e gabuar vijon me pasoja apo rezultate të dëmshme.
Së pari kemi të bëjmë me disa gabime nga disa zyrtarë të cilët i mbyllin sytë ndaj disa organizimeve dhe ky veprim pason me kërkesën e drejtë nga të tjerët për barazi ndaj të gjithëve dhe pakënaqësi ndaj gjykimeve selektive.
Së dyti është gabimi të cilin e bëjnë një pjesë e qytetarëve të cilët binë pre e thirrjeve të të tjerëve dhe kërkojnë ta bëjnë të njejtin gabim. Pra nëse dikush organizon tubime në dëm të shëndetit publik kjo nuk do të thotë se edhe ti të kontribosh në këtë dëm duke organizuar tubime për tu falur.
Dhe së treti janë disa çarçe politike dhe individë të caktuar të fshehur nën petkun e pavarësisë por argatë të partisë kambë e krye, të cilët e shfrytëzojnë këtë gjendje duke u munduar që të politizojnë aspektet fetare për kauza të tyre. Madje këtë kauzë “në emër të fesë” e shtyjnë përpara komponentë të cilët tashmë 20 vite janë shfrytëzues të buxhetit shtetërorë.

Të dashur qytetarë, unë kam vetëm një porosi: ne nuk falemi as për hatër të dikujt e as për inati të dikujt tjetër; por vetëm për Zotin.
Lumë për ata që falën vetëm për Zotin.