Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka shkruar se Pakoja Emergjente duhet të realizohet sa më shpejtë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset.

Nagavci ka thënë se Qeveria Kurti ka miratuar Pakon Emergjente që ka përfshirë 170 euro per dy muaj, pot Qeveria Hoti apo siç e quan ajo Qeveria jolegjitime ka pezulluar këto pagesa.

Tutje, nënkryetarja e Kuvendit ka thënë se kryeministri Hoti ka dështuar sepse ai është arsyetuar se nuk ka buxhet për të bërë pagesat, shkruan “Bota Sot”.

Gjithashtu, ka akuzuar kryeministrin duke thënë se nuk e kanë brengën për mirëqenien ekonomike të qytetarëve pasi duken të zënë në kalkulimet e tyre të brendshme me emërime partiake e jo profesioniste.

Postimi i plotë:

Pagesat nga Pakoja Emergjente për të mbështetur qytetarët dhe bizneset të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19 duhet të realizohen sa më parë dhe pa dilema.

Në Pakon Emergjente të miratuar nga Qeveria Kurti ndër tjera është paraparë që punëtorët të përfitojnë nga 170 euro për dy muaj. Por, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, një numër i madh i këtyre pagesave janë pezulluar nga Qeveria jolegjitime, duke mos shlyer pagesat që ju takojnë shumë bizneseve dhe punëtorëve.

Arsyetimet që po bëhen se nuk ka buxhet për të bërë pagesat e dyta për punëtorët, janë të paqëndrueshme. Këto arsyetime vetëm se shpërfaqin paaftësinë dhe mungesën e vullnetit të kësaj qeverie jolegjitime.

Pagesat e dyta mund të bëheshin edhe pa rishikim të buxhetit, duke bërë transfere deri në 25% ndërmjet kodeve buxhetore. Mjafton të kufizoheshin shpenzimet në asfalt, për të ndihmuar punëtorët, qytetarët dhe bizneset, në sfidën më të madhe që kanë si pasojë e COVID-19.

Përveç se kanë pasur mundësi që të bëjnë pagesat pa rishikim të buxhetit, edhe votimi i rishikimit është vazhdim i dështimit të tyre. Në mungesë të numrave për t’i kaluar projektligjet në Kuvend, kjo Qeveri jolegjitime dhe e paligjshme, po mundohet të fajësojë të tjerët.

Deklaratat e zt. Avdullah Hoti për kinse rimëkëmbje ekonomike nuk morën për asnjë moment vëmendjen në qeverisjen e tij jolegjitime, madje as pagesat e punëtorëve nuk po i lejojnë.

Në fillim zt. Hoti kishte deklaruar se do të ndahen 1.2 miliardë euro për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, kurse më pas ndërroi fjalët duke thënë se këtë vit do të ndahen 400 milionë. Njëjtë kishte thënë se do të mundësohet tërheqja e 10% nga kursimet pensionale dhe të njëjtat do të kompensohen nga shteti, për ta tërhequr disa ditë më vonë zotimin për kompensim. Por, derisa zt. Hoti nga njëra anë shpërndanë deklarata kontradiktore dhe situata me kujdesin ndaj shëndetit publik dhe mirëqenjes ekonomike i ka dalur krejtësisht nga kontrolli përveç tjerash edhe sepse vëmendjen e ka tek dialogu me Serbinë, qytetarët e Kosovës në njërën anë po përballen me rrezikun për jetë nga COVID-19, e në anën tjetër me vështirësi të shumta ekonomike.

Si Qeveri jolegjitime, që ka përjashtuar fituesin e zgjedhjeve, qartazi nuk e kanë brengën për mirëqenien ekonomike të qytetarëve pasi duken të zënë në kalkulimet e tyre të brendshme me emërime partiake e jo profesioniste, me shumë zv.ministra e këshilltarë, me shumë përfitime për veten, duke rikthyer praktikën e PAN-it.

Qeveria, ndonëse jolegjitime, duhet të gjejë rrugën dhe të  realizoi pagesat për punëtorët e të ndihmoi bizneset dhe ekonominë.

Fajin për mospagimin e këtyre obligimeve nuk mund t’ia mveshin askujt tjetër, veç paaftësisë, mungesës së interesimit nga ana e tyre,mungesës së legjitimitetit të shrehur në numra  dhe kushtëzimit që e kanë nga  partnerët e tyre  qeverisës.