Çmimet e naftës po shfaqen të qendrueshëm në sesionin e sotëm. Megjithatë, çmimet po gjejnë një mbështetje nga rënia e rezervave në SHBA, nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe aleatët dhe nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.7 dollarë për fuçi. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA nga administrata për informimin mbi energjinë, rezervat e naftës ranë me 1.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 12 prill.

Gjithashtu, edhe rezervat e bënzinës ranë me 1.2 milionë fuçi, ndërsa rezervat e karburanteve të distiluara ranë me 362 mijë fuçi, gjatë javës së kaluar. Gjatë këtij viti, çmimet janë mbështetur nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Por, furnizimi i tregut është tkurrur edhe më tej për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës.

Eksportet e naftës nga Irani ranë më tej gjatë prillit, duke prekur një nivel të ri për këtë vit. Uashtingtoni synon që ti ulë në zero eksportet e këtij vendi. Ndër zhvillimet e tjera, kompania spanjolle Repsol ka ndërprerë shkëmbimin e naftës së rafinuar me naftën bruto të Venezuelës, duke ju përgjigjur thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mos bashkëpunuar me kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë.

Lidion Kulla /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]