Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka akuzuar SBASHK-un se po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë dhe ndërmjetësit për të gjetur një zgjidhje për grevën në arsim.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se me ftesë të Avokatit të Popullit, bashkë me zv.KM, Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati janë takuar të shtunën me Avokatin e Popullit.

Nagavci përmes një shënimi në Facebook thotë se kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor njëkohësisht.

Ju pëlqen!

E para e Arsimit thotë se si pasojë e atij takimi sot kanë pranuar një letër nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj të cilën e kanë shqyrtuar dhe menjëherë i kanë kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij.

“Si Qeveri kemi pritur që të ketë gatishmëri edhe nga SBASHK-u dhe të vazhdojmë dialogun social e të fillojë mësimi. Por, përmes mediave kemi parë tashmë që Sindikata ka dalë me qëndrim se greva vazhdon”, ka shkruar Nagavci.

Ajo thotë se SBASHKU po refuzon dialogun dhe bashkëpunimin me Qeverinë.

“Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit”.

“SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave”, ka shkruar tutje Nagavci.

 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.