Rilindasi ynë, Naim Frashëri, që para një shekulli ngriti zërin e shkroi për të drejtat e botës femërore, shkruan MekuliPress.

Poeti i madh, në mesin e injorancës së perandorisë otomane, shtron pyetjen larghedhëse: “ Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli?

Naim Frashëri hapur në shkrimet e tij e thoshte se mbulesa e grave është pengesë e përparimit të një kombi.

MekuliPress ju risjell shkrimin mbi këtë çështje, që edhe sot është aktuale për kombin tonë:

“Të mëshehurit dhe të mbuluarit e fytyrës së gruas s’ka qenë në kohën e profetit por është çpikur më von. Ndalim i math në përparimin e një kombi! Si mund të vejë mbroth një komb kur gratë, domethënë gjysma e njerëzisë rron e mbyllur si në kuvli? Si mund të jetë i zgjuar e i mbarë një komb pa pasur në vijë jetën e shtëpisë e të fëmijës, dhe këto qysh mund të bëhen kur burri rrin veç gruas? Ç’dashuri, ç’arsye mund të mësojnë e të marrin djemtë në një të tillë familje…Gruaja duhet të jetë e mësuar më shumë nga burri se fëmija së pari nga mëma e marrin arsimin dhe mësimet…Gruaja është mëmë e fëmijës, zonjë e shtëpisë dhe krejt i njerëzisë”.

/Marrë nga Tajar Zavalani, Ferexheja dhe qytetërimi, Bota e re“, nr. 14, Tiranë 1936/