Shkruan: Adil Memaj

Këto ditë kuptova se të qenurit të ‘’karantinuar’’ nuk paska qenë një ide absurde e mbylljes por përkundrazi e vënies në pah të anës shpirtërore larg kamuflazheve e jetës ‘’perfekte’’ të diktuar nga rrjetet sociale. Ajo na mësoi mbi të gjitha se kthimi në gjenezë është jetik, përndryshe s’jetojmë dot një jetë të quajtur e imja, por jetë e imja e dirigjuar nga faktorë të ndryshëm për qëllime të ndryshme, faktorë këto që ta krijojnë një përmbushje placebo në njërën anë ndërkaq hendek ndjenjash të respektit ndaj të qenurit vetvetja në anën tjetër. A thua vallë kaq i vështirë qenka kthimi në vetvete?

Në një muaj karantinë mund të them lirisht se më shumë e kam shijuar muzikën tani, përmes video incizimeve të postuara online dhe drejtpërdrejt se sa muzikën e degjeneruar të viteve të fundit.  Shumë këngëtarë profesionist e jo profesionist, talentë të vërtetë që me një palë dëgjuese dhe një mikrofon të thjeshtë të inkuadruar në të, po arrijnë të na bëjnë të shijojmë këngë të vjetra me vlerë, me tekste kuptimplote dhe këngëtarë që shfaqen për tu dëgjuar e jo për tu dukur.

Thjesht zëra të bukur, natyral dhe plot gjallëri.

Zëra pa efekte anësore, pa mikrofona të shtrenjtë të studiove luksoze, pa regjisorë, pa fustane të shtrenjta, pa video klipe Ultra HD, pa luftë për të marrë më shumë shikime në youtube, pa lakuriqësi, pa paguar vallëzuese që shkunden pa muzikë në klipe, pa fjali për marijhuanë, pa fjalë degjeneruese që mveshin njeriun nga secili virtyt njerëzor, pa tekste vulgare që ta fusin tmerrin edhe më larg se aq kur i dëgjon ato tek dalin nga goja e fëmijët tim të çiltër që nuk ia ka idenë se për ç ‘mjerim flet, tekste pa asnjë vlerë artistike dhe letrare në atë se çfarë thuhet në këngët që interpretojnë, të cilat në shumicën e rasteve janë “playback”. Janë të njëjtit njerëz që të bërit muzikë e kanë shndërruar në biznes, duke promovuar tallavanë si muzikë dhe me anë të veshurit me silikon shfaqin artificialitetin e tyre në maksimum.

Prandaj, për të ikur monotonisë dhe mërzisë së izolimit në këtë kohë pandemie më mirë do ishte leximi i një poezie a romani, shikimi i filmit të preferuar, dëgjimi i një muzike shpirti, koha e kaluar me njerëzit e dashur të cilët i kemi lënë në vendin e harresës me pretekstin e kohës, kaq pak…kaq pak duhet për t’u vetë përmbushur, kaq pak të duhet për t ‘ndjerë copëza lumturie në shpirt. Andaj që karantina po na e rikthen atë që e kemi humbur, “veten”.

Prizren, 21.04.2017